Zbulohen arsyet e protestës së PDK-së, ja cilëve politikanë po tentohet t’iu mbrohet pasuria e vjedhur

Politika

Zbulohen arsyet e protestës së PDK-së, ja cilëve politikanë po tentohet t’iu mbrohet pasuria e vjedhur

Nga: A.Morina Më: 20 prill 2021 Në ora: 16:23
Foto ilustrim

Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se do të përdorë të gjitha mjetet demokratike, përfshirë edhe protestat, për të kundërshtuar Qeverinë Kurti. Kështu kanë bërë me dije zyrtarë të PDK-së.

“Të gjitha mjetet që janë të lejueshme, përfshirë edhe protesta, është pjesë e jetës qytetare dhe reagimit qytetar. Si e tillë do të përdorim të gjitha mjetet për ta mbrojtur interesin qytetar. Sidomos kur cenohet sovraniteti, funksionimi i shtetit, demokracia dhe integriteti qytetarë ne do të jemi në ballë të mbrojtjes së tyre”, deklaroi zyrtari i PDK-ës, Betim Gjoshi.

Profesori universitar, Enver Bytyçi ka komentuar këto paralajmërime të PDK-së për protesta ndaj Qeverisë Kurti.

Sipas profesorit, për faktin se PDK ka qenë për një kohë në pushtet dhe nuk i ka përdorur protestat si mjet politik, tani dëshiron që ta përdor atë për ta rritur kapitalin e saj politik.

Image
Profesori universitar, Enver Bytyçi

“Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar protesta kundër qeverisë së zotit Kurti. Mesa duket, e mësuar në qeverisje gjithmonë, me një përjashtim kur Haradinaj ishte kryeministër për herë të parë, PDK nuk ka patur mundësi të përdorë mjetin politik të protestave dhe kërkon të mësojë se cila është përvoja e tyre! Dëshiron që me ngut të testojë nëse me protesta e rrit kapitalin e vet politik”, deklaroi ai.

Bytyçi tha se nuk sheh arsye për zhvillimin e protestave ndaj Qeverisë Kurti, pasi është një kohë shumë e shkurtër për të paragjykuar se në Kosovë ka kriza politike. Ai potencoi se PDK shkaku i mungesës së privilegjeve dhe pushtetit që ka pasur në të kaluarën, po tenton të organizojë protesta.

“Duke qenë e pamësuar me protesta dhe e privilegjuar me pushtet PDK ka ndërmend të ndërmarrë një aventurë. Sepse protestat zhvillohen me objekt të veçantë për një krizë të caktuar, për një vendimmarrje që prodhon autoritarizëm ose dëmton interesat kombëtare. Unë nuk e di nëse në kaq pak kohë qeveria e Kosovës ka prodhuar diçka të tillë. Nuk mendoj as unë as qytetarët e Kosovës se vendi është në krizë. Vendi përjeton pandeminë. Kjo është e përbotshme. Por nuk ndodhet në ndonjë krizë të mundshme”, theksoi ai.

Tutje, profesori u shpreh se PDK po bën protesta vetëm për të mbrojtur hajnitë e veta dhe pasuritë që ia ka grabitur Kosovës.

Madje, Bytyçi tha se disa anëtarë dhe mbështetës të PDK-së, refuzojnë të protestojnë pasuritë e Thaçit, Grabovcit apo Halitit.

“Në këto kushte nuk e di se cila është baza e kësaj proteste, çfarë arsyetimi ka dhe çfarë qëllimi kërkon të arrijë. Nëse bëhen protesta kundër ligjit të konfiskimit të pronave të paligjshme, atëherë duhet thënë se ato zhvillohen me këtë objekt. Njerëzit kuptojnë pse po bëhet protesta dhe gjykojnë nëse do e mbështesin atë ose jo. Por jam i bindur se nëse PDK bën protesta për të mbrojtur hajnitë e veta, pasuritë që ia ka grabitur Kosovës, atë nuk e mbështesin as anëtarët e kësaj partie, sepse shumica e këtyre anëtarëve turpërohen të protestojnë për të mbrojtur pasuritë e Thaçit, Grabovcit, apo Halitit!”, nënvizoi ai.

Profesori e vlerësoi protestën si një veprimtari politike të shenjët, ku kërkoi që para se të organizohet duhet ezauruara të gjitha etapat e opozitarizmit.

“Protesta është e shenjtë. Eshtë akti më sublim në veprimtarinë politike. Para se të bësh një protestë duhet të kesh ezauruar të gjitha etapat e opozitarizmit, që nga thirrjet në interpelanca e deri të ankimimet në gjykata e në gjykatën kushtetuese. Nëse dështojnë këto forma të opozitarizmit për të gjetur zgjidhje për çështje konkrete, atëherë mund t'i drejtohesh protestës. Duhet që para protestës, nëse ke objekt shkeljeje, të kërkosh krijimin e një komisioni parlamentar të përkohshëm e ta hetosh pretendimin që ke. Këtë nuk e ka bërë as PDK, as ndonjë parti tjetër opozitare parlamentare”, potencoi profesor Enver Bytyçi.

Në vazhdim, duke parë mënyrën se si PDK po tenton të bëj protestë, Bytyçi vlerësoi se kjo e fundit po kërkon me ngulm rrëzimin më dhunë të qeverisë, dhe jo për ndonjë çështje madhore e cila është në interes të shtetit.

“Të shkosh direkt te protesta duket sikur lufton me mullinjtë e erës, jo me qeverinë. Por nëse e gjykojmë organizimin e protestave në Kosovë në pikëpamje të interesit kombëtar, atëherë del se PDK kërkon rrëzimin me dhunë të një qeverie legjitime, plotësisht legjitime, por që nuk e preferon Aleksandër Vuçiq dhe qeveria serbe. Ka bërë Vetëvendosja protesta, por për çështje shumë madhore. Kur ka bërë protesta koti, ajo është kritikuar ashpër dhe ka humbur prestigj”, deklaroi ai.

Në fund, profesori e paralajmëroi PDK-në se me veprime të tilla po e humbin elektoratin të cilën e kishin në zgjedhjet e fundit. Ai tha se me këto veprime nuk po e tronditini qeverinë, por elektoratin e tyre.

“Këta të PDK-së më duket se dashkan t’i humbin dhe ato kredite që morën në zgjedhjet e fundit parlamentare të 6 shkurtit. Punë për ta. Një gjë është e sigurt: Qeverinë nuk e tronditin. Thjesht e pengojnë disi në punën e saj. Nuk do të kenë as përkrahje. Dhe, nëse bëjnë protesta të dhunshme atëherë le të porosisin një autobus, se u mjafton për të fut brenda tij gjithë elektoratin që do t'u mbetet!

Një shprehje e urtë e jona thotë se "Kurrë nuk ta bën i huaji, atë që ia bën vetit"! Por në PDK e paskan harruar këtë këshillë filozofike të popullit! Punë për ta!”, përfundoi profesor Enver Bytyçi, përcjell “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat