Liberalizimi i vizave, si të veprojë Kosova për të bindur Francën dhe shtetet që janë kundër

Politika

Liberalizimi i vizave, si të veprojë Kosova për të bindur Francën dhe shtetet që janë kundër

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 26 qershor 2021 Në ora: 20:02
Emmanuel Macron dhe Albin Kurti

Presidenti francez Emmanuel Macron e ka pritur në një takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pas këtij takimi Kurti ka treguar se çka është biseduar gjatë takimit, derisa ka thënë se njëra ndër temat ka qenë edhe liberalizimi i vizave.

“Sigurisht që qytetarët e Kosovës janë të interesuar për liberalizimin e vizave, është e padrejtë që Kosova pas plotësimit të kritereve ende nuk e ka të hequr liberalizimin e vizave. Kjo çështje është trajtuar, unë jam i bindur që ata e kanë marrë mesazhin tonë, por nuk ka zotim për heqje të vizave”, ka thënë Kurti.

Kurti tha se nga presidenti Macron nuk ka marrë ndonjë premtim për liberalizim të vizave, por që shtoi se Kosova duhet të fokusohet në luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Sigurisht që qytetarët e Republikës së Kosovës janë të interesuar për liberalizimin e vizave dhe është e padrejtë që Kosova pas plotësimit të të gjitha kritereve ende nuk e ka të hequr regjimin e vizave. Më 18 korrik të këtij viti bëhen tri vjet prej që Komisioni Evropian ka thënë që Kosovës duhet t’i hiqet regjimi i vizave. Në vizitën tonë kjo çështje është trajtuar. Unë jam i bindur që ata e kanë marr mesazhin tonë, mirëpo nuk ka zotim nga ana e tyre që të ketë heqje të regjimit të vizave. Kishim edhe një takim paraprakë ndërmjet ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla dhe homologut të tij francez i cili u përqendrua në aspektet teknike të sundimit të ligjit. Gjatë këtyre muajve ne kemi luftuar edhe korrupsionin edhe krimin e organizuar”, tha ai.

Kryeministri bëri të ditur se nga Franca nuk ka marrë përkrahje për liberalizimin e vizave.

E lidhur me këtë, kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike për gazetën “Bota sot”.

Image
Rexhep Shahu

“Kurti me fjalime në stilin e Ramës”

Lidhur me këtë, analisti Rexhep Shahu, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se refuzimi nga Franca është vetëm vlerësim i tyre ndaj Kurtit.

Sipas Shahut, Kurti tani është duke mbajtur fjalime në stilin e Ramës, duke menduar se po e mahnit Evropën.

“Vizita e Kurtit në Paris mund të vlerësohet nga cilido dhe gjithkush i ve një notë. Por refuzimi i Francës për liberalizimin e vizave për Kosovën është vlerësimi i Francës për z. Kurti. Çdo vlerësim tjetër është këngë e valle, çdo vlerësim tjetër është pallavra. Z. Kurti në stilin e Edi Ramës mban fjalime retorikë dhe mendon se po e mahnit Evropën me fjalimet dhe oratorinë e tij. Evropa nuk është fjalime, nuk është fjalë. Evropa është ligj e standarde, nuk është shtet partiak e shtet fisesh, punësim fisesh e baxhanakësh. Ky është vlerësimi francez për z. Kurti”, tha ai.

Image
Faton Mehmeti

“Liberalizimi bëhet vetëm me punë”

Ndërsa, analisti Faton Mehmeti, ka thënë se tani vetëm se janë të qarta arsyet se pse Franca është kundër liberalizimit, pra janë korrupsioni dhe drejtësia dhe sipas tij, liberalizimi bëhet vetëm nëse punohet në këto aspekte.

Ai potencoi tutje se Kurti dhe Osmani duhet ta kërkojnë këtë dhe të fillojnë të punojnë për këto kërkesa, sepse përndryshe do të mbetemi ku jemi.

“Tanimë ka shumë kohë që Franca ka shprehur qëndrimin e saj kundër liberalizimit të vizave për Kosovën, duke renditur arsyet: korrupsioni dhe mungesa e pavarësisë së drejtësisë. Derisa nuk punohet fort në këto dy aspekte, Franca dhe Gjermania nuk lëvizin nga qëndrimi kundër. Faktikisht, qeveria duhet të punojë në këto drejtime, liberalizimi nuk bëhet me "lyp" por me punë, me veprime. Është e natyrshme dhe e drejtë që Kurti dhe zonja Osmani të kërkojnë këtë gjë, mirëpo pa u realizuar dy kërkesat e lartcekura nuk do të ketë liberalizim. Besoj dhe dua të besoj se qeveria e ka kuptuar tanimë këtë gjë dhe do të fillojë pa humbur kohë që të punojë në këtë drejtim, vetëm kështu mund të kemi mbështetjen e Francës dhe Gjermanisë, ndryshe do të ngelim këtu ku jemi”, ka përfunduar Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Image
Blerim Burjani

“I vështirë liberalizimi në këto rrethana”

Kurse, juristi Blerim Burjani, ka potencuar se për këtë duhet punuar me Francë dhe Holandën, për të gjetur dhe përmirësuar arsyet që po e pengojnë liberalizimin e vizave.

Burjani thotë se BE duhet të trajtojë njëjtë Kosovën, po ashtu edhe Ballkani Perëndimor.

“Pozitive gjithsesi, duhet më shumë të punohet me disa shtete si Francën dhe Holandën dhe disa të tjera për të gjetur arsyet e tyre dhe përmirësuar në mënyrë që të lirohet rruga apo pengesa që një kohë të gjatë pengohet Kosova për liberalizim të vizave. Tash ende nuk dihen arsyet e plota të pengesave dhe pengut për liberalizim. Kosova ka nevojë për liberalizim, BE ka nevojë të trajtojë njëjtë edhe Kosovën, por sikur edhe Ballkanin Perëndimor, trajtim i barabartë dhe jo diskrimunes. Pra, duhet të ketë lëvizje përpara në këtë drejtim”, tha ai.

Juristi kërkon që arsyet të jenë konkrete në mënyrë që të përmirësohen. Sipas Burjanit, është e vështirë të arrihet liberalizimi në këto rrethana të konfrontimit në mes kryeministrit me BE-në dhe SHBA-të.

“Arsyet dhe motivet nëse ekzistojnë duhet të jenë publike dhe të bindshme, jo vetëm të thuhen por edhe të jenë konkrete për t’i përmirësuar ato. Të jem i sinqertë, shumë pak kam shpresë se kjo do të ndodhë, pra liberalizimi në këto rrethana konfrontimi në këto rrethana, konfrontimi që kanë filluar të kryeministrit me BE dhe SHBA e kam përshtypjen se do të mbizotërojë plotësisht një stagnim i madh edhe për një kohë të gjatë me këtë qasje të politikës së Kosovës, nëse kjo quhet politik çfarë po bëhet për momentin”, shtoi Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat