Ramizi i 36 tonëve mish të kalbur, po kërkon copëtimin e Kosovës!

Politika

Ramizi i 36 tonëve mish të kalbur, po kërkon copëtimin e Kosovës!

Armira Shaqiri  Nga Armira Shaqiri Më 30 mars 2022 Në ora: 08:00
Ramiz Kelmendi

Biznesmeni i njohur Ramiz Kelmendi, që i ka shëtitur të gjitha partitë politike, në një hark kohor të shkurtër, pasi inspeksioni ia ka zënë vetëm 36 tonë mish të prishur, me të cilin mund ti helmonte ndoshta 300 mijë shqiptarë, sapo e ka rilansuar një helm të vjetër.

Ramiz Kelmendi ishte nga biznesmenët e parë të pas luftës, që e riktheu Kosovën në një treg serb, që për rreth dy vjet pas luftës, mund të tregtohej vetëm në të zezë.

Shqiptarët bënin tregti nëpërmjet Shkupit, dhe rrugëve të vështira të Shqipërisë, por për Serbinë dhe prodhimet e saj, as që donin të dëgjonin!

Modeli i Ukrainës

Kjo histori u tretë, por lufta në Ukrainë, mënyra se si ukrainasit, por edhe bota perëndimore, po i trajton pushtuesit rus, mund të rikthehet në një model për raportet e shqiptarëve me Serbinë.

Ukrainasit, jo vetëm që nuk duan t’ia dinë për prodhimet ruse, të cilat mund të sigurohen nga vendet tjera, por të gjitha shteteve dhe bizneseve të mëdha, investitorë në Rusi, po ju bëjnë thirrje me mesazhet, “mos e financoni Rusinë që të bombardojë Ukrainë, dhe vrasjen e ukrainasve”!

Shumë biznese të famshme, por edhe më pak të njohura për ne, për shkak të këtij agresioni rus, i kanë mbyllur bizneset në Rusi, deri në përfundim të luftës, madje, pavarësisht kërcënimit të Putinit, që bizneset që i mbyllin veprimtaritë, do t’ju konfiskohen asetet.

Biznesmeni Ramiz Kelmendi, jo vetëm që nuk dëshiron të dëgjojë për këta shembuj, dhe të ndalojë importet nga Serbia, për produktet që mund të sigurohen lehtësisht jashtë saj, por ai ka bërë thirrje, që të ndahet Kosova, dhe sipas tij, të arrihet një zgjidhje përfundimtare.

Ramiz Kelmendi si duket është frymëzuar nga protestat e disa serbëve, kryesisht në veri, të cilët zakonisht grumbullohen nën thirrjen e shërbimeve sekrete serbe dhe të strukturave kriminale të tyre, të shtrira në Kosovë dhe Serbi.

Të premten e kaluar një grusht serbësh u mblodhën në veri të Kosovës, mbajtën protesta të qeta kësaj here, nëpërmjet të cilave shprehën pakënaqësinë ndaj institucioneve të Kosovës, të cilat kanë marrë vendim që zgjedhjet serbe nuk do të mbahen në Kosovë, kjo rrjedhimisht për të respektuar ligjet dhe kushtetutën e vendit.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi, iu rikthye me këtë rast, projektit serb për shkëmbim territoresh, i lansuar nga Ivica Daçiqi, para një dekade, dhe e promovuar për disa vite nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kelmendi mes tjerash ka deklaruar “Cila prej tyre është më pak e dhimbshme (për mua kishte me qenë më e mira ti kishim pasur në suazat e demokracisë tonë të dyja). Por, e kapshme mbetet shkëmbimi kualitativ i territoreve. Çdo zgjidhje tjetër do të jetë e dëmshme dhe e përhershme për zhvatjen politike të Serbisë, ekonominë dhe pozitën tonë ndërkombëtare”.

Pse kjo temë duhet të kthehet në fokus përderisa pushteti i tanishëm ka deklaruar se nuk e shkelim Kushtetutën dhe kjo temë është mbyllur njëherë e mirë nga Administrata amerikane presidenti Biden, dhe e qartësuar plotësisht nga ambasadori amerikan Hovenier.

Por, se çfarë kanë këta shqiptarët e pakët, që e hapin këtë temë, sa herë mbyllet, është me rëndësi të zbulohet, madje për shëndetin e ardhshëm shtetëror.

Sidoqoftë, ka analistë, që e shpjegojnë fundin e këtyre politikanëve apo mbështetësve të copëtimit të Kosovës.

Nga projekti për ndarjen e Kosovës, në rastin më të mirë, do të humbte rreth 4% të territorit!

Mehazi: Shkëmbimi i territoreve, për disa politikanë ka mbetur sëmundje obsesive fikse e pashërueshme politike

Profesori Sulejman Mehazi për “Bota sot” thotë se kërkesa e tij është qesharake dhe e turpshme.

Image
Sulejman Mehazi

“Ideja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, për shkëmbime territoresh për disa politikanë ka mbetur sëmundje obsesive, fikse e pashërueshme politike, e njëri me këso lloj sëmundjesh, idesh të pashërueshme për shkëmbime territoresh është edhe ish-deputeti, Ramiz Kelmendi. Të kërkosh shkëmbime territoresh për shkak të protestave serbe jo që është qesharake, por dhe e turpshme. Asnjë qeveri në botë nuk mund t'ua ndalë qytetarëve protestat demokratike ndaj pushtetarëve për shkak se protestat e qeta e demokratike janë të lejuara në çdo qeveri e shtet të rruzullit tokësor”, deklaroi ai.

Sipas tij, të gjithë politikanët, të cilët kërkojnë një gjë të tillë duke përfshirë edhe vet Ramiz Kelmendin do të përfundojnë sikur sikurse ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në burg.

Tutje Mehazi thotë se, kushdo që përpiqet të lëvizë kufijtë e Kosovës do të eliminohen politikisht nga themeluesit e Republikës së Kosovës.

“Zotëri Ramiz Kelmendi duhet ta dijë se të gjithë politikanët që do të jenë për shkëmbime territoresh me Serbinë do të përfundojnë sikurse ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ai në burgun e Hagës, por të tjerët në një burg po. Kur Hashim Thaçi nisi të luajë kartën politike për shkëmbime territoresh me presidentin e Serbisë Vuçiq, mu atëherë projektuesit, krijuesit dhe themeluesit e Republikës së Kosovës, SHBA-ja dhe BE-ja e detyruan parlamentin e Kosovës ta votojnë Gjykatën Speciale të Hagës për ta eliminuar e burgosur vetë Hashim Thaçin në Hagë. Askush prej elitës politike të Kosovës nuk mund të dalë kundër projekteve shtetërore të SHBA-ve për Republikën e Kosovës, nëse edhe presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti devijojnë sikurse Hashim Thaçi për shkëmbime e ndryshime kufijsh do pësojnë edhe më keq. Vetë simbolika e flamurit të Kosovës me hartën gjeografike të kufijve përcaktuese të saja, janë të paprekshme dhe politikanët që do të përpiqen të lëvizin kufijtë e Kosovës do të eliminohen nga themeluesit e Republikës së Kosovës, SHBA-ja e ka bërë të qartë, pavarësisht se cilido politikan që do të rrezikojë kufijtë e Kosovës, ata do mbrohen nga babai i saj SHBA-rë, kufijtë administrativ të Kosovës janë të paprekshëm”, vlerëson tutje profesori.

Në fund shton, se politikanët duhet t’i ruajnë kufijtë, sepse ndryshe do të kenë probleme diplomatike me fuqitë e mëdha, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe.

“Nuk e dimë se përveç Kosovës cili prej shteteve në botë e ka flamurin e hartuar gjeografikisht e të vizatuar me kufij të qartë e decid. Politikanët e Kosovës duhet të kenë kujdes e ta ruajnë me xhelozi këtë flamur të dizajnuar me kufijtë e saja gjeografik se përndryshe do të kenë probleme diplomatike me fuqitë e mëdha, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe”, përfundon Mehazi.

Kelmendi: Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është zgjidhje e vetme legjitime

Juristi Muhamet Kelmendi në një përgjigje për “Bota sot” thotë që zgjidhja e Kosovës me Serbinë ka vetëm dy mundësi, njohja e Kosovës dhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas tij, te njohja e Kosovës, varet edhe nga faktori relevant ndërkombëtar.

“Zgjidhja e çështjes së Kosovës i ka dy mundësi.1. Njohja dhe respektimi i tërësisë territoriale të shtetit të Kosovës dhe 2. Tërheqja e vijës së re kufitare midis Kosovës dhe Serbisë.
Te njohja e shtetit të Kosovës varet çështja nga shumë subjekte dhe faktor relevant ndërkombëtar. Kosova është njohur nga shumë shtete dominante në BE dhe më gjerë, në botë. Ndonëse, kështu është, megjithatë po ka vështirësi në njohje dhe në integrime euroatlantike. E tërë kjo po duket se po shkon nëpërmjet BE-së, që pothuajse ka dështuar në përmasa të mëdha në zgjidhjen e çështjes. Dialogu nuk po ec. BE-ja po e toleron shtetin serb në veprime të dëmshme. Këtë po e bënë nga frika e raporteve midis Serbisë dhe Rusisë. Ka mbetur gjendja në vend
”, shpjegon ai.

Për alternativen tjetër thotë se shqiptarët, duhet të bashkohen në një shtet të vetëm, por duke mos e ndarë Ujmanin, Mitrovicën e Trepçën, e gjithsesi duke marrë Luginën e Preshevës, është një zgjidhje që shëron plagët historike.

2. Mënyra tjetër e zgjidhjes së çështjes është tërheqja e kufirit të ri midis Kosovës dhe Serbisë. Këtë tërheqje, duke u bashkuar shqiptarët në një shtet, me Shqipërinë, por duke mos e ndarë Ujmanin, Mitrovicën dhe Trepçën, e duke marrë Luginën e Preshevës, është një zgjidhje që shëron plagët historike. Serbia ka marrë mjaft territore shqiptare. Tash është koha kur nuk duhet lejuar ripushtime të reja a ndarje të Kosovës. Dihet se Leposaviqi si territor me rrethinë i është bashkuar me Kosovën në vitin 1956. Për këtë e ndan në atë kohë nga Kosova Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin. Kjo ishte një formë tjetër e serbizimit të territoreve shqiptare. Këtë politike serboshoveniste nuk duhet pranuar. Lugina e Preshevës si tërësi kërkohet t’i takojë Kosovës. Natyrisht, se këtu nuk duhet lejuar ndarjen e Ujmanit, të Mitrovicës dhe të Trepçës”, thotë ai.

Kelmendi shton, se komunat pakicë që janë në Kosovës nuk duhet lejuar të organizohen në exterritorialitet, sepse atyre u takojnë të drejtat minoritare, por jo ndonjë status tjetër.

“Komunat me pakicë nacionale serbe brenda në Kosovë nuk duhet lejuar të organizohen në exterritorialitet. Atyre u takojnë të drejtat minoritare, por jo ndonjë status tjetër. Kjo vlen edhe për tri manastire. Ato mund dhe duhet të vendosen nën ombrellën e BE-së dhe të SHBA-ve. Një zgjidhje e tillë është shumë e kapshme dhe mundëson zgjidhjen e çështjes serbo-shqiptare. Mundësi tjetër nuk ka”, përfundon juristi Muhamet Kelmendi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat