Garë e ashpër për Prishtinën/Ky është skenari i mundshëm – ja kush vendos për fituesin

Politika

Garë e ashpër për Prishtinën/Ky është skenari i mundshëm – ja kush vendos për fituesin

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 21 tetor 2021 Në ora: 10:07
Arben Vitia dhe Përparim Rama

Zgjedhjet lokale në Kosovë janë mbajtur më 17 tetor, për 38 komunat e saj.

Në këto zgjedhje disa parti pësuan rënie e disa ngritje.

Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti ta fitojë asnjë komunë në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, megjithëse shkon në balotazh në 12 komuna.

Në mesin e komunave që mbetën në balotazh është edhe Prishtina, me ç’rast edhe ishte beteja më e madhe në mes kandidatëve për kryetarë të kësaj komune, pra në mes LVV-së me Arben Vitinë dhe LDK-së me Përparim Ramën.

LVV doli e para me 42,33% të votave, kurse LDK 29,35% të votave.

Këto dy parti do të përballen në balotazh pas një muaji, por kush do ta fitojë Prishtinën dhe cilat janë pritjet, për gazetën “Bota sot” kanë folur disa njohës të çështjeve politike.

“Raundi i dytë do të jetë votë e pazareve politike”

Image
Analisti Sulejman Mehazi

Analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar në Prishtinë do të jetë finalja më e madhe e zgjedhjeve lokale dhe lufta do të jetë mjaftë e ashpër mes LVV-së dhe LDK-së.

Sipas Mehazit, shanset e Vitisë për të fituar në raundin e dytë janë zvogëluar, sepse partitë LDK, PDK, AAK dhe AKR do të luajnë disa pazare politike.

“Finalja dhe lufta më e madhe e zgjedhjeve lokale do jetë kryeqendra e Kosovës, Prishtina, teoria politike e zgjedhjeve lokale tregon se partia që fiton kryeqendrën e shtetit, del fituese e zgjedhjeve lokale. Pra, partia që do të sundojë Prishtinën, do të jetë fituese e zgjedhjeve lokale në Kosovë. Lufta për të fituar Prishtinën do jetë e ashpër dhe mjaft e rëndë në mes LVV-së, Arben Vitisë dhe LDK-së, Përparim Ramës. Pasi Vitisë nuk iu mundësua të fitonte Prishtinën në raundin e parë, në balotazh do ta ketë shumë më rëndë, derisa para zgjedhjeve lokale e gjatë fushatës zgjedhore, Arben Vitia, avancohej para konkurrentëve politik se do ta fitonte Prishtinën, në raundin e dytë të balotazhit shanset e tij janë zvogëluar, themi kështu për shkak se tani partitë opozitare LDK-PDK-AAAK e AKR do të luajnë do pazare të pista politike kundër Arben Vitisë së vetmuar”, tha ai.

Mehazi shtoi tutje se raundi i dytë do të jetë pazar i partive opozitare, madje sipas tij, do të jenë dy ide të votave, ajo e LVV partiake dhe tjetra vota e interesave të partive opozitare.

Më tej, ai potencoi se asnjëra nga partitë nuk do të vendos për fituesin e Prishtinës, por qytetarët me votën e tyre.

“Derisa raundi i parë ka qenë votë partiake, raundi i dytë i balotazhit do jetë votë e pazareve të partive opozitare. Kështu që gjatë balotazhit do ketë dy mënyra idesh të votave, në njërën anë do jetë vota partiake e LVV-së në anën tjetër do jetë vota e interesave partiake të LDK-së me PDK-në e AAK-në. Derisa gjatë raundit të parë Arben Vitia luftonte me konkurrentët e tij politikë të përçarë, gjatë balotazhit do të luftojë i vetmuar kundër gjitha partive opozitare, kjo vetmi e LVV-së sikur e favorizon më shumë Përparim Ramën e LDK-së për ta fituar Prishtinën. Edhe pse ne duam që Prishtinën ta fitojë partia në pushtet e LVV-së, por dëshirat tona mund të na shuajnë bashkimi i partive opozitare kundër LVV-së. Megjithatë, as LVV-ja, as LDK-ja e as PDK-ja e AAK-ja nuk do të vendosin se kush do ta fitojë Prishtinën përveç qytetarëve votues të Prishtinës”, ka deklaruar profesori Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

“LDK dhe PDK me program më të favorshëm”

Image
Njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Blerim Burjani

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Blerim Burjani, theksoi se nëse LDK dhe PDK bëjnë koalicion, atëherë LVV do të përmbyset, përndryshe fiton LVV.

Sipas Burjanit, program më të favorshëm kanë LDK dhe PDK.

“Tani vendosin formulat marrëveshje, LDK dhe PDK nëse bëjnë koalicion për balotazh e përmbysin rezultatin e VV-së, tani kjo varet nga këto dy parti nëse duan. LVV në këtë mënyrë humb, në të kundërtën VV do ta fitojë Prishtinën, e që të gjithë e dinë se këtu për qytetarët nuk ka ndikim programi sa partia. Pra, nëse shikohen programet, LDK dhe PDK kanë programe shumë më të favorshme për qytetarët”, ka deklaruar Burjani.

“Në këtë proces të kyçet edhe Kurti”

Image
Analisti Faton Mehmeti

Në anën tjetër, analisti Faton Mehmeti, ka potencuar se kjo garë pritet të jetë e fortë, madje Mehmeti pret të ketë koalicion në mes LDK dhe PDK, por pret që edhe Kurti të kyçet në këtë proces, edhe pse sipas tij, Vitia edhe pse është favor, nuk e ka fitoren të sigurt.

“Pavarësisht se z.Vitia është 11 mijë vota para z.Rama, në balotazh gara pritet të jetë e fortë. Pres të ketë koalicion mes LDK dhe PDK për të mundur Vetëvendosjen në Prishtinë. Në këtë sens gara e 14 nëntorit do të jetë shumë e fortë, fituesi do të përcaktohet nga numri dyfish i votave. Si kurrë më parë gara për Prishtinën do të jetë e ashpër, do të luftohet për çdo votë. Pres që edhe kryeministri Kurti të kyçet direkt në këtë proces, megjithëse z.Vitia është favorit, por nuk e ka të sigurt fitoren. Pres që të gjithë të bëhen bashkë kundër Vetëvendosjes”, deklaroi Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat