Gazsjellësi amerikan/Këto janë arsyet pse Haradinaj përdori deklaratën e Vuçiqit, kundër Kurtit

Politika

Gazsjellësi amerikan/Këto janë arsyet pse Haradinaj përdori deklaratën e Vuçiqit, kundër Kurtit

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 11 tetor 2021 Në ora: 11:03
Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti

Ka disa ditë që një nga temat më aktuale në vend mbetet projekti i gazsjellësit amerikan.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë ka dhënë detaje për diskutimet rreth ndërtimit të infrastrukturës në Kosovë për gazin amerikan, i cili parashihet të vije nga Greqia përmes Maqedonisë së Veriut.

Kreu qeveritar tha se nuk ka asnjë vonesë lidhur me këtë çështje dhe se nuk rrezikohet asnjë fond, derisa shtoi se raportimet për gazin rus përmes Serbisë janë të pavërteta.

Këtë qëndrim Kurti e shprehu pas pyetjeve të deputetit, njëherësh kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

E përveç Kurtit, përgjigje Haradinajt i kthehu edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Rizvanolli i është përgjigjur edhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, lidhur me pretendimet se refuzimi i projektit të financuar nga administrata amerikane, i hap rrugë sjelljes së gazit rus në vendin tonë.

Ajo ka thënë se nuk ka projekt alternativ rus dhe se kjo ide është përmendur nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

“Jam e befasuar dhe nuk e kuptoj se nga ka ardhur kjo ide. Një projekt i tillë alternativ nuk ekziston. Cili projekt është ai që afron Kosovën me Rusinë apo me një shtet tjetër? Nuk ekziston një gjë e tillë dhe e vetmja herë ku unë kam dëgjuar për një gjë të tillë para deklarimit të zotëri Ramush Haradinaj është një deklaratë e presidentit serb Aleksandër Vuçiq që e ka thënë në një rrethinë të Novi Pazarit”, u shpreh ajo.

Sipas saj, nuk ka arsye të bëhet kjo deklaratë dhe të jetë pjesë e diskursit publik.

Qarri: Haradinaj po bën zhurmë vetëm sa për vëmendje!

Image
Gani Qarri

Në lidhje me këtë temë, për “Bota sot”, ka folur analisti politik Gani Qarri, i cili u shpreh se ky plan është projekt i nga Grenellit dhe Trump-it e që është premtuar të financohet nga Amerika e që është e involvuar direkt edhe Serbia.

“Në fakt projekti i gazit, është një plan i imponuar nga Grenelli dhe arritur në prezencën e ish presidentit Trump, që parasheh projekte dypalëshe Kosovë-Serbi, siç janë terminali dhe tubacioni i gazit natyror i cili kalon nga Greqia në FYROM, financimi i të cilave është premtuar se do të ndihmohet nga (DFC) Korporata Financiare Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, por që në të është e involvuar drejtpërsëdrejti edhe Serbia”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thotë se qeveria Kurti me plotë të drejtë kërkon sqarime shtesë pasiqë ka dyshime dhe dëshiron që ky projekt të përdoret nga Shqipëria dhe të ndërtohet një termocentral në Kukës e që lidhë edhe Kosovën.

“Ndaj Qeveria Kurti, me plot të drejtë kërkon sqarime shtesë për projektin në fjalë, jo pak të dyshimtë, dhe njëkohësisht punon që Kosova të mos detyrohet, të furnizohet me gaz vetëm nga gazsjellësi që nga Greqia arrin në Shkup, por me plot arsye, e pëlqen më tepër projektin TAP, që përdoret nga Shqipëria e cila për furnizimin e Kosovës me të njëjtin gaz amerikan, do të mund ta ndërtonte një termocentral në Kukës që do të lidhej drejtpërsëdrejti me Kosovën”, ka theksuar analisti.

Qarri shprehet se ky projekt është i nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm, Avdullah Hoti e i prirë nga Thaçi, Mustafa dhe Haradinaj, e që nëse ky projekt është kundër interesave të Kosovës duhet qeveria e mëhershme të akuzohet.

“Madje, projekti i nënshkruar në Uashington në të cilin ndërlidhet direkt Serbia, nuk është nënshkruar edhe nga Qeveria aktuale, por nga një kryeministër i kundërligjshëm si Avdullah Hoti, i katapultuar nga Thaçi, Mustafa e Haradinaj në krye të një Qeverie kundërkushtetuese, ndaj edhe nënshkrimet e tij mund të konsiderohen të paligjshme e aq më tepër, nëse janë edhe kundër interesave të Kosovës, as që e obligojnë Qeverinë aktuale, që tu përmbahet atyre, sidomos kur në të njëjtin projekt duhet të involvohet medoemos edhe Serbia e Aleksandër Vuçiqit”, ka potencuar analisti.

Në fund, ai ka shtuar se nuk janë serioze aspak reagimet e Haradinajt në lidhje me këtë temë pasi kryeministri Kurti e ka ftuar edhe në takim Haradinajn, mirëpo që ky i fundi i është përgjigjur me një letër e tregon që nuk ka fare seriozitet.

“Prandaj Ramush Haradinaj më kot po qet shqelma pa reshtur sepse sa i takon projektit të gazit, kryeministri Kurti e ka ftuar Haradinajn në takim, por për habinë e opinionit, pas gjithë asaj zhurme mediatike, Haradinaj iu përgjigj Kurtit vetëm me një letër, gjë që e vë haptas në dyshim seriozitetin e tij sa i përket projektit të gazit "amerikan", ka deklaruar Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Haradinajn e ka verbuar dëshira për pushtet

Image
Islam Krasniqi

Ndërsa, analisti tjetër politik, Islam Krasniqi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka thënë se Haradinaj po shpif dhe se nuk po arrin të bëjë opozitë, pasi sa ishte në qeveri e kanë futur shtetin në kurthe nga mosdija e tyre.

“Po tashmë shpifja është bërë gjë e zakontë, e që mendojnë se gjithçka që flitet në opinion është e vërtetë dhe që mendojnë se me deklarata të pa vërteta po bëjnë opozitë. Mos të harrojmë se ka kaluar koha të pranojmë gjithçka që na ofrohet, siç kanë vepruar qeveritë e kaluara, pa e ditur edhe interesin e shtetit tonë. Nëse z. Haradinaj mendon se kemi bërë gabim pse nuk sollën suksese me qeveritë e kaluara të cilat gjithmonë votuan dhe aprovuan shabllon, duke mbetur shteti i Kosovës pikë e zezë në mes të Evropës, duke e futur shtetin në kurthin e mosdijes”, është shprehur ai.

Analisti tutje ka potencuar se është koha e pendës dhe se dëshira për pushtet e ka bërë Haradinajn të flasë kështu sikur në ëndërr.

Sipas tij, ka mbaruar koha kur është shkatërruar mirëqenia e qytetarëve.

“Ka kaluar koha që për ligjet e drejtësisë të vendos piktori, për ndërtimin të vendos historiani apo për energjinë të vendos artisti, tani është koha e pendesë që ekspertët e lëmive të caktuar vlerësojnë në lëminë e tyre edhe për gazin nuk është refuzuar por kanë kërkuar informata shtesë. Dëshira e madhe për pushtet e ka verbuar z.Haradinaj dhe kërkon vetëm të zë një hapësirë në media me deklarata të atyre që akoma e shohin ëndërr shtetin tonë dhe tremben. Andaj, ajo kohë ka mbaruar sepse po këta liderë e kanë shkatërruar mirëqenien e qytetarëve me votat e tyre, të cilat u sjellin benefinicione vetëm atyre”, ka përfunduar Islam Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat