Reciprociteti ndaj Serbisë, i domosdoshëm dhe akt i patejkalueshëm

Politika

Reciprociteti ndaj Serbisë, i domosdoshëm dhe akt i patejkalueshëm

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 14 maj 2021 Në ora: 09:46
Ilustrim

Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurti gjatë fushatës ka thënë se do ta kthejë reciprocitetin me Serbinë. 

Të njëjtën gjë e ka thënë ditë më parë edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Sipas tij, Qeveria Kurti 2 do të vendosë masa të reciprocitetit me Serbinë, por se kjo do të bëhet pas një analize ekonomike duke e parë interesin e Kosovës dhe të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. 

“Reciprociteti do të jetë si masë karshi Serbisë për të vendosur një marrëdhënie normale me Serbinë, nuk mund të ketë marrëdhënie normale me Serbinë pa vendosur reciprocitet dhe një gjë e tillë është në synimin tonë dhe të Qeverisë e cila vendos me kohë. Reciprociteti do të ndodhë patjetër. Edhe ai ekonomik edhe tregtar edhe krejt. Nuk flas për parashikime, por në këtë pikë nuk do të ketë kompromis”, tha Aliu. 

Qarri: Reciprociteti me Serbinë është jo vetëm i domosdoshëm por edhe akt i patejkalueshëm  

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se, reciprociteti do të ishte vetëm një nga aktet fillestare për ndërprerjen e ndërhyrjeve brutale të Serbisë hegjemoniste në vendin tonë. 

Image
Gani Qarri

“Vazhdimi i ndërhyrjeve brutale të Serbisë hegjemoniste, tanimë jo vetëm në punët e brendshme të Kosovës, por edhe në tjetërsimin e strukturës së popullsisë në Veri të vendit me ndërtime të egra e pa lejen e organeve shtetërore të Kosovës, duke ngritur lagje të tëra me infrastrukturë komplete dhe komplekse pallatesh shumëkatëshe, mbi tokat tona, për të vendosur ardhacakët serb nga Bosnja e Kroacia dhe ndryshuar strukturën kombëtare të popullsisë në atë pjesë të vendit tonë, reciprociteti do të ishte vetëm një nga aktet fillestare për ndërprerjen e ndërhyrjeve brutale të Serbisë hegjemoniste në vendin tonë”, ka thënë Qarri. 

Sipas tij, me milionat që Serbia përfiton nga futja e mallrave të saj, pa asnjë taksë dhe kurrfarë pagesash doganore në Kosovë, ajo po bën ndërtime kolosale në veri. 

Ai shton se reciprociteti me Serbinë është jo vetëm i domosdoshëm por edhe akt i patejkalueshëm. 

“Madje me milionat që Serbia përfiton nga futja e mallrave të saj, pa asnjë taksë dhe kurrfarë pagesash doganore në Kosovë, ajo po bën ndërtime kolosale në veri, në mënyrë që para se të bëhet regjistrimi i njerëzve dhe pasurisë, ta tjetërsojë tërësisht atë pjesë, duke e populluar tërësisht me serb ardhacak, përderisa për shqiptarët çdo gjë vazhdon të mbetet e ndaluar, që nga kthimi në vatrat e veta shekullore e deri te ndalimi për rindërtimin e shtëpive të tyre, gjë që obligon Qeverinë e re të Kosovës, të ndërhyjë sa më shpejtë dhe rivendosë urgjentisht reciprocitetin me këtë shtet ish okupator, i cili as 21 vite pas lufte, nuk pushon ndërhyrjet brutale në vendin tonë. Kështu që reciprociteti me Serbinë është jo vetëm i domosdoshëm por edhe akt i patejkalueshëm, edhe për vet faktin se pikërisht me evazionin e saj të pashembullt ekonomik dhe përfitimet në shuma qindra milionëshe në vendin tonë, Serbia ndryshon në vazhdimësi strukturën etnike, ndërtimore dhe etnografike në Kosovë, duke krijuar fakte në terren, të cilat do të jenë shumë problematike edhe për zhvillimin e bisedimeve të ardhshme me këtë shtet okupator, në Bruksel”, deklaron Qarri. 

Më tej, Qarri thotë se pasi edhe ministri Aliu ka paralajmëruar një gjë të tillë, atëherë kjo duhet të bëhet pas një analize të detajuar nga ekspertët përkatës, për mbrojtjen e interesave të shtetit të Kosovës dhe kujdesit që të mos vështirësohet jetesa e bashkëkombësve tanë në qytetet e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës dhe të gjitha trevat e banuara me shqiptar në Kosovën Lindore. 

“Ndaj, për hir të mbrojtjes së Veriut të vendit, shëndetit të qytetarëve dhe interesit publik e shoqëror, si dhe vet integritetit territorial të Republikës së Kosovës, vendosja e reciprocitetit me Serbinë, është e patejkalueshme dhe duhet të hyj në fuqi sa më parë. Duke pasur parasysh faktin se me Serbinë nuk mund të krijohen marrëdhënie normale, pa vendosur reciprocitet, këtë e paralajmëroi edhe Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe të Infrastrukturës (MMPHI), Liburn Aliu, i cili deklaroi se pas një analize të detajuar, do të rivendoset reciprociteti me Serbinë, i hequr pa të drejtë dhe në mënyrë arbitrare nga Qeveria kundër kushtetuese e Avdullah Hotit, për interesat personale të bosëve të tij, Hashim Thaçi e Isa Mustafa. Kështu që pas një analize të detajuar nga ekspertët përkatës, për mbrojtjen e interesave të shtetit të Kosovës dhe kujdesit që të mos vështirësohet jetesa e bashkëkombësve tanë në qytetet e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës dhe të gjitha trevat e banuara me shqiptar në Kosovën Lindore, gjë që është edhe obligim dhe detyrë e Qeverisë dhe shtetit të Republikës së Kosovës, Kosova duhet menjëherë ta vendos reciprocitetin me Serbinë”, shprehet Qarri. 

Në fund, ai thotë se reciprociteti, jo vetëm që duhet të ndodhë sa më parë, por ai është i domosdoshëm dhe vendim i patejkalueshëm, një reciprocitet i gjithanshëm, që nga ai ekonomik, tregtar e bilateral, deri te tekstet mësimore dhe diplomat universitare, të cilat ende nuk lejohen nga Serbia, për bashkëkombësit tanë në territoret autoktone të Kosovës Lindore të banuara ndër shekuj me shqiptar. 

“Reciprocitet i cili nuk vije si hakmarrje por si masë e domosdoshme për përballimin e problemeve të pareshtura ekonomike dhe politike me Serbinë dhe si kusht për të vendosur marrëdhënie normale me këtë shtet ish okupator, pasi që për më tepër se njëzet vite ishte e pamundur çfarëdo forme e normalizimit të marrëdhënieve me këtë shtet agresor. E kjo shihet më së miri me ndërhyrjet e vazhdueshme të Serbisë, në punët e brendshme të Kosovës dhe veprimet brutale të saj me ndërtime të egra e pa lejen e strukturave tona shtetërore, të lagjeve komplete dhe pallateve mbi tokat tona, për të vendosur ardhacakët serb nga Bosnja e Kroacia të cilët mund të kenë bërë në vendet e tyre dhe krime lufte, në mënyrë që ta ndryshojë strukturën kombëtare të popullsisë në veri, para se të bëhet regjistrimi i njerëzve dhe pasurisë edhe në atë pjesë të vendit tonë. Pra reciprociteti, jo vetëm që duhet të ndodhë sa më parë, por ai është i domosdoshëm dhe vendim i patejkalueshëm, një reciprocitet i gjithanshëm, që nga ai ekonomik, tregtar e bilateral, deri te tekstet mësimore dhe diplomat universitare, të cilat ende nuk lejohen nga Serbia, për bashkëkombësit tanë në territoret autoktone të Kosovës Lindore të banuara ndër shekuj me shqiptar”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”. 

Krasniqi: Është parim kryesor reciprociteti në rregullimin e raporteve ndërmjet shteteve 

Edhe analisti Islam Krasniqi për “Bota sot” ka thënë se reciprociteti është parim kryesor për rregullimin e raporteve ndërmjet shteteve.

Image
Islam Krasniqi

“Është parim kryesor reciprociteti në rregullimin e raporteve ndërmjet shteteve dhe mungesa e masës së reciprocitetit e dobëson shtetin në raport me shtetin tjetër apo edhe në arenën ndërkombëtare. Reciprocitetit është dashur të praktikohet që nga fillim e jo pas 21 vite të vihet akoma në pikëpyetje të vendoset apo të mos vendoset reciprocitetit, kur e dimë së ky parim është masë e cila i normalizon edhe raportet ndërshtetërorë”, thotë Krasniqi. 

Ai i jep të drejtë edhe ministrit Aliu por thotë se duhet të shohim pasi që presioni është rritur nga BE-ja dhe SHBA-të, të cilët kundërshtojnë këtë parim pasi që ata duan një zgjidhje të shpejtë. 

“Ministri Aliu ka pasur shumë të drejtë, mirëpo të shohim se apo mundemi të praktikojnë pasi që në tani presioni është rritur nga BE-ja dhe SHBA-të të cilët kundërshtojnë këtë parim pasi që ata duan një zgjidhje të shpejtë. Mos të harrojmë së nuk mund të ketë marrëdhënie normale me Serbinë pa vendosur reciprocitet dhe një gjë e tillë duhet të jetë jetike në synimin për qeverinë tonë”, ka deklaruar Krasniqi për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat