Kelmendi: Dialog po, por jo status të shtetit në veri të Kosovës

Politika

Kelmendi: Dialog po, por jo status të shtetit në veri të Kosovës

Nga: M.H. Më: 5 shkurt 2022 Në ora: 17:59
Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar

Ditë më parë Kosovën kanë vizituar i dërguari amerikan, Gabriel Escobar e diplomati i BE-së, Mirosllav Lajçak.

Ata janë takuar me presidentin e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin e vendit, Albin Kurti, ndërsa janë takuar edhe me krerët e partive opozitare.

Menjëhere pas takimit që dy të dërguarit kanë pasur me Osmanin dhe Kurtin, veç e veç, janë deklaruar për media, Lajçak u shpreh se SHBA-ja dhe BE-ja janë krah njëra-tjetrës.

Të dy ishin pro një dialogu të mirëfilltë me Serbinë, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje më shpejt.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Muhamet Kelmendi, i cili u shpreh se vizita e të dërguarit amerikan dhe atij të BE-së, është një sinjal pozitiv.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas tij, kjo vizitë dëshmon që ka angazhim për tërë Ballkanin Perëndimor.

Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë me vizitat që po bëhen nga i deleguari amerikan, z.Eskobar dhe përfaqësuesi i BE-së, z.Lajçak, kanë marrë një shtytje të fortë. Ajo që del nga vizita është se pa dialog nuk ka të ardhme as Kosova dhe as Serbia, në kuadër të intergrimëve euroatlantike. Kjo, në njërën anë dhe në anën tjetër, doli sheshit se SHBA-të e konsiderojnë Kosovën shtetë të pavarur dhe sovran. Këtej nuk ka asnjë mundësi të zhbërjes së shtetesisë. Mirëpo, u pa gjithashtu se SHBA-të angazhohen për tërë Ballkanin Perëndimor dhe të tërin e duan të intergruar në kuadër të BE-së, jashtë ndikimëve ruse”, u shpreh ai.

Më tej, profesori thotë se gjendja që është krijuar mes Ukrainës dhe Rusisë kanë arritur të sjellin një tension në mbarë vendin, me ç’rast edhe Serbia po vazhdon të armatoset.

Gjithashtu ai përmend që SHBA-të kanë deklaruar që do të mbrojnë territorin dhe sovranitetin e Kosovës.

Gjendja në mes të Ukrainës dhe Rusisë ka ndikuar që edhe intervenimet të jenë të ashpra. E tëra varet nga pala serbe. Shpresohet se presioni për një Ballkan paqësor në Beograd do të shtyjë shtetin serb në një politikë pragmatiste e jo shoveno-raciste që është tash. Qëllimi i Serbisë aktualisht është asociacioni serbë me pushtet ekzekutiv ose ndarja e Kosovës. Serbia po armatoset dhe gjendjen ndërmjet Ukraines dhe Rusisë, sidomos nëse bëhet invazion ushtarak rus, mund ta shfrytëzojë për të sulmuar Kosovën. Ky skenar është i mundshëm. Kosova e ka një bazë të fortë të dialogimit. SHBA-të kanë dalur hapur në anën e ruajtjes së tërësisë territoriale dhe të sovranitetit të Republikës. Veç kësaj është edhe verdikti i Gjykatës Kushtetuese mbi Asociacionin e Komunave serbe. Këto dy baza janë fakte se në Kosovë mund të krijohet një shoqatë serbe, pa kompetenca ekzekutive dhe juridike legjislative”, thotë profesori.

Ndër të tjera, ai shton se reciprociteti duhet të mbetet parim për të dyja vendet duke cekur edhe një statut për Luginën e Preshevës, duke krijuar barazi reciproke, me minoritetin serb në Kosovë.

Është mirë që vetë Qeveria e Kosovës të nxjerrë një statut mbi këtë shoqatë si formë të dialogimit. Dhe, këtu çdoherë duhet të vij në shprehje reciprociteti. Dialogohet me shtetin serb për minoritetin serb në Republikën e Kosovës, por edhe Kosova e ka një minoritet në Luginën e Preshevës dhe një interes të lart në Sanxhak. Reciprociteti është parim ndërkombëtar dhe këtu nuk ka mundësi askush që të kërkojë nga Kosova moszbatimin e kësaj rregulle diplomatike. Mbi këtë paraqitet edhe një statut për Luginën e Preshevës. Hiq më shumë a më pak se për minoritetin serb në Kosovë. Kërkohet domosdo një barazim i këtyre dy çështjeve në dialogim. Kjo është dhe mbetet prioritet në raport me shtetin serb”, theksoi Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat