A do ta “shërojë” Vettingu sistemin e drejtësisë në Kosovë?

Politika

A do ta “shërojë” Vettingu sistemin e drejtësisë në Kosovë?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 15 tetor 2021 Në ora: 13:10
Foto ilustrim

Prej kohësh është kërkuar që të ketë Vetting për drejtësi.

E të mërkurën, Qeveria e Kosovës ka miratuar koncept dokumentin për Vetting-un në drejtësi, përmes së cilit synohet të forcohet sundimi i ligjit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se gjyqësori duhet të jetë i pavarur, jo vetëm në formë por edhe në përmbajtje.

Në mënyrë që sistemi gjyqësor dhe prokurorial të veprojë drejt është e nevojshme që në të gjitha nivelet të ketë njerëz profesional dhe me integritet”, ka deklaruar kryeministri.

Ndërsa, ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ky draf-dokument për Vettingun do të rris profesionalizmin në institucionet e drejtësisë.

Pas votimit të kësaj pike si ministri menjëherë do të themelojmë grupin punues do të përgatisin amandamentin për t’ia përcjellë Kuvendit po edhe Ligjin për Vettingun në sistemin e drejtësisë. U bëj ftesë të gjitha grupeve parlamentare për të ofruar mbështetje për amandamentin për Vettingun në sistemin e drejtësisë”, ka thënë Haxhiu.

Lidhur me shtyrjen përpara të këtij procesi dhe pritjet për një gjyqësor të pavarur e profesional, për gazeteën “Bota sot” kanë folur juristët.

Kelmendi: Pa Vetting nuk shërohet sistemi i së drejtës

Profesori dhe juristi Muhamet Kelmendi, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se ky mjet duhet të zbatohet në tërë sistemin e drejtësisë.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas tij, me këtë sistem bëhet profesionalizimi i sistemit dhe spastrohen mekanizmat nga papërgjegjësitë dhe shkelësit e ligjit.

Vetting-u është mjeti juridik që zbatohet në tërë sistemin dhe mekanizmat e drejtësisë. Me anë të tij bëhet profesionalizimi i sistemit dhe spastrohen mekanizmat nga papërgjegjësitë dhe shkelësit e ligjit. Kuptohet se ky sistem me mekanizmat e vet rregullohet dhe sanksionohet me norma të veçanta dhe të cilat tregojnë fushë veprimtarinë, përzgjedhjen dhe shkarkimet nga detyrat nëpër institucione të drejtësisë. Që këto rregulla të kenë sukses kërkohet spastrimi i sistemit nga elementet jo punëtor, keqbërës dhe të paaftë në punë. Këtu vlen Ligji mbi Vetting. Nga ai ligj varet funksionaliteti dhe profesionalizimi i sistemit juridik”, ka thënë ai.

Ai shton se për drejtësi të mirëfilltë duhet rregulluar edhe KPK dhe KGJK sepse ndryshe nuk merr rrugën e mbarë Vetting-u.

Mirëpo, në këtë kuadër, fakt tjetër me rëndësi, nga varet kryesisht suksesi, janë normat juridike dhe mënyra e zbatimit të ligjit në praktikë. Kryesisht kjo duhet të shtrohet në dy mekanizma përgjegjës të sistemit të së drejtës. Pa e rregulluar KPK dhe KGJK, sistemi nuk e merr rrugën e mbarë. Nga këta dy mekanizma fillon dhe përfundon shkelja dhe çdo veprim antiligjor në sistem. Këto dy organe janë mbikëqyrëse të prokurorive dhe të gjykatave në tërë vendin. Ato bëjnë përzgjedhjen, kontrollojnë punën, lëshojnë masa dhe nxjerrin nga puna prokurorët dhe gjyqtarët që nuk i zbatojnë normat. Mosfunksionimi i KPK dhe KGJK krijon çrregullime dhe bën shkelje të mëdha të lirive dhe të drejtave të njeriut e të qytetarit. Ato organe punojnë me njerëz dhe këtu është baza e lirive njerëzore. Këto kanë filluar të diskutohen në Ministri të Drejtësisë. Parimet bazike për Prokuroritë dhe gjykatat janë dhënë. Nuk kemi rregullim konkret normative”, ka shpjeguar juristi.

Në fund, Kelmendi shprehet se sistemi i drejtësisë shërohet vetëm me Vetting.

Por, suksesi varet kryesisht nga normat dhe kuadri. E tërë kjo varet shumë edhe nga kapja e problemeve sepse mbi atë punohet dhe nxirren normat juridike. Sistemi shërohet vetëm me Vetting. Ligjet tjera janë përcjelle të Ligjit të tillë shërues”, ka deklaruar profesori Muhamet Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

Burjani: Varet shumë nga kualiteti i ligjit të ofruar

Ndërsa, juristi Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se duhet shikuar kualitetin e ligjit sepse mund të mos ketë ndonjë cilësi të duhur që është garantues për një zbatim të qartë dhe sigurt.

Image
Blerim Burjani

Varet shumë nga kualiteti i ligjit të ofruar, që dyshoj s’ka ndonjë cilësi të duhur që do të garantonte një zbatim të qartë dhe sigurt. Në ligj nuk mund të angazhohen gjyqtarë apo prokurorë apo avokatë se kjo do të nënkuptonte konflikt interesi”, është shprehur ai.

Sipas tij, në sistem të drejtësisë ka pasur individë të tillë, pastaj ka pasur njerëz e grupe punuese të cilët kanë qenë plotësisht të pa përvojë në hartim të ligjit.

Ka pasur individë të tillë, pastaj ka pasur njerëz e grupe punuese që kanë lexuar në google (internet) apo punime të të tjerëve dhe kanë qenë plotësisht të pa përvojë në hartim të ligjit. Praktikisht njerëz të cilët nuk janë marrë asnjëherë me ligje dhe të kësaj natyre dhe me politika anti-korruptive”, ka deklaruar juristi Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, Vetting-u është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat