Agim Veliut dhe Gazmend Muhaxherit iu vjen ‘goditja’ e fortë, ky është alarmi për LDK-në

Politika

Agim Veliut dhe Gazmend Muhaxherit iu vjen ‘goditja’ e fortë, ky është alarmi për LDK-në

Nga: P.R Më: 27 mars 2021 Në ora: 20:16
Agim Veliu dhe Gazmend Muhaxheri

Një përplasje ka shpërthyer mes ish nënkryetari të LDK-së, tash deputet, Agim Veliut dhe nënkryetarit të rizgjedhur të LDK-së, njëherit edhe kryetar i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Gazmend Muhaxheri deklaroi se Agim Veliu u imponua Isa Mustafës për t’u bërë ministër gjatë formimit të qeverisë Kurti 1, dhe e dëmtoi partinë.

“Imponimi i zotit Veliu me gjithë atë energji negative për të qenë ministër dy herë i ka bërë dëm të madh partisë. E ka lëshua komunën dhe ka sjellë energji negative ku e kemi humbur Podujevën. Ia kam tërheq vërejtjen duke i thënë të mos krijojë kësi lloj momentumesh për partinë. Ai së pari është ndëshkuar në Podujevë pastaj edhe në zgjedhjet e përgjithshme. Ky është ai momentum negativ që ia krijon partisë duke menduar vetëm për vete”, deklaroi Gazmend Muhaxheri.

E përmes një postimi në facebook, Agim Veliu e quajti Muhaxherin si “Kali i Trojës” brenda LDK-së.

Image
Saim Tahiraj

“Po, sot këtu po marr shkas nga një paraqitje karikaturale, të mjerë të Gazmend Muhaxherit në një televizion mbrëmë. Mesazhet që ky njeri, i instaluar në LDK si një “kali i Trojës", u përpoq të ipte, ishin çdo gjë tjetër, pos mesazhe uniteti. LDK, me eksponent si soji i Gaz Muhaxherit, tashmë e ka bërë veten fajtore krysore për çdo dështim eventual të fituesit të zgjedhjeve për konstituimin e institucioneve, duke insisituar që, nga pozita e tretë e duke amnestuar të parin e të dytin, të bëhet adresa e vetme e fajsimit në rast të dështimit të zgjedhjes së Presidentit. Ky far Gazi i botës, shpërfaqi në mënyrë fëmijnore, gjithë prapaskenat dhe ndytësitë prapa zgjedhjeve të fundit në LDK, duke treguar se “fryma e re” në LDK dhe veprimi politik i saj, këtu e tutje, ndërtohet vetëm duke përjashtuar nga radhët e saj çdo anëtar të devotshëm dhe besnik të saj të cilin, sipas Gaz-it, “po e kritikojkan popullistët dhe perfaqësuesit e partive tjera politike, si dhe “kinezët e Facebook-ut””, shkroi ndër tjerash Agim Veliu.

E krejt këto përplasje, sipas Saim Tahirajt, veprimtar i hershëm i LDK-së dhe ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj, vijnë pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Deklaratat e z. Muhaxheri dhe z. Veliu të cilat bartin kritika të ndërsjella, janë si rezultat i gjendjes aktuale në LDK. Rezultati tejet i dobët i LDK-së në zgjedhjet e fundit është përgjegjësi kolektive e kryetarit dhe kryesisë qendrore të LDK-së, si dhe kryetarëve dhe kryesive të degëve dhe nëndegëve të LDK-së. Të gjithë duhet të marrin përgjegjësin që ju takon dhe të reflektojnë”, thotë Tahiraj për “Bota sot”.

Sipas tij, asnjëri nga kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë, nuk mund të krenohet me rezultatin e arritur me 14 shkurt, ku LDK doli subjekti i tretë më i votuar, më vetëm 12.67% të votave.

“Assesi nuk duhet të hedhin akuza dhe kundër akuza publike duke e akuzuar njeri-tjetrin për fajësi. Fajësia është kolektive dhe duhet të ndahet, ku secili ta merr pjesën që i takon dhe të japë dorëheqje nga pozitat që kishte. Mos dhënia llogari e secilit ka sjellë edhe situatën e tillë ku tani akuzojnë njeri-tjetrin. Sikur të ndodhte një analizë e mirëfilltë dhe secili të merrë përgjegjësin që i takonte, jam i sigurt që kjo nuk do të ndodhte tani. Askush në asnjë komunë nuk mundë të krenohet me rezultatin e dobët që kishte LDK, andaj secili kryetarë i degës së LDK-së nuk ka të drejtë ta akuzoj tjetrin, sepse të gjithë janë bashkëpërgjegjës. Këto deklarata me kritika të ndërsjella duhet të ndërpriten menjëherë sepse nuk i bëjnë nderë së pari atyre e pastaj edhe LDK-së”, thekson veprimtari Tahiraj.

Ai shton se në situatën aktuale ku LDK ka një gjendje jo stabile, përplasjet brenda partisë e dëmtojnë dhe thellojnë këtë jo stabilitet.

“Të gjithë të bashkuar duhet të organizohemi maksimalisht, të merremi me evidentimin e problemeve dhe të fillojmë me zgjedhjen e tyre urgjentisht. Kryetari dhe Kryesia Qendrore e LDK-së në vend që merren me problemet e shumta që ka LDK, humbin kohë duke u marrë me problemin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës. Ky nuk është problem i LDK-së por i atyre që i kanë fituar zgjedhjet. Athua e keni kuptuar ende realitetin se jeni partia e tretë ne vetëm 12%?”.

“Nuk jeni përgjegjës për zgjedhjen apo mos zgjedhjen e Presidenti të Kosovës, kthehuni ka përgjegjësit që ju takojnë në partin tuaj. Jeni partia e tretë opozitare dhe shfrytëzojeni këtë pozicion për zgjedhjen e problemeve të shumta që ka LDK-ja dhe rehabilitimin e sajë. Koha nuk pretë, sa më parë kthehuni te baza e juaj dhe dëgjoni mirë kërkesat e tyre, nga aty filloni se nuk do gaboni përsëri”, shprehet më tej Tahiraj.

Për fund, ai hedh edhe kritika për qasjen e LDK-së për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente.

“Deklaratat e pamatura të nënkryetarëve dhe sekretarit të LDK-së, në mbështetje të kandidates për Presidente nga VV-ja, janë në kundërshtim të plotë me vullnetin e anëtarësisë besnike të LDK-së. Kjo anëtarësi e votoi LDK-në dhe jo VV-në andaj larg kontrabandimit të votës së tyre. Kjo logjikë është vazhdimësi e pazareve të mëparshme të cilat e sollën LDK-në këtu ku është. Lëreni anash akuzat dhe kundër akuzat ndaj njeri-tjetrit, harroni pazaret jashtë vullnetit të anëtarësisë, merruni me problemet e shumta që ka LDK të cilat presin zgjidhje. Nëse vazhdoni me këtë logjikë nuk ka rikthim të madh, por përkundrazi humbja do jetë edhe më e thellë”, përfundon për “Bota sot”, Saim Tahiraj, veprimtar i hershëm i LDK-së dhe ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat