Përplasja e Agim Veliut me Gazmend Muhaxherin, veprimtari jep paralajmërimin e fortë për LDK-në

Politika

Përplasja e Agim Veliut me Gazmend Muhaxherin, veprimtari jep paralajmërimin e fortë për LDK-në

Nga: P.R Më: 26 mars 2021 Në ora: 22:43
Agim Veliu dhe Gazmend Muhaxheri

Humbja më e rëndë në historinë e saj në zgjedhjet e 14 shkurtit, bëri që Isa Mustafa të jap dorëheqje nga posti i kryetarit të LDK-së.

E në vend të Mustafës, LDK e zgjodhi kryetar Lumir Abdixhikun. E ky u fundit, në kryesinë e re nuk e përfshiu deputetin e kësaj partie, ish nënkryetarin Agim Veliu.

E sot një përplasje ka shpërthyer mes Agim Veliut dhe nënkryetari të rizgjedhur të LDK-së, njëherit edhe kryetar i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Ishte Muhaxheri ai cili tha se Agim Veliu u imponua për t’u bërë ministër dhe e dëmtoi partinë.

“Imponimi i zotit Veliu me gjithë atë energji negative për të qenë ministër dy herë i ka bërë dëm të madh partisë. E ka lëshua komunën dhe ka sjellë energji negative ku e kemi humbur Podujevën. Ia kam tërheq vërejtjen duke i thënë të mos krijojë kësi lloj momentumesh për partinë. Ai së pari është ndëshkuar në Podujevë pastaj edhe në zgjedhjet e përgjithshme. Ky është ai momentum negativ që ia krijon partisë duke menduar vetëm për vete”, deklaroi Gazmend Muhaxheri.

E menjëhershme ishte kundërpërgjigja e Agim Veliut.

“Po, sot këtu po marr shkas nga një paraqitje karikaturale, të mjerë të Gazmend Muhaxherit në një televizion mbrëmë. Mesazhet që ky njeri, i instaluar në LDK si një “kali i Trojës", u përpoq të ipte, ishin çdo gjë tjetër, pos mesazhe uniteti. LDK, me eksponent si soji i Gaz Muhaxherit, tashmë e ka bërë veten fajtore krysore për çdo dështim eventual të fituesit të zgjedhjeve për konstituimin e institucioneve, duke insisituar që, nga pozita e tretë e duke amnestuar të parin e të dytin, të bëhet adresa e vetme e fajsimit në rast të dështimit të zgjedhjes së Presidentit. Ky far Gazi i botës, shpërfaqi në mënyrë fëmijnore, gjithë prapaskenat dhe ndytësitë prapa zgjedhjeve të fundit në LDK, duke treguar se “fryma e re” në LDK dhe veprimi politik i saj, këtu e tutje, ndërtohet vetëm duke përjashtuar nga radhët e saj çdo anëtar të devotshëm dhe besnik të saj të cilin, sipas Gaz-it, “po e kritikojkan popullistët dhe perfaqësuesit e partive tjera politike, si dhe “kinezët e Facebook-ut””, shkroi ndër tjerash Agim Veliu.

E për përplasjen mes Muhaxherit dhe Veliut, për gazetën “Bota sot” ka folur veprimtari dhe ish kryetari i LDK-së në Zvicër, Haki Latifi.

Image
Haki Latifi

“LDK, tashmë ka krijuar një traditë të kultivimit maksimal të shprehjes së mendimit të lirë, por nuk është mirë kjo vlerë demokratike të keqpërdoret nga disa funksionar të saj dhe që vendimet e shumicës duhet të respektohen. Dihet se bazamenti i filozofisë së Presidentit Dr. Ibrahim Rugova është rregull elementar i demokracisë dhe tolerancës brenda LDK-së; që konsiston në unitet dhe solidarizim të brendshëm, nuk mund të zëvendësohen dhe arsyetohet me protagonizëm individual, inate, ego dhe sjellje populliste. Sepse mendoj se askush nuk përfiton në këtë situatë çfarë është LDK, përkundrazi i shkaktojnë plagë që vështirë mund të shërohen”, thotë Latifi për “Bota sot”.

Sipas tij, përplasja e Veliut me Muhaxherin shkon në dëm të LDK-së.

“Tash LDK e ka një kryesi dhe një kryetar të ri me organet drejtuese, dhe nuk ka nevojë që partitë e tjera apo opinionet e njerëzve në rrjete sociale, t'i tregojnë e sugjerojnë se si duhet të funksionoj. Atyre duhet thënë që, le ta luajnë lojën e demokracisë në oborrin e tyre. Njëherit zhvillimet dhe përplasjet e fundit në LDK mes z. Agim Veliut dhe z. Gazmend Muhaxherit, pa dyshim se i shkaktojnë dëme të dukshme partisë, që aktualisht drejtohet nga z. Abdixhiku”, thekson Latifi.

Sipas tij, funksionarët e LDK duhet t’i kontrollojnë inatet mes tyre, në mënyrë që kjo parti të mos dobësohet.

“Tani jemi në një situatë kur qoftë edhe formalisht, qoftë edhe për perceptim publik disa funksionar të nderuar të LDK-së, nuk e kontrollojnë dot inatin për ato që i ka bërë “vjehrra” dhe në rastin më të mirë, po i shkel syrin “mullixhiut” të pasur dhe plot pushtet. Por të futesh “pykë” brenda këtij fronti në kohën që kundërshtari politik VV bashkë me rival të tjerë e kanë shpallur përçarjen e si synim madhor të tyre që sa më shumë të dobësohet LDK si parti shtet formuese, ka diçka që nuk shkon”, shprehet Latifi për “Bota sot”.

Për fund, veprimtari Latifi bën thirrje për unitet brenda LDK-së, në mënyrë që ajo të rikthehet aty ku e ka vendin.

“Sepse anëtarësia e LDK-së dhe votuesit të saj besnik kërkojnë unitet në LDK në mënyrë që sa më shpejt ta merr vetën. Përndryshe janë të gjithë të dalë nga konaku i madh i Lidhjës Demokratike të Kosovës, ku gjithmonë kanë qenë në krye të “tryezës”. I pëlqen apo jo dikujt nuk perceptohet thjesht për “inat të „Vjehrrës”, por mbi të gjitha, “për hesap të “Mullixhiut“. Dhe këtë trajtim nuk e meriton LDK si parti me vlera të veçanta demokratike”, përfundon Haki Latifi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat