Rizgjedhja e Makronit në Francë, mundëson liberalizimin e vizave për Kosovën?

Politika

Rizgjedhja e Makronit në Francë, mundëson liberalizimin e vizave për Kosovën?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 30 prill 2022 Në ora: 15:02
Emmanuel Macron dhe Albin Kurti

Pak ditë më parë Emanuel Makron u rizgjodh President i Francës në zgjedhjet presidenciale. Urimet për rizgjedhjen nuk munguan as nga krerët e shtetit të Kosovës, e një ndjenjë feste reflektoi edhe tek qytetarët e Kosovës. Kjo pasi, Makron mposhti kundërkandidaten Marine Le Pen, që ishte e afërt me politikën ruse të Vladimir Putinit. Vetë Makron e akuzoi atë se varej nga Rusia dhe presidenti i saj, Vladimir Putin, për financimin e partisë së saj.

Presidentja e Kosovë, Vjosa Osmani, ka uruar rizgjedhjen e Emmanuel Makron, në krye të Presidencës së Fracës. Osmani në Tviter, ka shkruar se pret forcim të bashkëpunimit dhe thëllim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Francës.

“Unë e përgëzoj Presidentin Emmanuel Makron në rizgjedhjen e tij sonte. Pres me padurim forcimin e bashkëpunimit dhe thellimin e marrëdhënieve tona të shkëlqyera dypalëshe. Mbështetja e tij është kyçe për rrugën tonë të qëndrueshme euroatlantike”, ka shkruar Osmani.

Po ashtu edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar Emmanuel Makronin për rizgjedhjen e tij si President i Francës.

“Urime për Emanuel Makron në rizgjedhjen e tij. Është një fitore e shpresës mbi frikën dhe një shans i ri për Francën për të ndihmuar në bashkimin e Evropës në paqe, demokraci dhe solidaritet”, ka shkruar Kurti.

Mirëpo, një rizgjedhje e Makronit si president francez, sa iu bën dobi shqiptarëve dhe Kosovës në përgjithësi në rrugën e saj evropiane?

Fehlinger: Tani është momenti për të hequr vizën Shengen për Kosovën

Image
Eksperti austriak Gunther Fehlinger

Lidhur me këtë ka folur për ‘Bota sot’ eksperti austriak Gunther Fehlinger, duke kërkuar nga Makron që Kosovës t’i liberalizohen vizat.

Ai thotë se ndonëse nuk ishte e merituar, por duke qenë se Le Pen është afër Putinit, zgjedhja e Makronit është shkak për festë.

“Pasi Makron bllokoi liberalizimin e vizave për Kosovën për 5 vjet për shkak të miqësisë tradicionale të Francës me Serbinë dhe për të kënaqur Putinin dhe Vuçiqin, tani është momenti për të hequr vizën Shengen për Kosovën. Në momentin e fitores, edhe presidenti francez mund të bëjë gjënë e duhur dhe të jetë bujar. Kosova ka kohë që i ka përmbushur të gjitha kriteret që ishin të nevojshme. Kosova ishte gati në vitin 2017. Fatkeqësisht, Makron e parandaloi këtë”, thotë Fehlinger.

Ai thotë tutje se, Makron fitoi pavarësisht politikës së tij katastrofike të jashtme dhe evropiane dhe seriozisht, nëse Kosova tani ka qasje pa viza në Shengen apo jo, nuk vendosi për këto zgjedhje dhe nuk do të vendosë as për zgjedhjet parlamentare në qershor.

“Kosova tani do të bëhet edhe anëtare e Këshillit të Evropës, aplikimi për statusin e kandidatit në BE tani do të vijë, dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO po shqyrtohet seriozisht. Dhe atëherë Kosova ka ende kërkesa për viza për Shengen? Është një relike dhe një anakronizëm. Ne e trajtuam këtë çështje tashmë në vitin 2010 dhe e bëmë vetë për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë. Dhe a nuk jemi të gjithë europianë? Pra, pse kjo formë e poshtër e ngacmimit ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës?”, vlerëson ai.

Mulliqi: Zgjedhja e Makronit për president konsiderohet si zgjedhje shumë më e mirë se sa e Le Pen

Image
Njohësi i ҫështjeve politike, Skender Mulliqi.

Lidhur me këtë ҫështje ka folur edhe njohësi i ҫështjeve politike, Skender Mulliqi. Ai thotë se me dekret kushtetues, zgjedhjet në Francë mbahen çdo pesë vjet dhe presidenti zgjidhet me votë popullore. Me interesim të madh është pritur se kush do të jetë në krye të Francës për mandatin e ardhshëm.

“Presidenti Emmanuel Makron e mposhti kandidatën e ekstremit të djathtë politik për president të Francës, Marine Le Pen. Bukur shumë është menduar në opinion e gjerë publik që kësaj radhe Makron nuk do të jetë president edhe për një mandat, duke u favorizuar Le Penin, e cila nuk gëzon reputacion të mirë sidomos te emigrantët e shumtë, të cilët jetojnë në Francë. Ajo kishte paralajmëruar masa të rrepta ndaj komunitetit mysliman aty, duke i kërcënuar se nuk do të lejohet mbajta e shamisë dhe haxhobeve, për çka edhe Makron, kishte deklaruar gjatë fushatës se nëse fiton Le Pen, ka mundësi të një lufte civile në Francë. Le Pen kishte ngritur akuza ndaj Makron për zhvillim të dobët ekonomik, dhe për probleme të tjera të natyrës sociale. Makron ishte treguar shumë më liberal në këtë drejtim duke thënë se me të si president nuk do të ketë asnjë ndalesë të simboleve fetare, duke e konsideruar si antikushtetuese, dhe duke premtuar për rimëkëmbje të re ekonomike të vendit”, thekson ai.

Mulliqi thotë se për Kosovën që neve na intereson zgjedhja e Makronit për president konsiderohet si zgjedhje shumë më e mirë se sa e Le Pen.

“Gjatë fushatës Makron i shfrytëzoi pikat e dobëta të Le Pen, Rusinë dhe BE-në, dhe e akuzoi atë se varet nga Rusia dhe presidenti Putin për financimin e partisë të saj. Duket se ky ishte njëri ndër elementet qenësore pse edhe Makron e mposhti Le Penin. Në qarqet diplomatike Makron konsiderohet se do të jetë shumë më konsistent në politikat e jashtme, e sidomos kur bëhet fjalë për Rusinë dhe Serbinë. Pse Franca nuk u tregua shumë dashamirëse të shprehem ashtu që Kosova të ketë liberalizim të vizave deri më tash, më duket se ndikuan këto zgjedhje. Tash mendoj, se vendit tonë dhe qytetarëve shumë ju ka hapur rruga që brenda këtij viti edhe të kemi liberalizim të vizave, dhe se Franca dhe as Holanda nuk do të bëjnë pengesa në këtë drejtim. Edhe kur është çështja e vazhdimit të dialogut me Serbinë, pas rizgjedhjes së Makronit, Franca do të ketë rol shumë më aktiv e të rëndësishëm, e të dobishëm për Kosovën, për arritjen e ndonjë marrëveshje finale më Serbinë”, thekson ai.

Sipas tij, fitorja e pro-evropianit Makron, do të jetë rikthim pozitiv i politikave të BE-së, e cila strukturë nuk është treguar shumë e suksesshme viteve të fundit, dhe as në rastin e Kosovës, duke pësuar një status quo politike.

“Makron është bërë presidenti i parë në historinë moderne të Francës që ka fituar mandat të dytë dhe ka shumicë parlamentare. Shumë burrështetas të Evropës, kështu edhe presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, duke ja uruar rizgjedhjen Makronit, thanë se fitorja e tij është një lajm i mirë për të gjithë. Kosova nga kjo rrethanë e re politike në Francë, dhe nga rrethanat që i ka krijuar invazioni rusë në Ukrainë, do të ketë përkrahje si kurrë më parë, nga Evropa dhe Amerika që të bëhet pjesë e strukturave relevante të BE-së, në njërën anë, por që të bëhet edhe pjesë e NATO-s”, vlerëson ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat