Plani i shërbimeve serbe për vrasjen e Marty-t, vjen thirrja për institucionet e Kosovës: Ja çka mund të zbulohet!

Politika

Plani i shërbimeve serbe për vrasjen e Marty-t, vjen thirrja për institucionet e Kosovës: Ja çka mund të zbulohet!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 11 prill 2022 Në ora: 13:36
Dick Marty

Një hetim ekskluziv nga Focus në lidhje me Dick Marty-in ka ngjallur reagime të shumta dhe ka hedhur dyshime mbi disa çështje.

Fillimisht, u zbulua se ish-prokurori, këshilltari shtetëror dhe raportuesi për Këshillin e Evropës, Dick Marty u kërcënua me vdekje nga elementë radikalë të shërbimeve inteligjente serbe, të cilat e kishin shënjestruar për ekzekutim. Ekzekutimin e shmangu veprimi i shpejtë i policisë federale zvicerane, e cila i siguroi mbrojtje të ‘hekurt’.

Prokurori Publik nuk lëshoi ​​një letër kërkesë dhe FDFA-ja nuk ndërmori veprime diplomatike me Beogradin, raporton rts.ch, përcjell Bota sot.

Qëllimi, diskreditimi i shqiptarëve

Gjithçka filloi gjashtëmbëdhjetë muaj më parë, raporton Focus, që ishte në gjendje të fliste me Dick Marty-n në shtëpinë e tij në Ticino.

Në datën 18 dhjetor 2020, mora një telefonatë nga policia që më njoftonte se kërcënohesha me vdekje dhe më thoshte se do të vendosesha menjëherë në mbrojtje të lartë policore”, tregon ai. FedPol konsideron se ai është në rrezik të shkallës 5, maksimumi dhe i ofron të ndryshojë identitetin dhe adresën. “Shkalla 5 është të zhduket, por për mua ishte krejtësisht e përjashtuar”, dëshmon Dick Marty.

Gjatë udhëtimeve të tij të rralla, Dik Marti vesh një jelek antiplumb, makina e tij është e blinduar dhe e shoqëruar nga automjete policie me rroba civile.

Sipas Dick Marty-t, "kërcënimi me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilët i kërkuan botës së krimit, vrasësve profesionistë, të më likuidojnë thjesht për t'ua vënë fajin kosovarëve”.

Sipas hetimit të Focusit, Fedpol dha alarmin në dhjetor 2020 në bazë të informacionit të marrë nga shërbimet e inteligjencës zvicerane. Një burim konfidencial e informoi këtë të fundit për elementët e mëposhtëm, sipas një dokumenti nga Ministria Publike e Konfederatës (MPC) që Focus-i mundi të merrte: "Dick Marty duhet të vritet me urdhër të shërbimeve sekrete serbe. Vrasja e Dik Martit thuhet se iu besua burrave serbë që kanë kryer prej kohësh misione të tilla për shërbimin sekret serb dhe të cilët ishin trajnuar prej tyre si 'profesionistë absolut' që do ta zotëronin atentatin 'pa lënë gjurmë'. Për sulmin e planifikuar, një serb thuhet se ka kontrabanduar armë në Zvicër diku në dhjetor 2020. Për të përfituar nga vëmendja e shtypit lidhur me aktakuzën e Hashim Thaçit, vrasja duhet të paraqitet dhe t’i atribuohet qeverisë kosovare/shqiptare (ish-UÇK) për ta diskredituar atë ndërkombëtarisht”.

Në lidhje me këtë çështje për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava dhe analisti politik, Leon Duhanaj.

Tërnava: Dick Marty akuzat ndaj UÇK-së i ka bërë me urdhër të shërbimeve serbe, për përfitime financiar!

Në lidhje me kërcënimet e Dick Marty-t, në një prononcim për “Bota sot” eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, i përmendi të gjitha deklarimet e Marty-t në lidhje me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe akuzat e shumta ndaj saj dhe ushtarëve.

Image
Hajrullah Tërnava

Dick Marty ish raportuesi në Këshillin e Evropës, me rolin e tij që e kishte dikur në këtë institucion të rëndësishëm evropian, dikur ndërhyri dhe i akuzonte çlirimtarët tonë se gjatë luftës në “shtëpinë e verdhë” në rrethinë të Kukësit kishin transplantuar organe trupore. Në bazë të këtyre thashethemeve, jo rastësisht u krijua edhe Gjykata Speciale në Hagë, ku prej më shumë se një vit janë duke u zhvilluar seanca të rëndësishme për pastërtinë e luftës së UÇK-se, ku si të akuzuar tani janë ata luftëtar që ishin në ballë të atyre luftërave, e që tani janë të akuzuar si të dyshuar për krime lufte, e që dikur ishin të akuzuar për trafikim të organeve njerëzore. Gjë që rreth dy vite që funksionon ai gjyq, asnjëherë nuk u konstatua se a ka pasur krime të llojit sikur që dikur i akuzonte ky Dick Marty, i cili e di vetë se kush e detyroi të fliste ashtu pa pas asnjë fakt për ato aktakuza aq të rënda ndaj ushtarëve çlirimtarë të Kosovës”, deklaroi eksperti.

Krahas kësaj, Tërnava dyshon se Dick Marty ka mund të përfitojë financiarisht nga të gjitha ato akuza ndaj ushtarëve të Kosovës.

Madje, ai supozon që tani për këtë arsye shërbimi serb po e kërcënon atë me vrasje.

Mund të supozohet si konstatim se krejt këto akuza i ka bërë për përfitime të majme financiare, nga po ai shërbim sekret i Serbisë, e që tani i njëjti shërbim sekret po e kërcënon me vdekje nga elementi radikal i shërbimeve inteligjente serbe. Dick Marty ka deklaruar se plani ishte që vrasja e tij të kryhej nga veteranët serbë profesionist dhe që faji t’iu mbetej shqiptarëve të Kosovës, sikur që jemi të ballafaquar në të kaluarën edhe me shumë raste tjera, sa për ilustrim-rikujtim, rasti “Panda” në Pejë”, vlerësoi Tërnava.

Në vazhdim, eksperti i sigurisë potencoi disa nga vrasjet që serbët i organizonin në Kosovë, në disa prej lagjeve serbe.

Sikur në shumë raste të vrasjeve që i organizonin serbët gjatë periudhave 1990-1999, shërbimi sekret i organizonte sulmet e improvizuara ndaj lagjeve serbe apo varrezave serbe në dëmtimin dhe shkatërrimin e tyre, dhe pastaj ndërmerrte masa reprezalje ndaj popullatës shqiptare, dhe me këtë e arrinin qëllimin e tyre që e kishin të vrasin shqiptarë nëpër rrugë e restorante”, nënvizoi ai.

Krejt në fund, Tërnava thotë se qëllimi i vetëm i Serbisë është shpërngulja e shqiptarëve dhe marrja e Kosovës nën kontroll, gjë të cilën nuk ia arritën ta bënin.

Krejt qëllimi ishte që ta shpërngulin Kosovën nga popullata e banuar me shumicë absolute shqiptare, sikur që në shumë raste ia arritën atij qëllimi, sepse Kosova me suprimimin e autonomisë të viteve 1989, u okupua me forca të tjera speciale policore dhe ushtarake, deri në rezistencën luftarake nga ana e shqiptarëve të viteve 1998-1999 e që gjatë kësaj lufte që u zhvillua edhe faktori ndërkombëtar na ndihmuan në krye me Amerikën, NATO-n dhe shtetet mike që tani Kosova të jetë shtet i pavarur dhe i njohur nga shumë shtete të botës”, përfundoi Hajrullah Tërnava.

Duhanaj: Kërcënimi ndaj Dick Marty-t me jetë nga shërbimet inteligjente serbe, shpërfaq shumë gjëra

Ndërsa, edhe analisti politik, Leon Duhanaj thotë se kërcënimet e shërbimeve serbe ndaj Marty-t vënë në pah disa të vërteta në lidhje me raportin e ‘Shtëpisë së verdhë’ dhe akuzat për trafikim të organeve.

Image
Leon Duhanaj

Deklarata e Dick Marty-t se është nën kërcënim për jetë nga shërbimet inteligjente serbe, shpërfaq shumë gjëra, të cilat kanë të bëjnë me raportin e tij mbi të ashtuquajturën "Shtëpi e verdhë" dhe akuzave të rënda për trafikim organesh, si pjesë e konspiracionit mbi UÇK-në. Sipas këtyre lajmeve, mund të konkludojmë se shërbimet serbe kanë pasur për qëllim eliminimin e tij, duke synuar që t'i bëjnë dy punë të liga me një aksion të vetëm”, deklaroi ai.

Më tej, Duhanaj konsideron se tani pasi Marty e kreu urdhrin e dhënë, shërbimet serbe dëshirojnë ta likuidojnë atë dhe t’ia vënë fajin shqiptarëve të Kosovës.

Në njërën anë ta likuidojnë Dick Martyn, pasi që ai tashmë e ka kryer shërbimin e tij dhe ta heqin qafe çdolloj mundësie që nesër t'u dekonspirohet konspiracioni mbi UÇK-në, i cili si i gjallë mund të rrëfehet kur të dojë.

Dhe nga ana tjetër, fajin për vdekjen eventuale të tij, ta hedhin mbi ish-UÇK-në dhe ta paraqesin si hakmarrje ndaj raportit të tij. Falë Zotit që kjo lojë e fëlliqtë është hetuar nga shërbimet zvicerane dhe tashme çdo gjë ka dal sheshazi”, theksoi analisti.

Në fund, ai kërkoi nga institucionet e Kosovës që të komunikojnë me Dick Marty-n me qëllim që ta bindin për zhvleftësimin e raportit të tij dhe akuzave për trafikim të organeve.

Kishte me qenë mirë që Kosova në mënyrë institucionale të kërkoj ndonjë formë përafrimi me ish senatorin Dick Marty, dhe ta dekonspirojë edhe raportin si të tillë.

Tani më është e ditur se raporti ka qenë i pabazuar. Këtë e ka vërtetuar edhe Gjykata Speciale, por çfarë është me rëndësi të nxirret në pah është edhe bashkëpunimi i prokurorisë serbe në krijimin e akuzave false. Të gjitha burimet e akuzave ndaj UÇK-së janë fabrikuar në Serbi, dhe se Kosova tashmë duhet të bëhet aktive dhe ta dekonspiroj këtë maskaradë, në mënyrë që sa më shpejt edhe saga e gjykatës speciale të vihet në binarët e duhur apo të përfundoi fare”, përmbylli Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat