Kërcënimi i gjeneralit serb, vjen kundërpërgjigja: Vetëm kështu Serbia e sulmon Kosovën

Politika

Kërcënimi i gjeneralit serb, vjen kundërpërgjigja: Vetëm kështu Serbia e sulmon Kosovën

Nga: P.R Më: 23 janar 2022 Në ora: 16:13
Milan Mojsiloviq ka thënë se ushtria që drejton nuk përjashton mundësinë e ndërhyrjes brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Serbia nuk po ndalet. Shteti serb vazhdon të dërgojë kërcënime te hapura ndaj shtetit të Kosovës.

Së fundi, gjenerali i ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviq, ka thënë se ushtria që drejton nuk përjashton mundësinë e ndërhyrjes brenda territorit të Republikës së Kosovës, nëse do të ketë veprime të Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që forcat e sigurisë që ekzistojnë në Kosovë të bëjnë veprime të një anshme dhe në mënyrë disproporcionale për të arritur disa pika në terren”, ka deklaruar Mojsiloviq.

Lidhur me kërcënimet e Serbisë, analisti dhe publicisit Rexhep Shahu, për gazetën “Bota sot” ka thënë se Serbia mund të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë vetëm nëse ambasada amerikane largohet nga Kosova.

Image
Rexhep Shahu

“Gjenerali i ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviq, presidenti serb Vuçiq, Daçiqi dhe të gjithë serbët me armë e pa armë, të gjallë e të vdekur, duhet ta dinë sot e mot se në Kosovë munden të hyjnë ushtarakisht me ushtri kur nga Kosova të ketë ikë Ambasada amerikane, kur të mos ketë më asnjë ushtar amerikan në Kosovë, kur të mos ekzistojë baza amerikane në Kosovë, kur të kthehen në Kosovë 50 mijë ushtarë e milicë serbë, kur të kthehet në Kosovë gjithë administrata serbe siç ka qenë në koloninë e saj Kosovë, pra kur Kosova ka qenë koloni serbe si para çerek shekulli, kur të mos ketë asnjë shqiptar me armë në Kosovë, kur të mos ketë Kosova Ushtrinë e saj forcën e sigurisë siç e ka shumë profesionale”, shprehet Shahu.

Sipas tij, në rast së ndodhë një përplasje e armatosur, atëherë do të krijohet shteti i Vojvodinës.

“Gjeneralët serb dhe politikanët duhet ta dinë mirë atë që ka thënë një poet mjaft i njohur serb, se nëse Serbia nis aventurat e saj të humbjes shpejt do të krijohet shteti i Vojvodinës dhe një shtet i tretë shqiptar në Maqedoni dhe një shtet i katërt shqiptar në Zvicër. Këto deklarata gjeneralësh janë përralla për natë dimri në Serbi, por këto përralla nuk e vënë më në gjumë popullin serb që nuk besoj se ka rini për ta bërë mish për top. Pra ky nuk është kërcënim por një përrallë dimri nga gjenerali serb”, deklaron Rexhep Shahu.

Për fund, Shahu thekson se Kosova nuk është më Serbi, dhe nuk mund të bëhet kurrë më Serbi.

“Kosova nuk duhet të shohë përralla të tilla. Serbia politike e politikanëve që vijnë nga lufta kur humben Kosovën edhe pas çerek shekulli ende nuk janë të kthjelltë dhe esëll. Kosova nuk është më Serbi dhe nuk mund të bëhet kurrë më Serbi. Serbia dhe Kosova vetëm mund të zhagitën me bisedime, sepse politikanët e dy vendeve nuk duan të mbyllen bisedimet”, përfundon për gazetën “Bota sot” analisti dhe publicisti Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat