Cilat janë procedurat për zgjedhjen e presidentit dhe sa deputetë duhet t’i ketë?

Politika

Cilat janë procedurat për zgjedhjen e presidentit dhe sa deputetë duhet t’i ketë?

Nga: A.Z Më: 1 prill 2021 Në ora: 08:18
Presidenca

Vjosa Osmani deri më tani është kandidatja e vetme për pozitën më të lartë shtetërore. Ajo i ka votat e Vetëvendosjes, Listës së saj, komuniteteve jomushicë përpos Listës Serbe dhe mbështetjen e deputetëve të LDK-së, përpos katër prej tyre.

Por, cila është procedura që duhet të ndiqet në ditën kur të mbahet seanca për zgjedhjen e Presidentit?

Njohësi i kushtetutës, Mazllum Baraliu, ka thënë se përveç që Osmanit i duhen të paktën 61 vota, në raundin e tretë, duhet patjetër të ketë edhe një apo më shumë kundërkandidat.

“Mundet edhe qytetari, jo vetëm partitë politike u duhen të paktën 30 nënshkrime të deputetëve dhe deputetët duhet të jenë të tillë që nuk nënshkruajnë për një kandidat tjetër, por vetëm për atë kandidat”, shprehet ai.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike Hidajet Ahmeti, ka thënë se në bazë të rregullores, presidentin e zgjedh Kuvendi me votim të fshehtë dhe se për president mund të kandidojë secili shtetas i Kosovës, por vetëm nëse i siguron 30 deputetë.

Image
Hidajet Ahmeti

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës rregullon qartë procedurën për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, por edhe aktet tjera nënligjore. Rregullorja e punës së Kuvendit të Kosovës saktëson procedurën duke filluar nga neni 27 Zgjedhja e Presidentit të Kosovës 1. Presidentin e Republikës së Kosovës e zgjedh Kuvendi me votim të fshehtë. 2. Presidenti, në mandatin e ri, zgjidhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit. 13 3. Për President të Republikës së Kosovës mund të kandidohet secili shtetas i Republikës, nëse i siguron nënshkrimet e më së paku tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit”, theksoi ai.

Sipas tij, zgjedhja e presidentit bëhet nga dy të tretat e votave të deputetëve, por nëse nuk merr këto vota, atëherë zhvillohet votimi i tretë në mes dy kandidatëve.

Ndërsa, presidenti zgjidhet vetëm kur merr shumicën e votave, përndryshe Kuvendi shpërndahet.

“Deputeti mund të nënshkruhet vetëm për një kandidat për President. 4. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të Kuvendit. 5. Nëse asnjë kandidat nuk i merr dy të tretat (2/3) e votave në dy votimet e para, zhvillohet votimi i tretë mes dy kandidatëve, të cilët kanë marrë numrin më të madh të votave në votimin e dytë. Kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve në votimin e tretë, zgjidhet President i Republikës së Kosovës. 6. Nëse edhe në votimin e tretë asnjëri nga kandidatët nuk zgjidhet President i Republikës, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja për Kuvend mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditëve nga dita e shpërndarjes së Kuvendit”, ka deklaruar Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat