Përplasje të mëdha në PDK, kush mund ta nxjerr partinë nga kriza?

Politika

Përplasje të mëdha në PDK, kush mund ta nxjerr partinë nga kriza?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 23 mars 2021 Në ora: 22:46
Partia Demokratike e Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës pati rezultat të dobët në zgjedhjet e 14 shkurtit. E tani në këtë parti kanë filluar edhe përplasjet e brendshme.

Derisa ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka përsëritur se deputetët e kësaj partie nuk do të votojnë Vjosa Osmanin për presidente, ndryshe mendon nënkryetari i këtij subjekti, Sami Lushtaku.

Lushtaku ka thënë se Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës do të mblidhet edhe njëherë për të vendosur se a do t’ia bëjë kuorumin Vjosa Osmanit, për t’u zgjedhur presidente e Kosovës.

Se PDK-së i duhet një reformë totale, kështu së fundi janë deklaruar edhe disa zyrtarë tjerë të kësaj partie, ndërsa edhe kanë paralajmëruar kthimin në parti lokale nëse nuk ndodhë ndryshimi.

Lidhur me përplasjet në PDK, njohësit e çështjeve politike janë të mendimit se këto po ndodhin edhe për shkak të mungesës së liderit të saj të vërtet (Kadri Veseli), i cili gjendet në Hagë dhe i cili vendos pothuajse i vetëm për partinë.

Kurse, ndër emrat e mundshëm dhe favorit për të ardhur në krye të Partisë Demokratike të Kosovës, analistët kanë parashikuar emrin e Vlora Çitakut, si e vetmja që mund ta riorganizojë përbrenda këtë parti.

Qarri: Vetëm Vlora Çitaku do ta shpëtonte nga shkërmoqja totale PDK-në

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit ishin goditja më e rëndë ndaj partive dhe figurave të degjeneruara që rrënjosën korrupsionin galopant dhe krimin e organizuar, si dhe gjithë politikës mafioze.

Image
Gani Qarri

“Votimi masiv i qytetarëve të vetëdijesuar të Kosovës, për ndryshime, mundjen e krimit të organizuar dhe mënjanimin e lënien në opozitë të partive dhe personave të inkriminuar, në zgjedhjet e fundit, ishte goditja më e rëndë e deritanishme ndaj partive dhe figurave të degjeneruara që rrënjosën korrupsionin galopant dhe krimin e organizuar, si dhe gjithë politikës mafioze, që për simbolikë dhe idol kryesor, kishin vet kuislingun Hashim Thaçi, i cili tanimë, nga Gjykata Speciale akuzohet dhe pritet të gjykohet edhe për krime kundër njerëzimit. Ndaj pas një dështimi të tillë, me të cilin për herë të parë pas lufte, u përball edhe PDK, është vërtet pafundësisht dëshpëruese për gjithë anëtarësinë e gjerë, që një parti e cila e mban veten për pasardhëse të UÇK-së dhe thirret si parti e dalë nga lufta, vetëm pse kryetari i saj Kadri Veselit ndodhet aktualisht në burg, ta mbajë në krye të saj një njeri me të kaluar të dyshimtë e dubioze si Enver Hoxhaj, i cili në vitet më dramatike kur vendi luftonte për liri a vdekje, ai për pikë të qejfit- deklaronte botërisht, nga një kryeqytet shumë i rëndësishëm evropian, si Vjena e Austrisë, se po fitoi UÇK dhe çlirua Kosova nga Serbia, do të kërkonte azil në Beograd”, ka thënë Qarri.

Njohësi i çështjeve politike nuk ndalet me kaq, ai drejton akuza të rënda në drejtim të ushtruesit të detyrës së kryetarit të PDK-së.

“Madje duke pasur parasysh faktin se kokat kryesore të krimit të organizuar, të cilat vodhën e plaçkitën çdo gjë të mundshme të këtij vendi, bënë Kosovën të pabanueshme për shqiptarët dhe plandosën për tokë edhe imazhin e shtetit tonë të brishtë, duke shitur dhjetëra mijëra hektarë tokë FYROM-it dhe shtetit xhuxh të Malit të Zi të njohura edhe për korrupsionin galopant, shkallën më të lartë të krimit të organizuar, kapjen e shtetit dhe mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë, serish kjo parti të udhëhiqet prej njërit nga oponentët kryesor të këtyre akteve makabre antikombëtare dhe antishtetërore si Enver Hoxhaj”, ka vlerësuar Qarri.

Ai konsideron se gjendja në PDK sa vjen e po bëhet me dramatike, ndërsa thekson se kësaj partie nuk i bën aspak mirë që të vazhdojë edhe më tej, të kryesohet nga figura si Enver Hoxhaj.

“Gjendja në këtë parti bëhet edhe më dramatike, kur dihet fakti se po këta njerëz Kosovën e kthyen në vendin e vetëm të Ballkanit Jugperëndimor, që vijon të mbetet e izoluar nga gjithë bota dhe nuk mund ta gëzoj ende as liberalizimin e vizave dhe përgjegjëse për të gjitha këto mbahen ish figurat kryesore të PDK-së dhe klanit Pronto, ndaj kësaj partie nuk i bënë aspak mirë, që të vazhdojë edhe më tej, të kryesohet nga figura si Enver Hoxhaj dhe kryesia e vjetër e inkriminuar, e cila pa në heshtje dhe miratoi me vetëdije, gjithë këto të këqija që gjatë qeverisjes së PDK-së, në dy dekadat e pasluftës i ndodhën Kosovës”, është shprehur me tej analisti.

Sa i përket kryetarit të ri të PDK-së, Qarri është i mendimit se zgjidhja e vetme e cila në këto momente, do ta shpëtonte nga shkërmoqja totale PDK-në do të ishte vetëm emërimi i zonjës Vlora Çitaku në krye të saj.

“Ndërsa kur flitet për Vlora Çitakun, ka një ndryshim të madh nga emrat e inkriminuar të kësaj partie, sepse pa marrë parasysh se ku ka gravituar dhe cilës parti i takonte, nga Kosovë deri në SHBA dhe sallat e Konferencave të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, ajo shkëlqen kudo dhe njihet si diplomatja më e pa korruptuar, e vendosur dhe shumë aktive, mbrojtësja më e dinjitetshme shtetit të Kosovës dhe personaliteti më i adhuruar politik dhe kombëtar, që aktualisht ka Kosova. Kështu që zgjidhja e vetme e cila në këto momente, do ta shpëtonte nga shkërmoqja totale PDK-në do të ishte vetëm emërimi i zonjës Vlora Çitaku në krye të saj, figurë që i bënë nderë cilësdo parti që do të kishte fatin të udhëhiqej prej saj, e veçanërisht PDK-së së degjeneruar dhe të rënë në shkallën më të ulët të vlerësimit, për shkak të së kaluarës së figurave të saj kryesore të inkriminuara, për veprimtarinë mbi dy dekada, korruptive e kriminale dhe mbajnë përgjegjësi kryesore, për sjelljen e Kosovës, në gjendje kaq të mjerueshme”, ka deklaruar ai.

Lidhur me kuorumin për Vjosa Osmanin, ai shprehet se deklaratat e zyrtarëve të PDK-së janë më tepër kalkulime politike.

“Kurse sa i takon asaj, se Hoxhaj në PDK, ka deklaruar që nuk do t’ia bëjnë kuorumin Osmanit për presidente, ndërsa Lushtaku, se do ta diskutojnë këtë çështje, deklaratat e tyre, janë më tepër kalkulime politike, për të mos thënë edhe moskoordinancë të kokave pretenduese për dominim në këtë parti, për të forcuar pozicionet e veta brenda partisë, të cilët pas debaklit në zgjedhje, janë hedhur në aksion, për përfitime sado të vogla politike dhe ngritjen e mundshme të imazhit të rrezuar për tokë, edhe në sytë e anëtarësisë së tyre”, ka shtuar njohësi i çështjeve politike”, ka theksuar Qarri.

Tutje, ai ka nënvizuar se ish-ambasadorja Vlora Çitaku është e vetmja që mund ta riorganizojë përbrenda, rritë imazhin nga jashtë dhe ringritë e udhëheqë me sukses PDK-në.

“Pra, në gjendjen në të cilën ndodhet aktualisht PDK, Lirak Çelaj me shumë të drejtë, kërkon që dikush të marrë përgjegjësi për rezultatin e zgjedhjeve dhe pasi që përveç debaklit të 14 shkurtit, kjo parti është kapur edhe nga individë aq të padenjë, si Enver Hoxhaj, të zgjidhet një kryesi nga votat e këshillit drejtues duke apostrofuar pikërisht Vlora Çitakun për kryetare. Kjo për vet faktin se Vlora si figurë vërtetë shumë emblematike e adhuruar dhe përkrahur nga shumica e qytetarëve të Kosovës, që gëzon respekt të madh edhe në diplomacinë dhe administratën shtetërore të SHBA-ve, është e vetmja që mund ta riorganizojë përbrenda, rritë imazhin nga jashtë dhe ri ngritë e udhëheqë me sukses këtë parti, duke e çliruar nga figurat e kriminalizuara, të cilat përmbi 21 vite kanë bërë namin, me korrupsion e krim të organizuar, duke e sjellë Kosovën në gjendje kaq të mjerueshme, me të cilët pas formimit të Qeverisë dhe institucioneve të reja shtetërore, pritet të merret vetëm ligji dhe drejtësia e reformuar”, ka nënvizuar analisti Gani Qarri, për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Përçarje në PDK, si pasojë e mungesës së liderit

Në anën tjetër, njohësi i politikës Islam Krasniqi, mendon se zgjedhjet e reja nuk janë në favor të Partisë Demokratike të Kosovës.

Krasniqi citon Gjykatën Kushtetuese dhe tregon se deputetët janë të obliguar të qëndrojnë sallën e Kuvendit ditën kur votohet presidenti.

Image
Islam Krasniqi

“Duhet të ngarkohen njerëzit me përgjegjësi për atë që ju ka besuar, dhe nëse Gjykata Kushtetuese më aktgjykimin e saj ka cituar së deputetët janë të obligueshëm të qëndrojnë sallën e Kuvendit ditën kur votohet presidenti, atëherë edhe deputetët duhet të qëndrojnë aty. PDK-ja e dinë mirë së zgjedhjet nuk janë në favor të tyre dhe së fjala e Lushtakut peshon me shumë së e Hoxhaj pasi që mbi 80 për qind e votave PDK-ja i ka nga zona e Lushtakut dhe se ai është një ndër njerëzit kryesor brenda PDK-së”, ka thënë Krasniqi, për “Bota sot”.

Sa i përket emrit të Vlora Çitakut për kryetare të PDK-së, ai deklaron se kjo parti ka brenda vetës kandidatë shumë më të mirë se ish-ambasadorja.

“Realisht kryesia e PDK-së është dashur të jep dorëheqje pasi që sovrani i ndëshkojë dhe ky ndëshkim erdhi pasi ishin pjesë e rrëzimit të qeveris në kohë pandemie, kur e tërë bota u mbyll dhe u bashkuan për të luftuar virusin partitë tona luftonin për pushtet duke mos ju interesuar gjendja e qytetarit. PDK-ja ka kandidatë shumë më të mirë se Vlora Çitaku, e cila si ambasadore e republikës së Kosovës në SHBA nuk ka sjell ndonjë rezultat për vendin tonë, nuk ka sjellë ndonjë njohje për shtetin tonë, e që besohet nga gjithë mandati i saj vetëm replikat me ministrin serb asgjë tjetër. PDK-ja, gjithashtu kjo përçarje vjen si pasojë e mungesës së liderit të saj i cili gjendet në Hagë dhe i cili vendos pothuajse vet për partinë”, është shprehur analisti Islam Krasniqi.

Duhanaj: Pozitë e vështirë edhe për PDK-në

Kurse, analisti tjetër Leon Duhanaj, për “Bota sot” ka thënë se çështja e zgjedhjes së presidentit/es, është çështje goxha delikate, pasi që pretendente është një kandidate e cila ka fituar goxha shumë përkrahje elektorale

Image
Leon Duhanaj

“Në anën tjetër, është kandidatja e cila edhe partive opozitare ua bën të vështirë mbështetjen karshi saj. Nga njëra anë, e ka LDK-në të cilën e ka dëmtuar aq shumë dhe, për mendimin tim jo aq me largimin e saj, sa me qëndrimin afër një vjeçare, duke sabotuar partinë nga brenda për interesa të Kurtit. Pastaj, janë disa situata në të cilat Vjosa Osmani, në rolin e UD së Presidentes, u soll me arrogancë ndaj të tjerëve duke mbajtur anë politike e besa edhe duke u shpërfaqur kërcënuese ndaj Valdete Dakës në KQZ, edhe pse pastaj zgjedhjet i pranoj si të mira. Në ketë kontekst, partitë opozitare, e kanë të vështirë për të marrë vendime karshi kësaj teme pasi që kandidatja akoma qëndron nën ombrellën Albin Kurtit, i cili nuk heziton me e shprehur arrogancën tashme edhe me numra duke i kërcënuar partitë, ose merre ose leje, ose na mbështesni ose shkojmë prapë në zgjedhje, thua t’i që ky posedon me të drejtën e votuesve të Kosovës”, ka thënë Duhanaj.

Në pozitë të pafavorshme, sipas Duhanajt është edhe Partia Demokratike e Kosovës, pasi sipas tij, çdo kohë e humbur është humbje e madhe për këtë parti.

“Është pozitë e vështirë edhe për PDK-në, jo për shkak të ndonjë frike nga qasja kërcënuese për zgjedhje sa si çështje morale karshi situatës dhe interesave të vendit, ku koha është ari dhe, çdo kohë e humbur është humbje e madhe për të. Deklaratat rreth çështjeve të brendshme mendoj që nuk duhet të shihen si problematike, ashtu siç mendoj që nuk duhet të jenë të ngutshme”, ka potencuar njohësi i çështjeve politike.

Ndërsa, për rezultatin e dobët në zgjedhje, analisti është i mendimit se kjo humbje nuk mund t’i adresohet askujt individualisht.

“Humbja në zgjedhje nuk mund t’i adresohet askujt individualisht, as ekipeve aktive në këto zgjedhje kolektivisht, sepse kanë dhënë me të mirën dhe me të mundshmen për ta menaxhuar ketë humbje e cila ka mundur të jetë edhe me e madhe. Pra, në këto zgjedhje kemi pas votë proteste, të akumuluar për kohë të gjatë dhe kush pretendon me e ba analiza rreth kësaj teme nuk guxon ta kufizojë në zgjedhjet e fundit, në mënyrë që analiza të jetë me frytdhënëse për të ardhmen”, tha ai.

Krejt në fund, analisti Duhanaj ka përmendur emrin e Vlora Çitakut, kuadro me potencial për t’i prirë partisë.

“Sido që të jetë, mendimi im është se Enver Hoxhaj, në pozitën e u.d së kryetarit të PDK-së është emëruar nga kryetari Veseli dhe si i tillë duhet të trajtohet. Se a ka kuadro me potencial për t’i prirë partisë, natyrisht që ka ndër to edhe Vlora Çitaku, megjithatë, mendoj që tek ndryshimet eventuale do të duhej të vinte vetëm pas një analize të thellë të situatës. Sepse një ndryshim pa analizë nuk mendoj që do të sillte edhe reformën e kërkuar. PDK nuk ka problem kadrovik, por e ka kohën që të zgjerohet në tema dhe ide të reja të cilat mund t’i arrij vetëm duke u zgjeruar dhe vetëm duke i analizuar dhe qëndruar së bashku”, ka thënë në fund, analisti politik, Leon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat