Aleksandër Vuçiq kërcënoi me luftë/ Vjen kundërpërgjigja për Serbinë - ja çka duhet të insistojë Albin Kurti

Politika

Aleksandër Vuçiq kërcënoi me luftë/ Vjen kundërpërgjigja për Serbinë - ja çka duhet të insistojë Albin Kurti

Nga: P.R Më: 27 shtator 2021 Në ora: 21:02
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka kërcënuar me luftë Kosovën, pasi kjo e fundit ka dërguar Njësinë Speciale në Veri të vendit, për ta zbatuar reciprocitetin për targat e veturave, reciprocitet të cilën e vendosi Qeveria Kurti.

“I kam thënë Stoltenbergut, që nuk do të futemi në Kosovë nëse rrezikohet populli serb, para se të presim 24 orë për intervenim të NATO-s. Serbia nuk ka hyrë në territorin e Kosovës, jo sepse ne nuk e konsiderojmë si territor tonë, por sepse sipas Marrëveshjes së Kumanovës, ne nuk kemi të drejtë ta bëjmë këtë”, deklaroi Vuçiq.

E lidhur me kërcënimin e Vuçiqit dhe zhvillimet në veri të Kosovës, për gazetën “Bota sot” ka folur doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Image
Gurakuç Kuçi

"Deklarata e Vuçiqit "Nëse nuk luftojmë, nuk mund të arrijmë asgjë" është vazhdim i publikimit të qëllimeve të plota të filluara nga deklarata e Vulinit për krijimin e “botës serbe”. E njëjta është në vijë edhe me deklaratën e Presidentit rus Putin të vitit 2005 i cili deklaronte me 2005 se: “ne duhet të pranojmë se rënia e Bashkimit Sovjetik ishte një katastrofë e madhe gjeopolitike e shekullit. Sa i përket kombit rus, ai u bë një dramë e vërtetë. Dhjetëra miliona bashkëqytetarë dhe bashkatdhetarë tanë u gjendën jashtë territorit rus. Për më tepër, epidemia e shpërbërjes infektoi vetë Rusinë”. Pra po bëhet fjalë për pan-sllavizëm e cila po bëhet gjithnjë e më e ashpër ku do që po gjen hapësirë duke përdorur taktikën “përçaj dhe sundo” si me rastin e ‘Open Balkan'", deklaron Kuçi.

Sipas tij, serbët e dinë që nuk është se mund të shkojnë larg me këtë qasje në Kosovë.

"E para, që legjitimiteti dhe legaliteti ndërkombëtar nuk është në anën e Serbisë dhe në këtë mënyrë nuk e plotësojnë kriterin e mbrojtjes nga agresioni sipas Kartës së OKB-së dhe e dyta, nuk munden, nuk guxojnë dhe as nuk lejohen të futen në një agresion të hapur aty ku është NATO-ja", shprehet doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Më tej, Kuçi tregon edhe arsyet pse Vuçiq po bën presione të vazhdueshme ndaj Kosovës.

"Por, Serbia dhe Vuçiq po bën presion të vazhdueshëm pasi kjo ia ulë kredibilitetin ndërkombëtar Serbisë dhe mund të ia humbë edhe zgjedhjet Vuçiqit vitin e ardhshëm. BE-ja vazhdon të ndjek politikat e saj të ‘paqëtimit’ të një lloj politike e cila ka lejuar të ngritët dhe forcohet në pushtet Hitleri, Musolini e Stalini, dhe këto politika e kanë dërguar drejt masakrave pa numër Evropën, vetëm SHBA-ja i ka shpëtuar dhe politika të llojit të tillë po shohim edhe sot. BE-ja vazhdimisht tenton që të afroj Serbinë e Rusinë duke e përdorur Kosovën si tampon, por tani nuk e ka legjitimitetin e duhur të vazhdojë me të njëjtën qasje dhe SHBA-ja do jetë ajo e cila do i dalë në ballë prap imperializimit pan-sllavist", deklaron Kuçi.

Sipas tij, çështja e reciprocitetit ishte një goditje edhe për BE-në dhe kështu ia ka prishur edhe planet karshi sllavëve.

"Por prapë Kurti duhet t’i përgjigjet çdo ftese për takim me Vuçiqin në BE dhe të ruaj interesat e Kosovës dhe të drejtën legjitime të republikës. Po ashtu Kurti duhet të insistoj që marrëveshja e radhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të jetë ajo e paqes, mos-sulmimit dhe mos-ndërhyrjes në çështje të brendshme sa i përket prishjes së rendit të shtetit dhe në të njëjtin hap të kërkohen të drejta për shqiptarët në Luginë të Preshevës", përfundon për "Bota sot", doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat