Hezitimi për tu vaksinuar, a duhet të obligohet me ligj marrja e vaksinës për qytetarët e Kosovës?

Politika

Hezitimi për tu vaksinuar, a duhet të obligohet me ligj marrja e vaksinës për qytetarët e Kosovës?

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 13 korrik 2021 Në ora: 10:46
Foto Ilustrim

Rreth 56% e popullatës po hezitojnë ta marrin vaksinën anti-COVID, sipas një testi publik.

Këtë e ka bërë të ditur deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.

Ai thotë se injektimi kundër COVID-19 duhet të bëhet obligues, derisa për ata që refuzojnë thotë se dënimet mund të parashihen me ligj.

Dreshaj ka thënë se menaxhimi i pandemisë nuk nënkupton vetëm vaksinim, pasi që në Kosovë, sipas tij, ende nuk ka ndodhur as vaksinimi masiv.

Por, a duhet të bëhet obligues marrja e vaksinës për qytetarët e Kosovës?

“Ndikues në këtë është procesi i ulët i vaksinimit”

Image
Bekim Haxhiu

 

Lidhur me këtë, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili është dhe anëtar i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, në një prononcim për “Bota sot”, ka treguar arsyet që kanë ndikuar në hezitimin e qytetarëve për tu vaksinuar, derisa ka thënë se Qeveria nuk ka arritur të sigurojë vaksina.

“Duke qenë vendi me vaksinimin me të ulët në Evropë, kjo gjendje nuk ka ardhur si mungesë e mos informimit, por për shkak se nuk ka pasuar vaksina të siguruara nga Qeveria e Kosovës. Procesi i ulët i vaksinimit ka ndikuar në ulje të besimit të popullatës në proces të vaksinimit dhe hezitim për tu vaksinuar”, ka potencuar ai.

“Vaksinat janë vullnetare”

Image
Blerim Burjani

 

Ndërsa, juristi Blerim Burjani, ka thënë se vaksinat nuk mund të bëhen obligative, madje sipas tij, është e mjaftueshme 70% që të jenë të vaksinuar.

Ai thotë se ajo që po ndikon për mos vaksinim është edhe ulja e numrit e të prekurve nga Covid, si dhe ndikimet anësore që mund t’i kenë.

“Gjithmonë vaksinat janë vullnetare, obligative nuk mundesh t’i bësh, sepse kjo varet nga personi, prandaj edhe në vaksinat e dikurshme ka pasur shumë qytetarë të Kosovës që nuk i kanë marrë. Pra, mjafton 70% të vaksinohen në baza vullnetare, sidomos grupet e rrezikuara, mosha e vjetër dhe personat me sëmundje kronike, tash edhe duke parë trendin e vogël të të sëmurëve me Covid, i cili është reduktuar gati plotësisht në Kosovë edhe më gjerë është edhe më e vështirë për t’i bindur për nevojë për vaksinim, pra edhe kjo është arsye e hezitimit për shkak rëndësisë së madhe dhe frikës së ndikimeve anësore që jo rrallë raportohen negativisht. Dreshaj e ka thënë sikur shtete që janë parë ta bligojnë vaksinim edhe ata e dinë se dështojnë, se nëpër shtëpi me polici nuk vaksinohen, nuk është vetëm me thënë obligim, por çka nëse nuk përfillet nuk mendoj që vaksinimi të jetë obligim”, ka përfunduar ai për “Bota sot”.

“Organet kompetente të merren me këtë çështje”

Image
Muhamet Kelmendi

 

Kurse, juristi dhe profesori Muhamet Kelmendi, mendon se nuk mund të bëhet obligative me ligj marrja e vaksinës, sepse shkaqet e hezitimit për vaksina janë të ndryshme.

Ai thotë se organet kompetente duhet të merren me këtë çështje, por jo të ketë ligj obligativ, sepse atëherë do të jetë ndërhyrje në të drejtë për jetë.

“Çështja e vaksinimi nuk është dhe në asnjë vend nuk mund të behet obligim ligjor. Kudo kemi hezitime kundër vaksinimit, shkaqet janë të ndryshme. Mendohet në çështjen e humbjes së imunitetit dhe të sulmeve në zemër dhe në kokë, ka raste edhe kur kemi grimca në gjak. Por, pavarësisht këtyre rreziqeve, vaksinimi është obligim moral dhe mbetet i tillë, kështu edhe duhet trajtuar. Natyrisht se i takon organeve kompetente të merren me çështjen e tillë në drejtim të intensifikimit të informacionit mbi nevojën e vaksinimi. Këtu duhet të thellohet puna, jo në ndonjë ligj për obligim ligjor, sepse ashtu është ndërhyrje e ashpër në të drejtën për jetë, që është e drejtë themelore e njeriut në kohën tonë. Atë duhet mbrojtur”, ka theksuar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat