Vazhdon “saga” për mos liberalizimin e vizave, kush është fajtori?

Politika

Vazhdon “saga” për mos liberalizimin e vizave, kush është fajtori?

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 5 qershor 2021 Në ora: 18:22
Foto ilustrim

Për vite më radhë, qytetarët i kanë “sytë” nga Bashkimi Evropian. Kjo për shkak mos liberalizimit të vizave të Kosovë. Shumë herë është festuar nga zyrtarët e Kosovës liberalizimi i vizave, por edhe pas 20 viteve të fundit një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Sipas Bashkimit të Evropian Kosova duhet t`i përmbush disa kritere, si lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por, Kosova po ka vështirësi në realizimin e këtyre kritereve.

Por, si duhet Kosova do të mbetet pa liberalizim për viza edhe në këtë vit. Indikacion është qëndrimi i fundit i shteti i Holandës. Ky shtet duke u bazuar në raportimin e Bashkimit Evropian, nuk janë të pajtimit që Kosova të ketë liberalizim të vizitave.

Sipas një deklarate të dhënë në mediet vendore, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës, Bo de Koning ka dhënë sqarim rreth kësaj çështje.

“Deri më tani, në Këshill ka përkrahje të pamjaftueshme për liberalizimin e vizave për Kosovën. Siç e dini, liberalizimi i vizave është një proces teknik, i cili drejtohet nga standardet që duhet t’i përmbushë një vend në mënyrë të qëndrueshme, para se Këshilli të marrë vendim për heqjen e vizave. Kur Komisioni Evropian së fundi raportoi për këtë çështje, shteti i Holandës arriti në përfundim se konkluzionet për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelin e lartë nuk ishin mjaft bindëse”, ka deklaruar Koning.

Halili: Kosova po punon në përmbushjen e kritereve

Image
Profesori Nijazi Halili

Profesori Nijazi Halili, në një prononcim për “Bota sot”, ka bërë një krahasim interesant për mos liberalizimin e vizave ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Qytetarët e Kosovës, kanë ngelur të ngujuar si një lloj i hardhucave në siujdhesën Vis të Kroacisë, që janë në zhdukje e sipër dhe ruhen si relikt nga shteti kroat”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ai më tej, ka theksuar se vendet e BE-së asnjëherë nuk ka dalë me qëndrimet të njëjta rreth çështjes së liberalizimit të vizave.

“Mirë dihet dhe jemi dëshmitar të kohës se Bashkimi Evropian asnjëherë nuk ka dalë me qëndrimet të njëjta, rreth çështjes së liberalizimit të vizave dhe mbështetjes ndërkombëtare, kur dihet se ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës edhe pesë shtet të këtij Unioni, andaj nuk çuditem me qëndrimet e shtetit të Holandës”, ka potencuar profesori për “Bota sot”.

Gjithashtu, Halili ka shtuar se institucionet e Kosovës janë duke punuar rreth përmbushjes së kritereve të vendosura nga Bashkimi Evropian.

“Andaj, nuk duhet të habitemi pse kështu sillen disa nga shtetet e BE, ndaj një vendi të izoluar mu në mesin e Evropës. Me bindje të thellë e them se vendi ynë apo shkurt institucionet e Kosovës, janë duke punuar mjaft dhe me një rigorozitet e të shtuar me të gjitha kapacitet rreth përmbushjes së këtij kriteri, luftimi i krimit dhe korrupsionet andaj, nuk e besoj se ka hapësirë për vërejte dhe sugjerime në ketë drejtim”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sipas Halilit, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës barra bie mbi BE dhe shteteve anëtare të saj.

“Andaj, pesha dhe barra i bie BE dhe anëtarëve të saj, që të dalin sa më parë me një qëndrim të përbashkët për heqjen e vizave dhe hapjen e një kapitulli të ri për qytetarët e Kosovës, të cilët kanë ngelur të ngujuar si një lloj i hardhucave në siujdhesën Vis të Kroacisë, të cilat janë në zhdukje e sipër dhe ruhen si relikt nga shteti kroat”, ka vlerësuar Njazi Halili për “Bota sot”.

“Peshqit e mëdhenj” nuk dalin para ligjit

Image
Opinionisti Adem Bytyçi

Ndërkaq, mendim të njëjtë nuk ka sikurse parafolësi opinionisti Adem Bytyçi. Ai për “Bota sot” shprehet se shteti i Holandës ka të drejtë, pasi nuk është luftuar sa duhet korrupsioni nga qeveritë që e kanë udhëhequr vendin.

“Holanda ka të drejtë kur thotë se akoma nuk është luftuar aq sa duhej korrupsioni, ani pse qeveritë e Kosovës me radhë pohojnë se i kanë plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim, madje këtë e ka pranuar edhe BE-ja”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Bytyçi ka shtuar se Holanda është në dijeni për aferat korruptive të cilat kanë ndodhur në vend, si në rastin e vjedhjes së thesarit të shtetit, ku asnjë zyrtarë nuk dha dorëheqje.

“Si mund të bindet Holanda se Kosova e ka luftuar korrupsionit, kur ky shtet është në dijeni se në Kosovë është vjedhur thesari shtetit, një akt ekstrem i korrupsionit i cili mund të ndodhë vetëm në një vend ku korrupsioni nuk luftohet, situatën e bën edhe më të rëndë kur Holanda sigurisht është informuar se për këtë skandal korruptiv nuk ka paraqitur dorëheqje as një funksionar politikë i qeveritar”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Sipas Bytyçi edhe shoqëria civile në Kosovës ka përsëritur disa herë se nuk janë proceduar para ligjit “peshqit e mëdhenj”.

“Edhe shoqëria civile të ne e përsërit në mënyrë konstante se nuk janë proceduar para ligjit peshqit e mëdhenj të cilët dyshohen të jenë bartësit kryesor të korrupsionit dhe krimit ekonomik të organizuar. Madje Gjykatat u kanë shqiptuar dënime shumë të lehta politikanëve të akuzuar për korrupsion, kryesisht dënime me kusht, në vend që të dënoheshin me dënim me burg efektiv”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Në fund, Bytyçi shpreson se Qeveria e Kosovës, e cila udhëheqtë nga Kurti do të jetë më e ashpër në luftën me korrupsionin.

“Shpresohet se qeveria Kurti do ta luftojë korrupsionin me ashpërsinë më të madhe, ndonëse luftimi i korrupsionit nuk ka të bëjë vetëm me liberalizimin e vizave, por është interes imediat kombëtar dhe shtetëror i Kosovës”, ka përfunduar Adem Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat