Ndëshkimi për mendim kritik, çfarë tregon lënia jashtë Këshillit të Përgjithshëm të figurave të vjetra në LDK?

Politika

Ndëshkimi për mendim kritik, çfarë tregon lënia jashtë Këshillit të Përgjithshëm të figurave të vjetra në LDK?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 19 mars 2021 Në ora: 09:22
LDK

Zgjedhjet e 14 shkurtit i sollën fitoren Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa që partitë tjera shënuan rënie.

Me humbjen më të madhe historike ishte LDK-ja.

Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit LDK-ja ishte partia e cila u përfol më së shumti për rënien e saj historike në skenën politike, shkruan “Bota sot”.

Pas kësaj, me 14 mars u zgjodh kryetar i ri i partisë, Lumir Abdixhiku, derisa Isa Mustafa dha dorëheqje si kryetar i LDK-së.

Pas zgjedhjes së Abdixhikut kryetar të LDK-së, u zgjodhën edhe anëtarët e rinj të Këshillit të Përgjithshëm.

Emrat e rinj për Këshillin e Përgjithshëm ishin mjaft befasues, duke lënë jashtë tij disa nga figurat e vjetra të partisë.

Nga anëtarët e rinj është emri i avokatit, njëherësh këshilltarit të Isa Mustafës, Besnik Berisha.

Për të vazhduar me Alban Zogaj, më pas me Altin Kikën, djali i ish deputetit Agim Kika, njëherësh asistent i Avdullah Hotit në kryeministri dhe Arbër Ismaili, nënkryetar i Gjilanit.

Mirëpo, përpos befasisë me emrat e rinj, befasi janë edhe emrat që u lanë jashtë Këshillit të Përgjithshëm.

Disa nga figurat që mbetën jashtë këtij këshilli janë Fatmir Sejdiu, Skënder Hyseni, Naser Rugova e Melihate Tërmkolli.

Në lidhje me këtë përjashtim ka pasur reagime të mëdha si nga vet figurat që mbetën jashtë listës mirëpo edhe nga të tjerët.

Ish-deputeti i LDK-së, Naser Rugova u shpreh i revoltuar nga ky vendim duke përfolur deklaratën që Abdixhiku bëri, se në LDK do të ketë zëra dhe mendje kritike.

Sipas Rugovës, nëse kjo qenka e vërtetë, pse atëherë Këshilli i Përgjithshëm u pastrua nga të gjithë zërat kritik.

“Kryetari i ri në T7 tha: dua që në LDK të ketë zëra dhe mendje kritike. Nëse kjo qenka e vërtetë, pse atëherë Këshilli i Përgjithshëm u pastrua nga të gjithë zërat kritik dhe ata që mendojnë ndryshe? Dita e mirë shihet në mëngjes!” ka shkruar ai në Facebook.

Ndërsa njohësit e çështjeve politike, për “Bota sot” u shprehën se lënia anash e figurave të vjetra nga Këshilli i Përgjithshëm tregon që LDK nuk ka filluar të këndellet, përkundrazi po zhvishet nga fryma rugoviane.

Zeqa: Kuvendi i 14 marsit ishte i orkestruar dhe me prapavijë nga Isa Mustafa

Image
Florim Zeqa

Njohësi i çështjeve politike, Florim Zeqa në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se propozimi i Sejdiut për caktimin e një trupe punuese për zgjedhjet e përgjithshme në LDK do të ishte një zgjidhje fatlume për situatën që aktualisht gjendet LDK-ja.

Sipas tij, zgjedhjet e 14 marsit ishin të orkestruara me prapavijë të Mustafës, e kjo vërtetohet edhe me tërheqjen në momentin e fundit të Anton Qunit.

“Nuk është e lehtë të analizohet me pak fjalë një proces zgjedhor i një kuvendi të orkestruar me shumë të panjohura! Fillimisht dëshiroj të theksoj se propozimi Dr. Fatmir Sejdiut për caktimin e një Trupe Punuese për përgatitjen e zgjedhjeve të përgjithshme në LDK, do të ishte zgjidhja më fatlume për situatën në të cilën ndodhet LDK-ja. Kuvendi i 14 marsit ishte i orkestruar dhe me prapavijë nga Isa Mustafa dhe segmentet e tij. Për ata që i nuhatin vetëm pak zhvillimet politike, ishte e lehtë për ta kuptuar lojën djallëzore të Isa Mustafës. Këtë më së miri e vërteton tërheqja në momentet e fundit e kandidaturës së Anton Qunit. Kandidatura e parë dhe tërheqja në momentet e fundit e shpërfaq lojën e Isa Mustafës me Anton Qunin dhe jo vetëm”, është shprehur Zeqa.

Më tej, analisti ka vlerësuar se qëllimi i Mustafës nuk ishte ndryshimi por vazhdimësia, pasi sipas tij LDK nuk pasur nevojë për një adoleshent politik por dikë që ka personalitet me themel të fortë rugovian.

“Qëllimi i Isa Mustafës nuk ishte ndryshimi por vazhdimësia. Ai këtë e arriti me lehtësi falë shumicës së delegatëve të zgjedhur afërsisht dy vite më parë me direktivat e tij. LDK-ja ka pasur nevojë për ndonjërin nga themeltarët apo për një personalitet me themel të fortë rugovian që motivon elektoratin për zgjedhjet lokale dhe kthimin e të larguarve në këtë subjekt politik, e assesi për një adoleshent politik me jetëgjatësi të shkurtër në LDK”, ka shtuar ai.

Zeqa thotë se lënia anash e figurave të vjetra të LDK-së, tregon se ajo është zhveshur nga fryma rugoviane.

“Mënyra e ardhjes së vonë (2017) në LDK dhe prejardhja e kryetarit të sapozgjedhur nuk janë ogur i mirë për të ardhmen e LDK-së! Secili nga aktivistët dhe veprimtarët filluar nga niveli lokal e deri tek ai qendror do të ishin më të duhurit në ketë periudhë të rëndë nëpër të cilën po kalon LDK-ja. Lënia jashtë Këshillit të Përgjithshëm e shumë emrave të rëndësishëm dhe figurave markante të LDK-së, si; Fatmir Sejdiu, Skënder Hyseni, Naser Rugova, Melihate Tërmkolli, Adem Salihaj, etj., e tregon qëllimin e këtij kuvendi për zhveshjen e totale të LDK-së nga fryma rugoviane. LDK e kishte rastin historik që më 14 mars 2021 ta bëjë hapin e parë drejtë ndryshimit të madh dhe kthimit kah rrënjet dhe tradita e saj demokratike, kah vlerat e mirëfillta dhe resurset e pasura njerëzore që ka”, ka deklaruar Florim Zeqa për “Bota sot”.

Krasniqi: Kandidatët e lënë jashtë këshillit të përgjithshëm janë matematika të LDK-së

Image
Islam Krasniqi

Edhe analisti politik, Islam Krasniqi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur në lidhje me lënien jashtë të figurave të vjetra nga Këshillit i Përgjithshëm i LDK-së.

Islami potencon se lënia anash e figurave të vjetra në LDK, është veprim i mirë pasi që ajo ka nevojë për një frymë të re që mendojnë ndryshe, e jo t’i ndëshkojë siç e ndëshkuan Osmanin.

“Reformat tani kanë filluar brenda LDK-së, disa nga emrat të janë lenë jashtë është veprim i mirë pasi që duhet të ndryshoj edhe fryma e LDK-së, kandidatëve anëtarëve, të cilët ju dhënë hapësirë edhe atyre që mendojnë ndryshe për të rritur demokracinë brenda LDK-së, e jo t'i ndëshkojë siç e ndëshkuan znj. Osmani”, ka theksuar Krasniqi.

Nga ana tjetër, analisti thotë që lënia jashtë Këshillit të Përgjithshëm të këtyre figurave nuk ka të bëjë me një hakmarrje të Mustafës, pasi që sipas tij Mustafa ka mundësi të qëndrojë në ndonjë Këshill brenda LDK-së.

Mirëpo lënia jashtë e Rugovës është gabim, ndërsa për të tjerët thotë që ata janë shpenzuar dhe nuk kanë më çfarë të japin kontribut për LDK-në.

“Kandidatët e lenë jashtë këshillit të përgjithshëm janë matematika të LDK-së, nuk besoj se është hakmarrje, pasi që z.Mustafa mund të pozicionohet diku tjetër pasi që LDK-ja ka krijuar disa këshilla, po nëse nuk qëndron ajo LDK-ja, ka bërë një gabim pasi që z.Mustafa mund të jap një kontribut të madh brenda LDK-së dhe jashtë gjithashtu edhe z. Rugova është gabim që është lënë jashtë, të tjerët janë të shpenzuar duhet të pensionohet sepse nuk mund të japin asgjë nga vetja që do të jetë e dobishme për partinë”, përfundoi Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat