Përçarje brenda PDK-së/ Si erdhi deri te vendimi për mospjesëmarrje në Kuvend - ja kë e mbështesin mercenarët e Thaçit e Vuçiqit

Politika

Përçarje brenda PDK-së/ Si erdhi deri te vendimi për mospjesëmarrje në Kuvend - ja kë e mbështesin mercenarët e Thaçit e Vuçiqit

Nga: A.M. Më: 15 janar 2022 Në ora: 23:15
Kuvendi i Kosovës

Sot, në Kuvendin e Kosovës u miratua rezoluta kundër referendumit serb.

Në seancën e jashtëzakonshme morën pjesë të gjitha partitë politike, përveç Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Ky vendim i PDK-së u kritikua ashpër, duke thënë se kjo është politikë e cila shkon në linjë me Listën Serbe.

Profesori universitar, Enver Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot” e ka komentuar rezolutën e votuar kundër referendumit serb dhe mungesën e PDK-së në seancë.

Ai përshëndeti bashkëpunimin e LDK-së dhe AAK-së me Qeverinë Kurti për këtë rezolutë, duke thë se kjo është shpresë që në sfidat e ardhshme do të jenë të bashkuar.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës sot ka miratuar një rezolutë, me të cilën hedh poshtë kërkesat që në territorin e Kosovës ditën e nesërme, me 16 janar, të zhvillohet referendum i thirrur nga presidenti serb, Aleksandër Vuciq. Jo pak, por 76 deputetë votuan pro kësaj rezolute. U solidarizuan me të jo vetëm deputetët e Vetëvendosjes dhe Listës Guxo, por edhe ata të Lidhjes Demokratike e të AAK-së. Ishte një bashkëpunim në diversitet midis këtyre subjekteve për t’u përshëndetur. Them në diversitet, sepse kritikat ndaj zotit Kurti nuk munguan. Por përgjegjësinë e morën bashkë. Kjo është arritje. Madje një arritje që jep shpresë se edhe sfidat etjera të radhës do të përballohen kësisoj, të bashkuar”, deklaroi profesori.

Ndërsa, për mungesën e PDK-së në Kuvend, Bytyçi tha se ishte një akt i papërgjegjshëm, duke u rreshtuar në një linjë me Listën Serbe.

Image
Profesori universitar, Enver Bytyçi

“Megjithatë, siç e thoni ju në pyetjen që më drejtoni, Partia Demokratike e Kosovës nuk mori pjesë në punimet e kuvendit. E bojkotoi atë, pavarësisht se politikisht u shpreh kundër mbajtjes së referendumit serb në Kosovë. Unë mendoj se ky akt është i papërgjegjshëm. Sepse PDK u njësua edhe njëherë në një linjë me Listën Srpska. Edhe Lista Srpska u largua nda salla e parlamentit. Ndërsa deputetët e PDK-së nuk guxuan të shkojnë në atë sallë, jo më të votojnë pro rezolutës në fjalë. Nuk pritej një qëndrim i tillë”, theksoi ai.

Në vazhdim, profesori konsideroi se brenda PDK së ka një konflikt midis një grupimi të vjetër mbështetës të Hashim Thaçit dhe një grupimi tjetër, i cili kërkon reformimin e kësaj partie,

“Por pse ndodhi kjo? Pse Partia Demokratike e Kosovës nuk u solidarizua, nuk shkoi në kuvend dhe nuk votoi rezolutën për të ndaluar që Serbia të cenojë sovranitetin e Kosovës?! Unë mendoj se në PDK ka një dualitet e madje konflikt midis një grupimi të vjetër mbështetës të Hashim Thaçit dhe një grupimi tjetër, i cili kërkon reformimin e kësaj partie. Kreu i grupit parlamentar, Abelard Tahiri, ishte ai që lajmëroi mospjesëmarrjen në kuvend menjëherë pas njoftimit për mbledhjen e tij. Ndërkohë që gjithkush e di se është kryetari i partisë ai që merr vendimet politike në emër të partisë”, nënvizoi Bytyçi për “Bota sot”.

Akti i mospjesëmarrjes në kuvend i ka kushtuar kosto elektorale

Krahas kësaj, ai beson se Krasniqi nuk ka qenë dakord me vendimin e Tahirit për pjesëmarrjen në kuvend. Mirëpo, Bytyçi beson se ai e mbështeti këtë vendim vetëm të mos krijohet përçarje brenda partisë, por që kjo mungesë do t’iu kushtoi shumë politikisht.

“Jam i bindur se Memli Krasniqi nuk ka qenë dakord me vendimin e kreut të grupit parlamentar, Tahiri. Por ai nuk ka mundur të reagojë kundër deklarimit të tij, sepse ka llogarit se me kundërshtimin e vendimit të tij mund të përçahej partia. Është normale kjo. Kryetari, ai që është në krye, duhet të sillet me urtësi dhe maturi. Ndryshe e përçan subjektin e tij politik. Por ama edhe mospjesëmarrja e deputetëve të Partisë Demokratike i ka krijuar një kosto. Edhe kjo sjellje e bëri atë një „dele të zezë“! Madje për të disatën herë e vuri atë në krah të Listës Srpska e të Beogradit pa pëlqimin e kryetarit e të kryesisë së PDK-së”, tha ndër të tjera profesori.

Më tej, Bytyçi tha se Abelard Tahiri është shkop i Hashim Thaçit, ku me urdhër tëish-presidentit u zgjodh kryetar i Grupit Parlamentar.

Madje, ai tha se Tahiri ia plotësoi kërkesat serbe.

“Akti i mospjesëmarrjes në kuvend i ka kushtuar kosto elektorale. Duket se Abelard Tahiri është shkop në duart e policit të PDK-së, Hashim Thaçit. Abelardin e drejton Thaçi, ndoshta edhe Veseli, por nuk jam shumë i sigurt për këtë të fundit. Pra, kreun e grupit parlamentar nuk e drejton kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. Edhe në pozicionin që Tahiri ka në parti është vendosur me urdhër të Hashimit. I duhej aty, sepse vendimet e Grupit Parlamentar janë të rëndësishme për ish-presidentin. Përmes këtij grupi dhe Abelardit ai i plotëson më mirë kërkesat serbe, si ky për të tentuar përçarjen e faktorit politik parlamentar për votimin në referendumin serb në Kosovë”, potencoi ai.

Krejt në fund, profesori deklaroi se numri i mercenarëve që përkrahin Thaçin dhe Vuçiqin nuk janë të paktë, prandaj edhe Memli Krasniqi e ka të vështirë drejtimin e partisë së tij,

“Kuptohet, Abelard Tahiri nuk është vetëm, nuk është as pa mbështetje. Ka një numër jo të vogël mercenarësh të Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiq, të cilët e përkrahin atë. Ka jo pak edhe nga ata që flirtojnë me Edi Ramën kundër qeverisë e madje kundër Kosovës. Prandaj dhe zoti Krasniqi nuk e ka aq të lehtë marrjen përfundimtare të drejtimit të partisë së tij. Roli i kryetarit në vendimmarrje duket se është i dobët, fragil.

Grupimet politike me pikëpamje të kundërta në Partinë Demokratike do ta çojnë këtë parti në krijimin e fraksioneve ose do ta ndajnë atë. Ne do të shohim si do të zhvillohen ngjarjet. Por unë nuk mund të vë shenjën e barazimit as sa i përket përdorimit të logjikës, as sa i përket atdhedashurisë dhe racionalitetit midis Memli Krasniqit dhe Abelard Tahirit. Nga kjo merret vesh se aktualisht kemi një parti të përçarë. Edhe në LDK ka ndonjë dele të zezë, por janë aq pak sa nuk e dëmtojnë në substancë atë. Kryetari i saj, zoti Abdixhiku, po ia arrin të krijojë një unitetit”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat