“Lajçaku nxiti Vuçiçin që të provokojë qytetarët e Kosovës”

Politika

“Lajçaku nxiti Vuçiçin që të provokojë qytetarët e Kosovës”

Nga: A.M. Më: 1 prill 2021 Në ora: 22:00
Miroslav Lajçak

Të Dërguarit Special për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak i është vazhduar mandati nga Këshilli i Bashkimit Evropian.

Ai do të jetë në krye të dialogut Kosovë-Serbi edhe për 17 muaj.

Për punën e tij që do ta zhvillojë përgjatë këtyre muajve, atij i janë ndarë edhe dy milionë e gjysmë euro.

Profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, e ka komentuar këtë vendim të Këshillit të Bashkimit Evropian.

“Është për keqardhje që Këshilli i Evropës përsëri ia ka vazhduar mandatin të Dërguarit  Special për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Mehazi ka potencuar se vazhdimi i mandatit të Lajçak-ut është në dobi të Serbisë.

“Vazhdimi i mandatit të Sllovakut është në dobi të Serbisë e në dëm te Kosovës, është ai që provokoi me hartën e tij të Kosovës brenda Serbisë, jo vetëm kaq, po ndoshta në bashkëpunim me elitën politike serbe një javë pas hartës serbomadhe të Lajçakut nxiti edhe Vuçiçin që të provokojë qytetarët e Kosovës me flamurin serb brenda Kosovës”, ka potencuar profesori për “Bota sot”.

Gjithashtu, Mehazi ka disa pyetje rreth vendimeve të Bashkimit Evropian.

“Të gjitha këto veprime të pamatura e provokuese të Lajçakut na detyrojnë që mos t'i zëmë besë këtij emisari evropian që vjen nga Sllovakia që se njeh Kosovën njësoj sikurse Serbia. Është për t'i mos i zënë besë edhe Këshillit Evropian, si është e mundur që gjatë dialogut Kosovë-Serbi të zgjidhen jo një po të dy përfaqësues, Lajçak e Borrel, nga shtetet që se njohin pavarësinë e Kosovës. Çfarë mund të presim prej këtij dialogu të padrejtë e të pabarabartë ndaj Kosovës, Kurti e qeveria e tij do jetë kundër tre shteteve që se kanë njohur Kosovën, Kurti gjatë dialogut cilin do duhej të bindte më parë për ta njohur Kosovën, Serbinë, Sllovakinë apo Spanjën. Prandaj, si e qysh qeveria e Kosovës duhet të mos pranojë që ndërmjetësues të dialogut të jenë Lajçaku e Borrelli, po emisarë të dialogut të jenë nga shtetet evropiane që e kanë njohur Republikën e Kosovës”, ka përfunduar Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat