Problemet e rënda, të cilat i lanë prapa Thaçi, Mustafa e Haradinaj, ja thirrja për opozitën – ky është kërcënimi serioz për Qeverinë Kurti

Politika

Problemet e rënda, të cilat i lanë prapa Thaçi, Mustafa e Haradinaj, ja thirrja për opozitën – ky është kërcënimi serioz për Qeverinë Kurti

Nga: N. H Më: 14 prill 2021 Në ora: 08:35
Qeveria e Kurti II

Përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila muajin e kaluar bëri disa ndryshime në strukturat e partisë, dy partitë tjera opozitare; Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po vazhdojnë të mos e bëjnë asnjë reforma të brendshme.

Përkundër insistimit të disa zyrtarëve të këtyre dy subjekteve, nuk duket se ka një këmbëngulje për dërgimin e këtyre proceseve përpara.

Problematike gjithashtu po konsiderohet edhe pozicioni jo i qartë dhe jo unik për tema e çështje të caktuara i opozitës aktuale. Analistët për këtë në vazhdimësi janë duke hedhur kritika në heshtjen dhe mosinsistimin e opozitës për hapjen e debateve të nxehta.

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, vlerëson se partitë opozitare duhet që sa më parë të reformohen, dhe të distancohen nga vendimet e kryetarëve dhe Kryesive të kaluara.

Qarri për “Bota sot”, shprehet se meqenëse populli i Kosovës më 14 shkurt të këtij viti, përfundimisht përcaktoi fituesit e zgjedhjeve dhe qoi në pensionim të merituar partitë e inkriminuara, duke u bërë shembull për demokracinë në Kosovë dhe rajon, partitë politike opozitare, nëse nuk duan të fundosen dhe shkërmoqen tërësisht në humbje, sipas analisti, duhet urgjentisht të reformohen dhe ndahen nga e kaluara e zymtë.

Image
Gani Qarri

“Duke pasur parasysh prapavijën katastrofale të kontrabandimit të marrëveshjeve jo vetëm të dëmshme por edhe kundër-kushtetuese si dhe shumë të rrezikshme me Serbinë, në kurriz të Kosovës nga kuislingu Hashim Thaçi dhe jugokomunisti Isa Mustafa, si asociacioni një-etnik i komunave serbe, kërkesa publike e Hashim Thaçit në Alpbach të Austrisë drejtuar edhe ndërkombëtarëve për ndihmë në ndarjen e Kosovës, falja e rreth 11mijë hektarëve tokë të vlershme të Kosovës, mbi 2500 hektar FYROM-it dhe mese 8300 hektar tjerë shtetit xhuxh të Malit të Zi, partitë opozitare duhet të reformohen tërësisht, dhe distancohen nga aktet antishtetërore e antikombëtare, të kryetarëve dhe kryesive të kaluara, nëse nuk duan ta provojnë shkërmoqjen totalitare”, ka thënë analisti Qarri, për gazetën “Bota sot”.

Ai mendon se problemet të cilat i lanë prapa ish-liderët e partive politike e kaba bërë tashmë shumë vështirë të tejkalohen këto problematika.

“Problemet e rënda, të cilat i lanë prapa Hashim Thaçi e Isa Mustafa, jo vetëm se janë shumë të mëdha e të rrezikshme, por edhe janë kthyer në kërcënim serioz për të tashmen dhe të ardhmen e shtetit dhe të popullit të Kosovës, me të cilat tani duhet të ballafaqohet Qeveria e re dhe qytetarët e pafajshëm të këtij vendi, të cilat është shumë vështirë të tejkalohen, pa pasoja, kështu që partitë opozitare, për të mirën e anëtarësisë dhe vet ekzistencës së tyre, duhet sa më shpejtë të reformohen dhe ndahen përfundimisht nga kryetarët e kryesitë e inkriminuara dhe e kaluara dyshimtë e tyre, me të cilat së shpejti, pritet të merret drejtësia e reformuar e Kosovës”, tha ai.

Ai ka potencuar se krerët aktual dhe ish-krerët e kryesitë e vjetra, që dikur ishin të inkriminuar, nuk është më e largët koha kur këta zyrtarë do të ulen në bankën e të akuzuarve.

“Të ulen në bankën e të akuzuarve, me akuzat për shitjen e interesave të vendit dhe tradhti të lartë shtetërore e kombëtare, që përveç marrëveshjeve të dëmshme me Serbinë, në kurriz të Kosovës, me vetëdije të plotë kanë keqpërdorur edhe pozitat e larta partiake dhe shtetërore për të rrezikuar rregullimin e brendshëm shtetëror, tkurrjen e kufijve të jashtëm, copëtimin e shtetit dhe rrezikimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës edhe mbi dy dekada pas çlirimit të saj nga okupimi serb”, shprehet analisti politik”, ka potencuar me tej Qarri.

Ai mendon se partitë opozitare duhet të distancohen nga veprimet kundërligjore dhe kundërkushtetuese të paraardhësve të tyre, të cilat, fatkeqësisht ende janë aktuale dhe vazhdojnë ta rrezikojnë hapur ekzistencën e shtetit të brishtë dhe të ardhmen e popullit të Kosovës.

“Kështu që, duke pasur parasysh faktin e keqpërdorimeve masive në mënyrë që edhe kryetarët dhe udhëheqësit e reja të partive opozitare, të mos shihen e konsiderohen si bashkëfajtorë dhe bashkë-përgjegjësimbajtës të bëmave të tyre makabre, duhet urgjentisht të reformohen dhe të mos thirren më kurrë në emër të ish liderëve të kriminalizuar, duke u ndarë sa më parë nga e kaluara dhe projektuar platforma të reja sa më atraktive politike, për të ardhmen e vendit, në dallim të plotë me aktet kuislinge të Thaçit & Co”.

“Vetëm në këtë mënyrë mund të rikthehej besimi i elektoratit të humbur e shmangej përfundimisht, përsëritja e veprimeve renegate dhe ndërpriteshin aktet e tjera mercenare, si pazaret me tokat dhe pasuritë e Kosovës, rrezikimi i rregullimit të brendshëm kushtetues, si dhe i kufijve dhe shtetësisë së saj, siç ndodhte në vazhdimësi në të kaluarën me kryetarët dhe kryesitë e inkriminuara, të cilat për pasojë izoluan edhe vendin nga e gjithë bota e civilizuar, duke e lënë gjendjen e mjeruar ku dhe jemi”, ka shpjeguar Qarri.

Krejt në fund, njohësi i çështjeve politike mendon se është koha që partitë politike të distancohen përfundimisht nga e kaluara politike, në mënyrë që sipas tij, edhe këto parti në të ardhmen të konsideron si parti që populli t’i pranojë sërish si parti për bashkërrugëtim.

“Asnjëra nga aktet e lartcekura makabre të Thaçit, Mustafës e Haradinajt me shokë, nuk janë vepra për t’u lavdëruar as rrugë e duhur, për të vazhduar me shembullin e tyre, por akte për t’u distancuar sa më parë nga to dhe autorët renegat, si dhe kërkuar falje gjithë popullit të Kosovës, për bëmat e turpshme të ish mercenarëve dhe premtuar publikisht se në asnjë rrethanë, kryetarët dhe kryesitë e reja, të partive opozitare, nuk do të përsëritin më gabimet e kryetarëve dhe kryesive të kriminalizuara, në mënyrë që populli i Kosovës, t’i konsiderojë sërish për parti të veta dhe pranojë bashkërrugëtimin me to, në të ardhmen”, tha në fund për “Bota sot”, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat