Eksperti i Ekonomisë: Kursimi i energjisë përmes ndalimit të kriptovalutave po tregon rezultat

Politika

Eksperti i Ekonomisë: Kursimi i energjisë përmes ndalimit të kriptovalutave po tregon rezultat

Nga: A.SH Më: 13 janar 2022 Në ora: 13:26
Foto ilustrim

Polica e Kosovës ditë më parë dhe në vazhdimësi po konfiskon aparatura për prodhimin e kriptovalutave.

Kjo erdhi pas krizës energjetike. E, gjithë kjo ka ardhur pas rekomandimeve të Komitetit Teknik për Masat e Emergjencës në Furnizimin e Energjisë, i cili u formua së fundmi nga vet Ministria e Ekonomisë.

“Duke u bazuar në rekomandimet e Komitetit Teknik, i cili u themelua javën e fundit të dhjetorit 2021 për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”, kam marrë vendimin për Masa të Emergjencës përmes të cilit ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar ministrja Artanë Rizvanolli.

Lidhur me këtë për gazetën “Bota sot” foli eksperti i ekonomisë, Bardh Ahmeti, i cili tha se për të shmangur shtrenjtimin e energjisë apo reduktimet, duhet patjetër të kursehet energjia elektrike.

“Në rrethana të krizës energjetike globale që po kalojmë, me theks të veçantë në vendin tonë, ku kapacitetet prodhuese i kemi shumë të limituara, me infrastrukturë të vjetërsuar të Kosova A dhe Kosova B, duket se institucionet po arrijnë të kursejnë energjinë elektrike. Duke qenë shumë të varur nga importi i energjisë, kur kemi shtrenjtim të çmimit të energjisë deri në 5 herë në disa vende të rajonit, për të shmangur shtrenjtimin e energjisë apo reduktimet, duhet patjetër të kursehet energjia elektrike. Personalisht në fillim kam qenë skeptik që do të mund të lokalizoheshin dhe ndalohej prodhimi, sidomos aty ku punohet në ilegalitet dhe keq shfrytëzohet energjia elektrike, nuk janë doganuar pajisjet e prodhimit, nuk paguhet tatimi në fitim, me theks në veri të vendit, mirëpo nga njoftimet e policisë dhe doganave, po vërehet që ka rezultat”, ka thënë ai.

Image
Bardh Ahmeti

 

Megjithatë, sipas tij, prodhimi i kriptovalutave nuk është veprimtari ilegale, madje muajt e fundit kemi pasur fushata intensive të Administratës Tatimore të Kosovës për deklarimin e fitimit që vjen nga aktiviteti me kriptovaluatat.

“Vendimet në situata të jashtëzakonshme, sidomos me pandeminë COVID-19, shpeshherë nuk kanë qenë shumë të arsyeshme në logjikën ekonomike, mirëpo janë bërë kufizime, është gjykuar cili është dëmi më i vogël në mes të dy dëmeve të domosdoshme. Prodhimi dhe tregtimi me kriptovaluta nuk është veprimtari ilegale, kemi një nismë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për hartimin e ligjit për kriptovaluta, si dhe muajt e fundit kemi pasur fushata intensive të Administratës Tatimore të Kosovës për deklarimin e fitimit që vjen nga aktiviteti me kriptovalutat, sikur çdo aktivitet tjetër ekonomik me synimin e ligjshëm për maksimizimin e fitimit”, shprehet eksperti.

Në fund, ai deklaron se nga Kosova nuk duhet të dërgohen sinjale që jemi kundër trendëve edhe pse kriptovalutat kanë shumë të panjohura dhe janë në zhvillim e sipër.

“Revolucioni industrial që ka në qendër digjitalizimin e ekonomisë, globalizimi në vetvete, është trend global që me patjetër duhet t’i bashkë-ngjitemi për të qenë konkurrues, prandaj assesi nuk duhet të dërgohen sinjale nga Kosova që jemi kundër trendëve, sado që kriptovalutat ende kanë shumë të panjohura dhe janë në zhvillim e sipër. I vetmi zë pozitiv në bilancin negativ tregtar të Kosovës është ai i shërbimeve, kryesisht shërbimet në teknologji të informacionit. Pra, viteve të fundit më shumë eksportojmë se sa që importojmë shërbime të teknologjisë informative, kryesisht për shkak të të rinjve të shkathët me teknologjinë. Institucionet duhet të fokusohen në stimulimin e ekonomisë digjitale, që krijon vende pune, jo detyrimisht ajo me kriptovaluta, por shërbime të tjera, që krijon qasje në tregjet e huaja dhe shërben si ambasador i mirë i vendit tonë”, përfundon ekonomisti Bardh Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat