Albin Kurti përballë presionit/ Ja pse Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Escobar vizitojnë Kosovën

Politika

Albin Kurti përballë presionit/ Ja pse Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Escobar vizitojnë Kosovën

Nga: P.R Më: 27 janar 2022 Në ora: 17:41
Gabriel Escobar, Albin Kurti dhe Mirosllav Lajçak

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka konfirmuar se i dërguari i posaçëm për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë javës së ardhshme do të qëndrojnë në Kosovë dhe Serbi, ku qëllimi i kësaj vizite do të jetë angazhimi për vazhdimin e dialogut për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.

Teksa e ka konfirmuar këtë vizitë, përgjegjësinë për ngecje në procesin e dialogut, Borrell e barti më shumë te zyrtarët e Kosovës.

“Dua t’ia bëj të qartë Kosovës se dialogu nuk zhvillohet për shkak të dialogut, por për shkak se është kyç në përparimin në rrugëtimin evropian. Së bashku me Lajçakun do të vazhdojmë të përgatisim takimin e radhës, por kjo do të ndodhë vetëm nëse të dyja palët merren vesh rreth rezultateve pozitive dhe konkrete. Prandaj unë dhe Lajçak do të vazhdojmë të angazhohemi me palët, e posaçërisht me Kosovën, e cila po dëshmon më shumë jogatishmëri për t’u ulur në tryezë”, tha Borrell.

E lidhur me vizitën e Lajçakut dhe Escobarit, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Sipas Bytyçit, dialogu Kosovë-Serbi shihet nga partnerët amerikanë dhe evropianë si çelësi i zgjidhjes së konfliktit midis shqiptarëve dhe serbëve në rajon.

Image
Enver Bytyçi

“Ky konflikt ka nis në Kosovë dhe duhet të përfundojë në Kosovë. Nëse ju kujtohet, menjëherë pas luftës presidenti amerikan Clinton shkroi një letër për udhëheqësit e Kosovës, në të cilën shkruante: "Ne bëmë luftën, ju bëni paqen"! Pjesa e lidershipit që kishin marrë pjesë aktive në luftë, përfshirë dhe ata të Rognerit të Tiranës, e morën këtë këshillë të Bill Clinton si "fyerje"! Sipas tyre luftën e kishte bërë vetëm UÇK dhe jo NATO. Kjo mburrje e zakontë për ne shqiptarët bëri që ky lidership të harrojë porosinë amerikane që "të bëjë paqen"! Për pasojë shtetin e panë si fabrikë pasurimi dhe jo si mjet për të bërë paqen”, thotë Bytyçi.

Ai shprehet se hyrja në bisedime me Serbinë, ishte goditja më e madhe që iu dha shtetit të Kosovës, në kohën kur Kosova sapo kishte shpallur pavarësinë.

“Vrasjet politike të pas luftës të mbetura pa autorë, korrupsioni, krimi i organizuar, sidomos ekonomik, rendja pas pasurive të patundshme dhe mos ndëshkimi nga drejtësia duhet të konsiderohen si shkak i rifillimit të bisedimeve me Serbinë, edhe në kushtet kur Kosova kishte shpallur pavarësinë. Hyrja në bisedime ishte goditja më e madhe që iu dha shtetësisë së Kosovës. Por një lidership i korruptuar dhe inkriminuar është si ai qeni që ta sjell ujkun në torishtë. Këtë bënë Hashim Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij. Tani ai është në Hagë. Shkoi në qelitë e Hagës, sepse duhej shkëput hallka e zingjirit Vuçiq-Thaçi-Rama. Pra duhej mbyll pazari i ndryshimit të kufijve. Ikja e Thaçit e lehtësoi ardhjen në pushtet të Albin Kurtit, madje me shumicë absolute të votave qytetare”, thekson Bytyçi.

Ai thotë se tani kryeministri Kurti është para një presioni të ndërkombëtarëve.

“Zoti Kurti që në nisje u përball me praktikat korruptive të lidershipit të mëparshëm edhe në çështjen e dialogut. Tha jo për disa marrëveshje të mëparshme dhe sidomos për atë të Asociacionit. Tani ai është para një presioni të padiskutueshëm. Unë mendoj se e nisi mirë me kërkesën e vetme që të "nënshkruhet marrëveshja për njohje, e pastaj të flitet për çështjet konkrete"! Por kur pranoi të diskutojë për të pagjeturit, targat e të tjera tema, praktikisht hoqi dorë nga formula e takimit të parë e të dytë. Sigurisht nën presion. Por nëse e ha njëherë presionin, ai shtohet, vjen shkallë-shkallë, derisa të bëhesh vasal I pikëpamjeve dhe qëndrimeve të të tjerëve”, deklaron Bytyçi.

Më tej, Bytyçi shprehet se Escobar dhe Lajçak vijnë pikërisht për ta zbutur kryeministrin e Kosovës.

“Për ta nënshkruar atë, për t'i thënë se "Ti pranoje zgjidhjen që ne të ofrojmë, se më pas jemi ne që ju mbështesim për të relativizuar ose mënjanuar efektet negative të kësaj zgjidhjeje"! Por ajo çfarë vjen më pas është krejtësisht e panjohur. Zhvillimet në e rreth Ukrainës duhet të na kthjellin e të na mësojnë se gjeopolitika dhe asgjë tjetër në shoqërinë njerëzore nuk është statike, e dhënë njëherë e përgjithmonë. Prandaj dhe duhet mendim sovran. Në kushtet e sotme SHBA dhe BE mund të shpejtojnë për një zgjidhje të papëlqyeshme e të paqëndrueshme, me qëllim që të kapërcejnë konjukturën e krijuar në konfliktin Lindje-Perëndim. Ndërkaq nuk është se ka qëndrime uniforme në vetë vendet e Bashkimit Evropian”, deklaron Bytyçi.

“Prandaj dhe besoj se të dy të dërguarit do bëjnë presion për një zgjidhje të këtij konflikti, me kërkesën për kishat serbe dhe Asociacionin serb në Kosovë. Zoti Kurti ka pasur kohë të mendohet e të gjejë një zgjidhje, sepse ky presion nuk është i sotëm”, shpjegon profesor, doktor Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Por cila mund të jetë zgjidhja sipas Bytyçit?

“Duhen studiuar të gjitha konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të autonomisë lokale dhe bazuar në to duhen gjet zgjidhje alternative. Me rëndësi është që qeveria e Kosovës dhe grupi negoociator të japë zgjidhje për të garantuar të drejtat qytetare të minoriteteve e sidomos të serbëve në Kosovë. Duhet bërë pyetja: Çfarë kërkon realisht Serbia në Kosovë, të drejta për serbët, apo bashkëqeverisje e Beogradit për Kosovën? Asociacioni është bashkëqeverisje e Beogradit në Kosovë. Kjo ka marrë fund më 17 shkurt 2008”.

“Zoti Kurti duhet të shënojë suksese në qeverisjen e brendshme dhe në respektimin e të drejtave qytetare, të rivendosë autoritetin e shtetit e të ligjit në veri të Kosovës e kudo tjetër dhe sidomos të japë shembull për luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Me arritje të tilla do t'i imponohet edhe miqve amerikanë dhe evropianë. Kjo është e gjitha. Atë që e shkatërruan paraardhësit e tij, ai ka detyrë dhe ka premtuar për ta ringritur!”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat