Skenari i Serbisë, ja çfarë fshihet pas kërcënimeve të tyre

Politika

Skenari i Serbisë, ja çfarë fshihet pas kërcënimeve të tyre

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 29 qershor 2021 Në ora: 19:05
Foto ilustrim “Bota sot”

Kryetari i Kuvendit të Serbisë Daçiq, ka deklaruar se “Serbia nuk ka sovranitet të plotë në Prishtinë, por njëjtë Prishtina nuk ka sovranitet të plotë në veriun e Kosovës” dhe atë gjendje “vetëm lufta mund ta ndryshojë”.

“Për të ndryshuar gjendjen në njërin apo drejtimin tjetër, bie fjala që Beogradi të vendos sovranitet mbi Prishtinën, apo që Prishtina të ketë sovranitet në veri ku jetojnë serbët që nuk pranojnë pavarësinë e shtetit, kjo mund të ndodhë vetëm me luftë”, tha Daçiq, duke shtuar se që kjo mos të ndodhë, mos të ketë luftë zgjidhja e vetme reale është zgjidhja paqësore politike e bazuar në kompromis.

Por, pse duhet të ketë vazhdimisht kërcënime nga Serbia, sidomos tani kur ka filluar dialogu në Bruksel dhe takimi i radhës do të mbahet me 25 korrik?

Lidhur me deklaratën e tij, për “Bota sot”, kanë folur ekspertë të sigurisë.

Kërcënimet e Daçiqit janë kërcënime boshe

Lidhur me këtë, eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se situata e tanishme dallon nga e kaluara, sepse në atëkohë Serbia i kishte detyruar shtetasit e Kosovës të veprojnë në dobi të shtetit Serbë, të cilët ia arritën që mos të përdorej titulli Republika e Kosovës, madje duke e zëvendësuar me fusnotë.

Image
Hajrullah Tërnava

“Tani në zhvillim e sipër janë bisedat mes Serbisë dhe Kosovës të cilat biseda po i ndërmjetësojnë ndërkombëtarët, por kjo situatë dallon nga ato të mëhershmet kur i filluan ish politikanë kosovar, ato bisedat teknike që nga viti 2011 e deri në vitin 2020, e që ato biseda i përngjanin lojërave të fëmijëve, sepse Serbia me taktikat që i përdorte, ndaj atyre udhëheqësve të Kosovës, të asaj kohe që Serbia i kishte detyruar që përfaqësuesit kosovar të veprojnë në dobi të shtetit Serbë, nga arsyet që vetëm ata i dinë, e dihen kush ishin përfaqësuesit kosovar deri në vitin 2020, që bisedonin në emër të Kosovës, dhe në të vërtetë në këtë aspekt ia arritën që ta devalvojnë edhe pavarësinë e Kosovës, deri në atë masë sa që ua imponuan kosovarëve që askund mos ta përdorin titullin Republika e Kosovës, e duke e zëvendësuar këtë me fusnotën që ua imponoi përfaqësuesve të Kosovës dhe me këtë ditë e përditë, në këtë mënyrë u devalvonte edhe shtetësia e Kosovës, Serbia me politikat e saj zhvillonte luftëra speciale tek shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe ndikonte që mos ta njohin pavarësinë e saj, bile ndikonte dhe i bindi rreth 15 shtete që ta tërhiqnin edhe njohjen e mëparshme që e kanë bërë”, është shprehur ai.

Sipas tij, edhe tani Daçiq udhëheqë luftë speciale, madje deklarimet e tij sipas Tërnavës janë boshe, por që e ka të qartë se pavarësia e Kosovës është e njohur mbi 115 shtete.

Ai shtoi se qëllimet e Daçiq janë që të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet, por që prapë i ka të freskëta bombardimet dhe kur NATO dhe Amerika e detyruan të bëjë kompromis me marrëveshjen e Kumanovës, e cila është vendim fuqiplotë dhe pra kjo do të thotë se nëse Serbia tenton të sulmojë Kosovën, do të bie në sovranitetin e saj.

“Prandaj edhe sot e tërë kohën tentojnë të përdorin po të njëjtat taktika për zhbërjen e shtetësisë tonë dhe bëjnë çmos të ndikojnë të mos anëtarësohen në institucionet ndërkombëtare si në UNESCO, INTERPOL etj, prandaj edhe sot nga pozita e tij e Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq udhëheqë lufta speciale sikur që deklarohet se Kosova nuk ka sovranitet të plot në veri, e në të kundërtën, Kosova po ia shtron pyetjen Daçiqit: urdhëroni ju pra e hyni në Kosovë në atë pjesën veriore që po llogaritni që se kemi mbikëqyrjen e saj e provoni si do të ndaheni me një tentim të tillë? Ato kërcënime të Daçiqit dhe të tjerëve janë kërcënime boshe sepse plot delegacione serbe po tentojnë të hyjnë në Kosovë, por nëse nuk i kanë respektuar procedurat ligjore të hyrjeve në Kosovë, po iu kthehen mbrapsht ato grupe, delegacione, alpinistë e të tjerë. Daçiqi e ka të qartë se Kosova është shtet i pavarur dhe i njohur mbi 115 shtete të botës dhe atë pavarësi e ka të konfirmuar nga GJND dhe arsyen e pavarësisë së saj. Prandaj, krejt çfarë flet Daçiqi dhe pushtetarët e tyre, e bëjnë për qëllimet e njohura të tyre që të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet, përndryshe ai e ka të freskët edhe bombardimet e viteve 1999, kur Amerika me NATO-n, e detyruan Serbinë ta bëjë kompromisin me nënshkrimin e kapitullimit të saj me marrëveshjen e Kumanovës duke u tërhequr me ushtrinë e saj dhe policinë në tërësi nga Kosova, që nga ajo kohë e pafundimisht ai vendim është fuqiplotë dhe nëse edhe njëherë Serbia tenton ta sulmojë ndonjë pjesë të Kosovës qoftë edhe veriun e sajë, tani Serbia do ta bie në pikëpyetje sovranitetin e saj, sepse shtetet e forta që morën pjesë në ato bombardime e kanë garantues sovranitetin e Kosovës”, ka theksuar më tej Tërnava.

Eksperti i sigurisë po ashtu ka thënë se Serbia tani është edhe në panik sepse Kosova ka ushtrinë dhe policinë moderne. Tërnava thotë se tani në kryet të shtetit u përcaktua LVV dhe Lista Guxo, si më të shkolluarit duke lënë edhe përshtypje pozitive, madje duke u lënë ndërkombëtarëve edhe kërkesa të qarta.

“Kosova tani e ka ushtrinë e saj mjaft moderne dhe policinë edhe për këtë qëllim tani Serbia është në panik. Për këtë qëllim bota është në rrjedha dhe po kontribuojnë që të hiqen dilemat e asaj se e kujt është pjesa e veriut, që ajo pjesë ka qenë e qartë qysh me Kushtetutën e Jugosllavisë të vitit 1974, prandaj me të madhe po ndërmjetësojnë BE por edhe Amerikën, që të ndodhin njohjet reciproke dhe të filloj ringjallja e të gjitha shteteve të Ballkanit me anëtarësim të plotë në BE. Duke i falëndëruar elektoratin kosovar që në zgjedhjet e fundit në krye të shtetit u përcaktua dhe ia dhanë votat mbi 50% LVV dhe Listës Guxo, si politikanët ma të besueshëm dhe ma të pastër para ligjit deri më tani, dhe si të shkolluar që edhe me kontakte me përfaqësuesit ndërkombëtar po i lënë përshtypje shumë pozitive, dhe me sjelljet e tyre pa tekst po i lajnë bashkëbiseduesit ndërkombëtar, me kërkesat e qarta që po iu parashtrojnë ndërkombëtarëve”, shtoi ai.

Më tej, ai ka potencuar edhe tani edhe Amerika dhe BE, janë në dijeni se prapë janë duke e udhëhequr Serbinë ata që nxisnin luftën, pra Vuçiq dhe Daçiq. Madje sipas Tërnavës, ky fakt është për tu çuditur se si këta po e udhëheqin vendin ende.

“Tani e përditë sa për sqarim Amerika me shtetet e BE po e dinë dhe e kanë të qartë se po ato kuadro serbe të luftënxitjeve dhe luftërave të shtetit të Serbisë, të atyre viteve të 90, në Ballkan që i kanë bërë, edhe sot janë duke udhëhequr shtetin e Serbisë, sikur që është Kryetari Serbisë Vuçiq që në kohën e qeverisjes së Millosheviqit ishte Ministër, po ashtu edhe Daçiq ishte po në atë qeveri të tij në poste të larta, prandaj edhe për ta po përflitet dhe ditë e për ditë po shtrohet kjo pyetje se si ata që i bënë luftërat invazive në disa lufta që i bënë nga vitet e 90, edhe sot po e udhëheqin shtetin e Serbisë po me ato politika luftënxitëse që vetëm ato regjime dijë të bëjnë. Prandaj edhe për regjionin është një kohë e përshtatshme që gjërat në përgjithësi të ndryshohen e sidomos edhe për Serbinë, sepse ata njerëz që i kanë bërë gjitha ato lufta po e qeverisin shtetin e tyre edhe më tutje, kjo është për tu habitur edhe me ndërkombëtarët se si po e lejojnë në vazhdimësi të udhëhiqet ky shtete nga ata, kur dihet se ku ka pasur luftëra në të kaluarën gjithsesi ato regjime i kanë takuar njëherë e përgjithmonë të kaluarës. Fati i Kosovës është që në krye të shtetit të Amerikës është një njeri mik i Kosovës, që këtë mirë po e di edhe Serbia, prandaj ne kemi arsye të jemi stabil dhe të qëndrueshëm”, përfundoi Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.

Deklarata e tillë për të prodhuar reagime nga serbët në veri

Ndërsa, eksperti i sigurisë Drizan Shala, ka theksuar se deklarata të tilla ka pasur gjithmonë dhe bëhen atëherë kur politika e Serbisë është në dështim.

Ai shton se qëllimi i kësaj deklarate është të bëjë që të reagojnë serbët e veriut me qëllim të trazirave.

Sipas Shalës po në këtë pjesë nuk ka pasur ende një vizion se si t’i qaset problemit dhe kështu duke u mundësuar që kriminaliteti të jetë në rritje.

Image
Drizan Shala

“Deklarimet e tilla nga kryetari i kuvendit të Serbisë nuk janë të panjohura për opinionin publik qoftë në Serbi apo edhe në Kosovë, arsyeja qëndron që këto thirrje nacionaliste gjithmonë janë shpërfaqur atëherë ku proceset politike të brendshme apo të jashtme të Serbisq janë në dështim e sipër. Një reagim i tillë nga Iviça shpërfaqë ambiciet për të krijuar atmosferë parapolitike e cila mund të prodhojë reagime nga grupet kriminale shtetërore të Serbisë që qëndrojnë në veri të vendit për të rritur potencialin për trazira në atë pjesë. Është faktike që pjesa veriore e Kosovës ka mbetur në një situate të pandryshuar që nga 99 e këndej me disa ndryshime sipërfaqësore sa i përket shtrirjes, kontrollimit të autoritetit shtetërore të Kosovës në tri komuna në atë pjesë. Sepse në mungesë të vullnetit politik apo “gërshetim” të pikëpamjeve të cilat lidhen me procesin e dialogut në Bruksel, qeveritë deri më tani nuk kanë pasur një vizion se si t’i qaset me problemin në atë pjesë dhe kështu duke ju mundësuar që në atë pjesë të ketë shtim të aktiviteteve kriminale të suportuara nga Beogradi zyrtar”, ka deklaruar Drizan Shala për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat