Serbia po armatoset ta krijojë ‘botën serbe’! Përveç Putinit po e mbështetë edhe Rama

Politika

Serbia po armatoset ta krijojë ‘botën serbe’! Përveç Putinit po e mbështetë edhe Rama

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 17 prill 2022 Në ora: 13:54
Vladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiq, foto ilustrim nga "Bota sot"

Kosova duhet ta gjejë mënyrën për t’iu kundërvënë forcimit ushtarak të Serbisë, për shkak të pretendimeve të saj, ndaj Kosovës.

Sipas ekspertëve të sigurisë, Serbia po synon krijimin e një bote serbe në miniaturë apo si imitim të botës ruse, që e ka si objektiv Rusia dhe Putini.

Në funksion të kësaj ditëve të fundit, në Serbi arritën sisteme kundërajrore kineze, FK-3. Sisteme të tilla janë të ngjashme me sistemin rus S-300, apo atë amerikan, Patriot.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se blerja e sistemeve të tilla është "legjitime, plotësisht e rregullt dhe transparente".

Çuditërisht në mbrojtje të armatosjes së Serbisë doli kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në vend që ta sulmonte dhe të ushtronte trysni tek bashkësia ndërkombëtare, për rreziqet dhe tendencat putiniste të Vuçiqit.

Kjo ngjalli reagime të shumta, kështu edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se armatosja e Serbisë nga Kina, por dhe Rusia në dekadën e fundit, tregon se Beogradi nuk është “i interesuar për stabilitet dhe paqe” në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Armatimi i Serbisë nuk po ndodh vetëm tani. Tani ka marr përmasa edhe shqetësuese, por siç e dini, në raport me Rusinë dhe Kinën, ata janë duke e rritur armatimin e tyre, minimum në dhjetë vjetët e fundit dhe kjo tregon që Serbia nuk është e interesuar për paqe dhe stabilitet në rajonin tonë, por tregon se akoma dëshiron të shkaktojë destabilitet, edhe e ndikuar nga Rusia, satelitë i së cilës Serbia është”, ka thënë Osmani.

Madje sipas Osmanit, shteti serb është në “rrugën e presidentit të Rusisë, Vladimir Putinit”.

Ndërsa, sipas ministrit të Mbrojtjes të Kosovës, Armend Mehaj, Kosova është furnizuar me pajisje shumë të mira ushtarake dhe po vazhdon ta bëjë këtë, ndërsa vendi është i sigurt falë FSK-së dhe miqve ndërkombëtarë.

“Beogradi asnjëherë nuk ka hequr dorë nga pretendimet e tyre për një botë Serbe”

Image
Eksperti i sigurisë Drizan Shala

Lidhur me këtë, eksperti i sigurisë Drizan Shala, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Serbia gjithmonë është furnizuar nga Rusia për armatim, ndërsa tani po mundohet të gjejë partner tjerë për faktin e pozicionit të tyre si neutral në raport me luftën Rusi- Ukrainë.

“Vazhdimësia e armatosjes së ushtrisë së Serbisë që nga viti 2011 ku rreth 2% të PPB-së (GDP) kjo ka dislokuar për këtë pjesë dhe deri më tani partner të saj strategjik ka pasur Rusinë, e cila ka dhuruar edhe pajisje tjera ushtarake në periudha të ndryshme kohore. Por, këto ditët e fundit si pasojë e pozicionimit të Serbisë si vend neutral në raport të konfliktit Ukrainë-Rusi, kjo është detyruar që të gjejë një partner tjetër për të përmbushur në njërën anë nevojat e saj, ndërsa në anën tjetër për të forcuar aleancën e saj me Kinën”, thotë Shala.

Sipas tij, Serbia po armatoset, me qëllim që të jetë e gatshme në rast të ndonjë impakti rajonal, përndryshe konfliktet e tyre janë dëshira e ndryshimit të kufijve.

“Se ku do të jetë qëndrimi i Serbisë me gjithë këtë armatim, mund të themi që nga prognoza ime kjo e fundit është e vendosur që në periudhën 2022-2025 të shtojë kapacitet, dhe kështu në varësi të ndryshimeve eventuale gjeostrategjike në botë mund të ketë impakte në rajon, dhe atëherë kjo këtë gamë të gjerë të armatimit ta përdorë. Beogradi asnjëherë nuk ka hequr dorë nga pretendimet e tyre për një minibotë serbe, si miniaturë e botës ruse të Putinit. Pra, derisa ky është edhe qëndrimi zyrtar i tyre atëherë konfliktet mund të jenë pjesë përbërëse e dëshirave për të ndryshuar kufijtë nëpërmjet formave dhe mundësive të ndryshme duke treguar forcën ushtarake të saj”, potencoi ai.

Qëllimi i deklaratës së Osmanit

Image
Rexhep Shahu

Ndërsa, Rexhep Shahu, shtoi se deklarata e Osmani është e njohur, Shahu e sheh si ankesë, por megjithatë, ai potencon se deklarata e saj po i drejtohet fuqive të mëdha për të kërkuar mbrojtje.

“Presidentja Osmani nuk po thotë ndonjë gjë të re, as të paditur, as të panjohur në raport me Serbinë sa deklarohet dhe ankohet ajo për armatimin e Serbisë. Presidentja Osmani po u thotë njerëzve gjëra të ditura e të njohura. Kjo është ankesë dhe ne shqiptarët mbetëm duke u ankuar e duke lypë mbrojtje e përkrahje. Deklarata e presidentes është për tu thënë fuqive të mëdha se po armatoset Serbia, gjë të cilën ato e dinë. Presidentja Osmani të ndikojë të forcohet ushtria e Kosovës”, është shprehur Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat