“Gjermania mesazh direkt për Edi Ramën”/ Ja kërkesa e Aleksandër Vuçiqit për kryeministrin shqiptar

Politika

“Gjermania mesazh direkt për Edi Ramën”/ Ja kërkesa e Aleksandër Vuçiqit për kryeministrin shqiptar

Nga: P.R Më: 27 tetor 2021 Në ora: 22:00
Aleksandar Vuçiq, Albin Kurti dhe Edi Rama

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka kritikuar autoritetet serbe të cilat nuk kanë lejuar futjen e boksierëve të Kosovës në këtë vend dhe pjesëmarrjen e tyre në Kampionatin Botëror në boks.

Këtë hap të Serbisë, Rohde e ka cilësuar si shëmbull i Ballkanit të mbyllur, e jo të hapur ashtu siç po proklamon me këmbëngulje kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Politizimi i sportit nuk është ide e mirë asnjëherë. Pengimi i boksierëve kosovarë për të marrë pjesë në kampionat shkon në drejtim të kundërt. Kjo fatkeqësisht është shembull i Ballkanit të mbyllur, jo të hapur”, është shprehur ambasadori gjerman, Jörn Rohde.

E sipas profesor, doktor Enver Bytyçit, me bllokimin e boksierëve nga Kosova, Vuçiq dha mesazh të qartë se ai dhe vendi i tij janë kundër hapjes së Ballkanit.

Image
Enver Bytyçi

“Në historinë e diplomacisë së madhe të botës diplomacia e sportit ka shënuar suksese të jashtëzakonshme. Në vitin 1970 SHBA-të deshën të përmirësojnë marrëdhëniet e tyre me Republikën Popullore të Kinës. E nisën nga sporti. Ekipet e para që u përballën ishin ato të ping-pongut. Më pas klima e marrëdhënieve midis tyre erdhi duke u zbutur derisa pas dy vitesh vendin e madh kinez e vizitoi presidenti I Fuqisë më të Madhe në botë, ai i SHBA-ve, Richard Nixon. E përmenda këtë fakt jo pa qëllim. Aleksandër Vuçiq duke ndaluar pjesmarrjen e ekipit të boksit të Kosovës të marrin pjesë në kampionatin botëror në Beograd dëshmoi se është një lider i pacivilizuar as në nivelin e civilizimit të para 50 vitesh të politikës kineze. Ai dëshmoi se është i përkushtuar në bllokimin e përparimit në dialogun politik midis Kosovës dhe Serbisë. Aleksandër Vuçiq dha gjithashtu mesazh të qartë për botën demokratike se ai dhe vendi i tij e qeveria e tij janë kundër hapjes së Ballkanit”, thotë Bytyçi.

Sipas Bytyçit, deklarata e ambasadorit gjerman është një mesazh direkt edhe për Edi Ramën.

“Nga e gjitha kjo lind pyetja: Si është e mundur që presidenti i Serbisë dhe Edi Rama i Shqipërisë proklamojnë kaq shumë iniciativën serbe të Open Balkan, ndërkohë që së paku njëra palë, ajo serbe është kundër hapjes?! Çfarë loje politike ka në këtë aksion politik dhe diplomatik? Nuk ka pak gjë, por shumë gjë në këtë lojë të harmonizuar midis Beogradit dhe Tiranës zyrtare. Këtë e dëshmon edhe deklarata e ambasadorit gjerman në Prishtinë, Joern Rohde. Konkluzioni i tij se refuzimi i sportistëve shqiptarë për të marrë pjesë në kampionatin e Beogradit është mbyllje e Ballkanit dhe jo hapje e tij atakon direkt dhe pa ndonjë diplomaci të dukshme iniciativën Rama-Vuçiq për Ballkanin e Hapur”, shprehet profesor Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Më tej, Bytyçi thotë se refuzimi i sportistëve të Kosovës nga Beogradi, është skandal i përmasave ndërkombëtare.

“Kosova është anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Boksit dhe ajo duhej të ishte në Beograd. Mospjesmarrja ka ulur reputacionin e kësaj federate dhe ka krijuar një precedent të madh në kulturën e zhvillimit të sporteve në botë. Kjo lloj kulture ishte tipar i Shqipërisë së regjimit diktatorial të Hoxhës, kur skuadrat tona e kishin të ndaluar të luanin në kampionate ndërkombëtare me Izraelin, SHBA-të dhe Britaninë e Madhe. E gjitha ishte pasojë e mbylljes së këtij regjimi për shqiptarët. E njëjta duhet thënë edhe për regjimin e sotëm të Aleksandër Vuçiq në Beograd”, thekosn Bytyçi.

Sipas tij, fatkeqësisht ky regjim ka përkrahjen e të njëjtit regjim në Tiranë.

“Kreu i mazhorancës së vjedhur në Shqipëri, Edi Rama, vazhdon të shpallet kampion i aleatit të ngushtë të anti-shqiptarit më të madh të ditëve të sotme në Serbi, Aleksandër Vuçiq. Ai nuk e dënoi aktin e turpshëm të Beogradit me boksierët e Kosovës. Boksierët e Shqipërisë në shenjë proteste deshën të kthehen nga rruga për të shkuar në beograd në këtë kampionat, por ata u urdhëruan nga Edi Rama që të bëhën pjesë e kampionatit. E gjitha ndodhi me kërkesën e Aleksandër Vuçiq. Mospjesmarrja e Shqipërisë, i tha Vuçiq Ramës, do ta godasë për vdekje Open Balkan. Prandaj dhe Rama, për ta mbrojtur iniciativën serbe e anti-shqiptare, sidomos anti-kosovare të Ballkanit të Hapur, urdhëroi krerët e federatës dhe përkatësisht të dërguarin e tij në krye të KOSH, që boksierët shqiptarë të bëhen pjesë e këtij kampionati në Serbi”, shpjegon më tej Bytyçi.

Për fund, Bytyçi deklaron se kryeministri i Shqipërisë nuk reagoi edhe për sulmet e tjera të Beogradit në veri të Kosovës.

“Ose reagoi tangent me pyetjen retorike "Çfarë donte ambasadori rus në kufi me Kosovën"?! Sikur problemi janë rusët e jo serbët! Për ne shqiptarët, nëse nuk do të kishim serbët aleatë të rusëve në kufi, nuk do të kishte as problem rus! Sepse Rusia ka penetruar te ne përmes Serbisë. Kështu ndodhi në vitin 1941-1948, kështu po ndodh edhe tani prej më shumë se tetë vitesh! Prandaj është e domozdoshme që shqiptarët t'i largojnë nga skena politikanë që u shërbejnë interesave të tyre përmes lidhje okulte midis autokratëve që na sundojnë. Autokratët, regjimistët nuk bëjnë llogari në interesat e qytetarëve e madje as në interesat e kombit. Ata bashkëpunojnë midis tyre, sepse interesi i pushtetit dhe korrupsioni janë primare për ta”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat