Dezertorët e paqes, nuk mund ta kthejnë përmbys Kosovën

Politika

Dezertorët e paqes, nuk mund ta kthejnë përmbys Kosovën

Nga: A.Z Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 22:01
Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj

Qeveria Kurti nuk mund të tërhiqet nga temat e mëdha, të cilat janë beteja që duhet të marrin fund, vlerëson Ramush Haradinaj. Madje sipas tij, nëse ndodhë kjo do të ishte dezertim.

“Kjo Qeveri dhe ky Kryeministër e kanë kërkuar dhe e kanë marrë mbështetjen e popullit, 50 plus për qind, për t’i zgjidhur temat e mëdha dhe sot nuk e kanë komoditetin që as ta mendojnë tërheqjen eventuale nga kjo betejë. Në të kundërtën kjo do të konsiderohej dezertim në raport me interesin shtetëror e kombëtar të Kosovës. Kosova sot, më shumë se kurrë ka nevojë për unitet politik, në mënyrë që njëzëri ta mbrojë interesin e vet”, ka shkruar Haradinaj.

Por, sipas analistëve, pavarësisht ndryshimit të qëndrimit pozitiv, Haradinaj ende nuk ka dhënë llogari për gabimet e tij. Nëse ai ishte një hero lufte, ai ishte një dezertor paqe.

Lidhur me këtë, analisti politik Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se deklarata e fundit e tij është me qëndrim pozitiv, duke e pasur parasysh që ai gjithmonë e ka kritikuar Qeverinë.

Madje sipas Mulliqit, kur kemi të bëjmë me temën e dialogut, jo vetëm Haradinaj por edhe nga PDK-ja dhe LDK-ja duhet ta shpreh një qëndrim të tillë.

Image
Skënder Mulliqi

“Edhe pse lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka adresuar shumë kritika ndaj Qeverisë të cilën e drejton Albin Kurti, megjithatë deklarata e fundit e tij, se duhet unifikim i spektrit politikë shqiptarë rreth fazës të fundit të dialogut, është qëndrim pozitiv , të cilën duhet përshëndetur. Të bërit opozitarizëm për temat e brendshme të shprehem ashtu është edhe detyrë e opozitë, por kur kemi të bëjmë fjalë për temën jetike, siç është tema e zorshme e dialogut me Serbinë, atëherë jo vetëm Haradinaj, por këtë gatishmëri të inkuadrimit në këtë proces politik, ishte dashur ta shprehin edhe PDK më LDK-në, të cilat nuk kanë shprehur ndonjë qëndrim të qarte pos kritikave jo parimore që kanë ardhur nga ana e tyre, edhe kur bëhet fjalë rreth dialogut më Serbinë”, tha ai.

Sipas tij, Asociacionin e lanë kështu Thaçi dhe Mustafa, duke mos u deklaruar se për cilin variant është fjala, madje ai shton se opozita nuk ka qenë as përkrahëse e aksioneve të fundit, andaj këto edhe e kanë dëmtuar Kosovën.

“Opozita e di mirë se Asociacionin e lanë vet të dera, në fakt dy udhëheqësit e tyre, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, i cili edhe pse tash nuk është në kryer të LDK-së, i ka pasur disa paraqitje jo të mira politike lidhur më Asociacionin, duke mos u deklaruar se për cilin variant e ka fjalën, për atë që e kanë firmosur së bashku me Thaçin, apo variantin që Asociacioni mos të jetë më shumë se një OJQ, që edhe duhet të jetë i formës së tillë. Opozita çuditërisht nuk i ka përkrahur dy aksionet e fundit për rend dhe ligj në veri të vendit, të organeve tona të shtetit, thua se nuk bëhet fjalë për fatin e shtetit tonë të përbashkët, por thua se Kosova është vetëm e Albin Kurtit! Ky qëndrim e ka dëmtuar Kosovën. Është momenti i fundit i shfaqjes të unitetit, kur bëhet fjalë për të mbrojtur territorin e Kosovës që është duke na e kërcënuar që shumë kohë Serbia me ndihmën e Rusisë me luftë”, shtoi Mulliqi.

Më tej, ai ka potencuar se Haradinaj ka qenë i sinqertë me këtë deklaratë, kur dihen angazhimet e reja të SHBA, Britanisë dhe Gjermanisë, të cilat janë tregues se perëndimi po bënë investime në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhe që nuk do e lejojnë Rusinë dhe Serbinë të kenë ndikim në Ballkan.

“Unë dua të besoj se deklarimi i Haradinajt është i sinqertë, kur dihet tashmë për angazhimet e reja të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë rreth temës së dialogut të cilat shtete janë duke i ngjeshur radhët me diplomatë të karrierës. Amerika ka emëruar 6 ambasadorë në rajon, kurse së fundi edhe Mbretëria e Bashkuar ka emëruar për emisar, një personalitet të lartë ushtarak të NATO-s për Kosovën. Këto janë tregues se bota perëndimore ka bërë investime në Ballkan dhe veçmas në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhe nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë futjen e ndikimit të Rusisë dhe të Serbisë në Ballkan dhe më gjerë. Madje, këto dy shtetet e fundit janë duke kërcënuar me luftë Malin e Zi, Bosnjën dhe Kosovën”, ka theksuar ai.

Sipas Mulliqit, ndoshta opozita tani është duke e parë seriozitetin e miqve për mbrojtjen demokratike dhe vlerat e njerëzve në Kosovë, ka vendosur që të mos je inatçore.

“Ndoshta opozita ka sy me pa dhe vesh me dëgjuar se sa janë serioz miqtë tanë në mbrojtje të vlerave demokratike dhe vlerave njerëzore në Kosovë dhe në rajon, në mbrojtje çfarëdo agresioni të mundshëm ushtarak, që mund të vije nga ana e Serbisë dhe të Rusisë. Kur ata e mbrojnë kaq fuqishëm, dhe e kanë mbrojtur Kosovën edhe me luftë në vitin 1999, pse opozita të jetë kaq inatçore për t’i mos ndihmuar proceset me gjithë potencialet se në pyetje është fati i Kosovës. Këtë gatishmëri të liderit të AAK - së duhet shikuar si shenjë pozitive që ndoshta edhe opozitarët tjerë të shprehin një gatishmëri të tillë”, ka potencuar analisti.

Mulliqi është shprehur tutje se tani nuk përjashtohet mundësia edhe për luftë tjetër, duke e pasur parasysh angazhimet politike të tyre në planin e jashtë.

Ai shtoi se angazhimi për përfundimin fatlum për Kosovën në dialog me shtetin serb me diplomatët me përvojë të gjatë politike, Serbisë i ka hyrë frika në palcë.

“Nëse një luftë me Serbinë ka përfunduar dhe është fituar në vitin 1999, nuk përjashtohet mundësia e ndonjë lufte tjetër, kështu po shprehen shumë njohës të politikës botërore dhe drejtues të shteteve më të fuqishme sot në botë. Sikur mos të ishte kështu nuk do të shihnim gjithë këto angazhime të reja të politike të tyre në planin e jashtëm, dhe pikërisht rreth përfundimit fatlum për palën e Kosovës të dialogut me Serbinë. Këtë angazhim me diplomatë me përvojë të gjatë politike dhe ushtarake, Serbisë ja kanë futur frikën në palcë. Edhe presidenti i Serbisë, sikur Millosheviçi dikur njehë duket vetëm gjuhën e forcës”, ka përfunduar Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat