Ekspertët e zbulojnë prapavijën e ndihmës ushtarake të Kinës për Serbinë/ Çfarë skenari po përgatitet?

Politika

Ekspertët e zbulojnë prapavijën e ndihmës ushtarake të Kinës për Serbinë/ Çfarë skenari po përgatitet?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 12 prill 2022 Në ora: 17:26
Foto ilustrim

Situata në gjithë botën që nga fillimi i luftës në Ukrainë po vazhdon të mbetet e tensionuar.

Pushteti në Serbi, si duket nuk është i kënaqur me atë çfarë po ndodhë në Ukrainë. E pafuqishme t’i ndihmojë Rusisë, po përgatitet këtë ta bëjë në një mënyrë tjetër, duke provokuar konflikt në Ballkan.

E pandëshkuar për gjenocidin në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci, ajo po kërkon një konflikt të ri.

Kjo duket e qartë nga armatimi treditor me nga 6 avionë kinez.

Kjo ka nisur të alarmojë politikan dhe ekspert, se lufta mund të përhapet çdo ditë e më shumë në Ballkanin Perëndimor, nga nxitja e Serbisë prej Rusisë.

E njëri nga vendet e rrezikuara nëse mund të atakohet është Kosova, nga Serbia.

Provokimet e kësaj të fundit nuk po ndalen gjatë ditëve të fundit edhe mediat me ndikim në botë u përqendruan mjaft tek furnizimi me sistem të avancuar raketor i Serbisë nga Kina, nëpërmjet një operacioni gjysmë të fshehtë nga Serbia duke u furnizuar me armë nga Kina.

Fillimisht gjashtë avionë transporti Y-20 të Forcave Ajrore Kineze u ulën në aeroportin civil të Beogradit në orët e hershme të së shtunës, që thuhet se mbanin sisteme raketore tokë-ajër HQ-22 për ushtrinë serbe.

Avionët kinezë të mallrave me shenja ushtarake u fotografuan në aeroportin Nikola Tesla të Beogradit.

Ndërsa, të dielën besohet se erdhën edhe gjashtë aeroplanë të tjerë, duke kaluar mbi të paktën hapësirën ajrore të dy shteteve të NATO-s, të Turqisë dhe Bullgarisë.

Brukseli t’i ndalojë negociatat e anëtarësimit të Serbisë në BE

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk është përgjigjur akoma në lidhje me lajmin, por ai është konfirmuar nga presidenti autokrat serb Vuçiq, i cili ka paralajmëruar se të martën ose të mërkurën do t’ia prezantojë publikut.

Deri më tani, i vetmi institucion që ka reaguar në Kosovë është Presidenca, duke e vlerësuar si një akt kërcënimi për sigurinë, dhe për shkak të sjelljes së saj, kërkohet që procesi i anëtarësimit të Serbisë në BE të bllokohet.

Të hënën në mbrëmje, Vela shkroi se kjo ishte dita e tretë e dërgesave të armëve kineze në Serbi.

“Forcat Ajrore Kineze kryen edhe 6 fluturime të tjera drejt bazës ajrore të Batajnicës, duke i realizuar gjithsej 18 fluturime. Serbia po merr sistemin raketor kinez të mbrojtjes ajrore: FK3 SAM”.

“BE-ja duhet t’i ndalojë negociatat e pranimit të Serbisë”.

Po ashtu edhe të dielën reagoi ai në tviter, duke theksuar se ishte kryer fluturimi i dytë për në Serbi nga flota ajrore ushtarake e Kinës.

“Dita e dytë e dërgesave të armëve kineze në #Serbi: disa fluturake të PLAAF (Forca Ajrore Kineze) fluturuan mbi Bosfor gjatë rrugës për në Bazën Ajrore Batajnica për të dorëzuar Guizhou Aerospace, nga industria Shaanxi Yellow River Group prodhuar në versionin HQ22 Red Banner SAMK, për eksport”, thuhet në reagimin e tij.

Shala: Serbia po përgatitet për veprime të cilat japin pasiguri në rajon

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, flet eksperti i sigurisë, Drizan Shala i cili u shpreh se Serbia po i bën këto përgatitje që nga viti 2018 dhe armatimi me të cilën po furnizohet ajo lë të kuptohet që po përgatitet për veprime që japin pasiguri në rajon.

“Serbia që nga vitit 2018 ka filluar që në mbrojtje të investojë duke ndërruar konceptin deri atëherë që e ka patur ushtria e saj. Pra, me një investim mbi 2% të GDP vjetore, kjo lë për të nënkuptuar që në aspektin strategjik Serbia është duke u përgatitur për veprime të cilat përpos që japin inputin që pasiguria për rajonin mund të rritet, dhe po ashtu kjo mbështetet nga aspekti historik, Serbia është model për rritje të tensioneve dhe apetiteve të botës serbe në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ai.

Më tej ai thotë që Serbia ka zgjedhur që në planin e saj për ushtri të vazhdojë me Kinën më theks të veçantë ne pjese e dronëve.

“Në periudha të caktuara Serbia partner kryesor në modernizim të ushtrisë e ka patur Rusinë, por meqë kjo në këto momente ka sanksione nga pjesa më e madhe botës, Serbia ka zgjedhur që në planin e saj ushtarak të vazhdojë me Kinën, me theks të veçantë për armatosjen me dronë (“Rainbow” CH-92A attack drones ) dhe armatimit për komponentën tokësore të saj (këmbësori dhe artileri) si dhe sistemin e ri tokë-ajër të modelit FK-3/KS-1C të gjaneratës së fundit”, thotë eksperti.

Ndër të tjera Shala thotë që ne duhet të jemi syhapur, të kemi koordinim dhe subkoordinim me partnerin tonë SHBA-në në nivel strategjik, ndërsa në nivel operacional edhe me shtete ballkanike.

“Në këtë fazë vetëm linja kryesore për të hyrë në Rusi dhe për të dal i ka mbetur Air Serbia, e cila mund të përdoret nga ajo që të vazhdojë të furnizohet me armatim dhe sisteme të caktuara duke u larguar nga fluturimi ushtarak, duke përdorur linjën civile për t’ju ikur sanksioneve”.

“Ne duhet të jemi syhapur koordinim dhe subkordinim me partnerin tonë SHBA në nivel strategjik, ndërsa në nivel operacional Kroaci, Turqi dhe në nivel taktik në Shqipëri për të përballur çfarëdo aktiviteti të mundshëm nga Serbia drejt destabilizimit të sigurisë në Kosovë, e më gjerë në rajonin e Ballkanit dhe mund ta afektojë Kosovën”, thotë Shala për “Bota sot”.

Tërnava: Kina po bëhet shteti mik i radhës për Serbinë

Image
Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava

Ndërsa, eksperti tjetër i sigurisë, Hajrullah Tërnava në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që situata është konfliktuoze pasi lufta mes Rusisë dhe Ukrainës po zhvillohet shpejt.

“Politikat ndërkombëtare tani që po zhvillohen në këtë situatë konfliktuoze e sidomos të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, janë shqetësuese për të gjithë rajonin dhe popullin e botës, sepse kjo luftë shpejt mund të përhapet edhe në shtetet tjera të botës, dhe të merr përmasat e një lufte, të tretë botërore. Meqë e tërë bota demokratike në krye me Amerikën dhe NATO-në, janë në përkrahje të luftës së Ukrainës, e që po zgjatë mbi një muaj e tepër, tani në këtë kohë shtete të ndryshme bëjnë kalkulime dhe ndoshta edhe tregti të armatimit luftarak të nevojshëm edhe për luftën në fjalë, edhe që është vështirë të supozohen llojet e atij armatimi dhe dedikimit të tyre në këtë kohë, kur po ka dyshime se çfarë po transportojnë aeroplanët ushtarak kinez në Serbi. Meqë kjo luftë sikur e shpjegova se i ka paqartësitë e saj, e që Serbia mund të blejë qoftë edhe armatime ushtarake për nevoja të tyre, të llojeve çfarë i nevojiten shtetit serbë”, thotë ai.

Eksperti i sigurisë shton që Serbia, e cila është në përkrahje të luftës së Rusisë, është e mundur që Kina ta furnizojë Serbinë me atë lloj të armatimit.

“Sipas vlerësimeve të tyre për çfarë janë të interesuar, dhe gjithsesi se me vetë faktin e armatosjes së vetë Serbisë, ky shkak gjithnjë është i rrezikshëm dhe shqetësues për Kosovën, dhe pse jo edhe për Ballkanin. Edhe që Serbia është në përkrahje të luftës së Rusisë, është e mundur që Kina ta furnizojë Serbinë me atë lloj të armatimit që ka nevojë Rusia, dhe Serbia mund t’ia transportojë në forma të ndryshme Rusisë këtë lloj të armatimit. Meqë shumë pak shtete qëndrojnë në përkrahjen e luftës të Rusisë ndaj Ukrainës, megjithatë Kina asnjëherë nuk është shprehur kundër luftës së Rusisë ndaj Ukrainës, prandaj ky qëndrim i Kinës megjithatë na jep të dyshojmë se mund të jetë në përkrahje me armatimin apo teknika luftarake për Rusinë, e pse jo edhe në përkrahje të Serbisë”, thotë eksperti i sigurisë.

Në fund, Tërnava thekson që ndihmat që janë bërë nga shtetet ndaj Ukrainës dhe Rusisë do të vlerësohen në të ardhmen.

“Në këtë situatë të luftërave sikur në këto raste tani, është e kuptueshme se për të gjitha mënyrat e nevojshme të luftërave përdoren taktika të ndryshme të shkathëta që ia arrijnë qëllimit në këto situata, prandaj ato shtete që sakrifikojnë t’iu qëndrojnë në ndihmë shteteve në fjalë, pavarësisht për cilin shtet bëhet fjala, kur është në pyetje Rusia apo Ukraina, kontributi i tyre do të vlerësohet në të ardhme shumë nga vet ai shtet që ngadhënjen në këtë luftë”, përfundoi Tërnava për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat