Vendimi i LDK-së/ Ja çka i obligon deputetët, ky është synimi i Lumir Abdixhikut

Politika

Vendimi i LDK-së/ Ja çka i obligon deputetët, ky është synimi i Lumir Abdixhikut

Nga: P.R Më: 30 mars 2021 Në ora: 21:11
Lumir Abdixhiku

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se kanë marrë vendim që partia që ai drejton, do të marrë pjesë në votim për presidentin e vendit.

“Pas një diskutimi të hapur, shterës me argumente e gjithëpërfshirës, të gjithë bashkërisht kemi marrë vendim që Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të bëjë obstruksione në zgjedhjen e presidentit të vendit, që LDK si gjithherë do të ushtrojë detyrimin e saj kushtetues dhe të marrë pjesë në votim për presidentin e vendit, pa paragjykuar votimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ky pra është vendim i Kryesisë i votuar me shumicë absolute të anëtarëve të saj. Këtë vendim ua kam komunikuar sot deputetëve të LDK-së. Pres që secili deputet të respektojë vullnetin kolektiv të shumicës , që secili deputet të mos pengoj kursin e ri të LDK-së. pres nga secili deputet të sillen si institucionalisht dhe të kapërcejnë vetën dhe çfarëdo hidhërimi që mund të kenë”, deklaroi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

E pas këtij vendimi, profesor, doktor Enver Bytyçi, për gazetën “Bota sot” thotë se Vjosa Osmani do të jetë presidente brenda kësaj jave.

Image
Enver Bytyçi

“Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka marrë sot vendimin që deputetët e kësaj partie të marrin pjesë në seancën e parlamentit në të cilën do të zgjidhjet presidenti/ja. Duket qartë se Vjosa Osmani do të jetë brenda kësaj jave në zyrën e presidentit të vendit dhe kësisoj Kosova do të kompletohet me ngritjen e institucioneve të shtetit”, thotë Bytyçi.

Ai shton se vendimi i sotëm, është dëshmi se LDK po shkëputet nga vendimet e dëmshme të gardës së vjetër, të cilët e udhëhoqën këtë parti për më shumë se 10 vite.

“Vendimi i kryesisë së LDK-së dëshmon lidership të saj. Lumir Abdixhiku dhe bashkëpunëtorët e tij dëshmuan se kanë vullnetin dhe dëshirën e padiskutueshme për t'u shkëputur nga marrëdhëniet e mëhershme të kësaj partie me politikën e vjetër të ndëshkuar tashmë nga vota e 14 shkurtit. Nëse do të merrej një vendim i njëjtë si ai që ka marrë PDK, atëherë do të vazhdonte në opinion perceptimi se "Asgjë nuk ka ndryshuar në LDK"! Njerëzit do të thoshin se Lidhja Demokratike edhe më tej do të jetë shtojcë e Hashim Thaçit dhe hashimëve të tjerë brenda Lidhjes Demokratike”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Ai shton se ky vendim i LDK-së, shënon rikthimin e saj.

“Vendimi në fjalë e obligon grupin parlamentar ta miratojë atë në bllok dhe jo, siç thotë Arben Gashi, se" nuk vendos kryesia, por grupi parlamentar nëse do të merret pjesë ose jo në seancën e zgjedhjes së presidentes, Vjosa Osmani"! Ky karshillëk i Arben Gashit ishte absurd, jo koherent, jo korrekt me qytetarët e Kosovës dhe votuesit për ndryshimin. Ndërkohë vendimi që është marrë e pranon ndryshimin në Kosovë dhe rrit jo vetëm përgjegjësinë, por edhe simpatinë e qytetarëve të Kosovës te Lidhja Demokratike . Ka nga ata njerëz në LDK, të cilët thonë se "ne elektorati nuk na ka votuar që të votojmë "tradhtaren" Vjosa Osmani"! Këta njerëz pa dije, pa kulturë, me inate, duan që ta mbajnë LDK-në me 15 e më pak se kaq deputetë”.

“Por Lumir Abdixhiku me këtë vendim ka vendosur që partinë që e drejton ta çojë përpara, ta bëjë më të fuqishme, duke ia shtuar asaj elektoratin. Elektorati parapëlqen përgjegjshmërinë, maturinë, angazhimin për shtetësinë dhe forcimin e institucioneve, pavarësisht se je opozitë apo mazhorancë në një sistem qeverisjeje. Ndalemi pak: Pse elektorati nuk e votoi Vetëvendosjen para katër ose pesë vitesh? Sepse Vetëvendosja nuk dëshmoi atëherë përgjegjshmëri ndaj institucioneve të vendit. Ndaj qytetarët e Kosovës pritën dhe e votuan atë kur panë se Vetëvendosja ka ndryshuar”, shton profesor Bytyçi.

Ai shton se ky vendim i kryesisë jep mesazhin se LDK ka nisur ndryshimin e saj.

“Të votosh ose marrësh pjesë në seancën votuese për presidentin e vendit nuk është dobësi, është përgjegjësi, është obligim ndaj shtetit. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një politikane që ka marrë mbi 300 mijë vota, gjysma prej të cilave janë vota të anëtarëve dhe simpatizantëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pse duhet që këta votues, të cilët mbështetën Vjosa Osmanin, të përbuzen nga partia në fjalë?!”, thekson Bytyçi.

Ai thotë se njëjtë si LDK, do të veprojë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“E dija se Lidhja Demokratike do të bëhej pjesë e zgjedhjes së presidentes së re, zonjës Osmani. Kam një lloj ndjesie se këtë vendim do ta marrë edhe AAK e Ramush Haradinajt. Zoti Haradinaj është i përgjegjshëm dhe nuk ia lejon vetës të bëhet destruktiv. Bashkëpunimi I tij me aktorët dhe faktorët politikë në interes të vendit është tashmë I dëshmuar në shumë raste të mëparshme. Nuk do të sillet ndryshe kësaj radhe. Ai dhe deputetët e tij do të jenë në sallë ditën që parlamenti do të zgjedhë zonjën Osmani si presidente të vendit. Është me shumë kuptim që të dy këto parti, LDK dhe AAK jo vetëm të marrin pjesë në seancën plenare në fjalë, por të lejojnë deputetët e tyre që të votojnë me vullnet të lirë. Nëse ndodh kjo, jam i bindur se Vjosa Osmani bëhet kryetare e shtetit me votat e 2/3 të parlamentit. Kjo do të jepte një sinjal të jashtëzakonshëm për miqtë dhe armiqtë e Kosovës”.

Për fund, profesor Bytyçi thotë se Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për harmoni, ekuilibër dhe unitet.

“Në Kosovë nuk mund të jenë përballë njëri-tjetrit deputetët dhe politikanët e vendit, por ata të gjithë duhet të bashkohen kundër projekteve serbe për ta copëtuar territorin ose për të defunksionalizuar shtetin dhe institucionet e tij. Kjo është sfida e Kosovës. Këtë duhet ta dëshmojë ajo me votën pro zgjedhjes së presidentes. Kam një lloj prirje të besoj se edhe ndonjë deputet i Partisë Demokratike do ta thyejë vendimin politik absurd të bojkotit të saj të seancës për zgjedhjen e presidentit/ës. Më duhet të besoj se përfundimisht Kosova e ka gjetur shtegun e përparimit të saj në xhunglën dhe mjegullën që ia përhapi politika e vjetër”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat