“Kjo mund ta çmend Putinin”/ Ja pse Rusia po e përmend Kosovën – Ky është skenari me Ukrainën

Politika

“Kjo mund ta çmend Putinin”/ Ja pse Rusia po e përmend Kosovën – Ky është skenari me Ukrainën

Nga: P.R Më: 12 mars 2022 Në ora: 08:11
Vladimir Putin

Ka përfunduar pa marrëveshje takimi ndërmjet ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, dhe homologut të tij ukrainas, Dmytro Kuleba, në Ankara të Turqisë, ndërkohë në Ukrainë tash e 16 ditë po vazhdojnë luftimet e ashpra, prasi Rusia nisi pushtimin më 24 shkurt.

Ukraina kërkoi hapjen e një korridori humanitar, përmes së cilit do të largoheshin civilët nga qyteti i Mariupolit, gjë të cilën e refuzoi Rusia.

Ndërkohë shteti rus kishte kritika të shumta për Perëndimin duke thënë se po vepron në mënyrë të rrezikshme me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë si dhe me rastin e armatosjes së Ukrainës.

E për të folur për luftën në Ukrainë dhe dështimin e bisedimeve në Turqi, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi, sipas të cilit, bisedimet dështuan për faj të Rusisë.

“Prej 16 ditësh Ukraina është në luftë. Një luftë e pakuptimtë dhe e përgjakshme për shkak se presidenti i Rusisë është çmendur. Ai ka mobilizuar dhjetramijë forca të armatosura për ta pushtuar Ukrainën. Ndërkohë që bën presion për pushtim, përdor ministrin e tij të jashtëm Lavrov që të bëjë propagandë. Takimi Rusi-Ukrainë i mbajtur në Antalia të Turqisë midis dy ministrave të jashtëm dështoi. Dështoi, sepse Sergei Lavrov shkoi në këtë takim për të thënë se “Rusia është kundër luftës”, kur në fakt hedh tonelata bomba kundër popullsisë civile në Ukrainë. Madje edhe kundër një materniteti ku lindin fëmijët, ata që i japin kuptim jetës”, thotë Bytyçi.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

“Dështoi sepse Lavrov vazhdon propagandën e Putinit për atë që ata e quajnë “fashizëm ukrainas”! Se si mund të quhet fashist një president me prejardhje izraelite, mbi të cilët nacionalsocialistët e Hitlerit kryen gjenocide, këtë vetëm udhëheqësit e Kremlinit mund ta dinë”, shton profesor Bytyçi.

Sipas tij, Lavrov bëri që samiti të dështojë, sepse ende vazhdon të spekulojë me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

“Analogjia që përdor Putin dhe Lavrov me Kosovën për të justifikuar pushtimet klasike të tyre në dy rajonet e Gjeorgjisë, të Krimesë e rajoneve lindore të Donbasit në Ukrainë, është një shpikje e turpshme. Kosova kishte status tjetër në Federatën Jugosllave nga ai status që kishin rajonet e pushtuara nga Rusia. Kosova nuk u pushtua dhe nuk iu bashkëngjit ndonjë shteti tjetër. Thjesht u pavarësua për shkak të terrorit, aparteidit, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit serb kundër shqiptarëve. Kosovën nuk e pushtoi NATO, por e çliroi nga dhuna e tmerrshme e Millosheviçit. Dhe ndoshta kjo do të ndodhë edhe në Ukrainë që ajo të çlirohet nga pushtimi e gjenocide rus. Pavarësia e Kosovës parashikohet në Rezolutën 1244, ku ndalohet vetëm bashkimi me një vend tjetër. Pavarësia e Kosovës u konfirmua nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Dhe asgjë nga këto nuk kanë ndodhur në rajonet që Rusia ka pushtuar”, shpjegon më tej Bytyçi.

Prandaj sipas profesor Bytyçit, edhe veprimet e Vladimir Putin ngjajnë me ato të Millosheviçit.

“Për këto arsye lufta nuk duket se do të përfundojë shpejt në Ukrainë. Lidershipi rus nuk duket se do të reflektojë. Nuk duket se do të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare. Nuk duket se do të heqë dorë nga forca. Dhe forca e saj nuk ka asgjë të përbashkët me përdorimin e forcës së NATO-s kundër Serbisë së Millosheviçit. Megjithatë mund të ketë shpresë. Sepse duket se sanksionet e kanë ngushtuar mundësinë e presidentit rus të vijojë pa u prekur luftën. Vetë ukrainasit i dolën atij një “arrë e fortë”, gjë që nuk e kishte menduar”, shprehet Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Por si mund të arrij Vladimir Putin pushtimin e Ukrainës sipas profesor Bytyçit?

“Putin mund ta pushtojë Ukrainën vetëm nëse do të përdor bomba si ato që përdori në Grozni dhe vrau mbi 200 mijë çeçenë. Vetëm nëse do të përdorë armë kimike dhe bakteriologjike. Ai mund të çmendet e të shpërthejë edhe ndonjë reaktor bërthamor. Por në këto raste do të përballej me urrejtjen dhe revoltën e mbarë botës. Nuk e di nëse një vend, qoftë dhe fuqi e madhe si Rusia mund të përballet me revoltën e të gjithë popujve të botës. Vështirë është të ketë fitore në këto raste”, thekson Bytyçi.

Ai thotë se izolimi mund ta çmend Vladimir Putinin.

“Vladimir Putin ndihet i izoluar edhe nga ndonjë vend i madh ose i vogël, të cilin e ka konsideruar si aleat në kohë paqeje. Dhe nëse përdor forcën e shfrenuar në Ukrainë do të izolohet plotësisht prej tyre. Izolimi edhe mund ta çmendë atë sipas mendjes së një gazetari rus kur thoshte se “Nëse bota do të ekzistonte pa Rusinë, më mirë të mos ekzistojë fare”! Që do të thoshte se pa përfilljen e Rusisë si fuqi e madhe, atëherë bota do të shkatërrohet nga armët bërthamore që komandohen nga Putin”.

Për fund, Bytyçi tregon edhe cili është skenari që Vladimir Putin synon të arrijë në Ukrainë.

“Skenari i Putinit është të aneksojë me marrëveshje dy rajonet e Donbasit dhe të njihet pushtimi i Krimesë. Më tej ai kërkon në Kiev një qeveri pro-ruse, e cila të mos kërkojë anëtarësimin në NATO e në BE. Pra një lidership që i kundërvihet Perëndimit. Dhe kjo vjen në kundërshtim me orientimin e vokacionin e qytetarëve ukrainas”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat