Përveç ndëshkimit për ish-ministren Dhurata Hoxha për “modifikimin e territorit”, paralajmërohet dënim edhe për këta politikanë!

Politika

Përveç ndëshkimit për ish-ministren Dhurata Hoxha për “modifikimin e territorit”, paralajmërohet dënim edhe për këta politikanë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 20 maj 2022 Në ora: 17:47
Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Ka më shumë se dy vite që Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën për korrupsion ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, është akuzuar se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.

Ndërsa, ditë më parë janë zbuluar një seri dallaveresh të ish-ministres duke vënë në pah keqpërdorime të vazhdueshme.

Mbi 140 mijë euro të buxhetit të Shtetit, të cilat ishin destinuar për informimin e drejtë të qytetarëve rreth liberalizimit të vizave përfunduan duke promovuar fushatën elektorale të ish-ministres Dhurata Hoxha për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.

Kështu përshkruhet në aktakuzën voluminoze të Prokurorisë Speciale përmes së cilës për afera korruptive po akuzohen ish-ministrja Dhurata Hoxha dhe zyrtarët e tjerë të kësaj ministrie, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi.

Këto mjete kishin përfunduar në llogaritë e disa portaleve përmes kompanisë “PR Solutions” e cila e kishte marrë kontratën “Informimi i publikut për nevojat e MIE-së”.

Ajo që po merr vëmendjen tashmë për këtë temë është nëse do të duhej të merrnin përgjegjësi edhe ish-presidenti, Hashim Thaçi dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj?

Pasi ky i fundit ishte shef i qeverisë gjatë kohës për të cilën ministres i është konfirmuar aktakuza.

Gjithashtu ministrja Hoxha është përfolur në vazhdimësi që ka qenë nën urdhrat e ish-presidentit Thaçi.

Qarri: Ish-ministrja do të jap llogari për çdo dëm që i ka shkaktuar shtetit tonë

Image
Analisti politik, Gani Qarri

Në lidhje me këtë temë analisti politik, Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh se është një lajm shumë i mirëpritur që më në fund do të gjykohet ish-ministrja për të bëmat e saj.

Ai thekson që e njëjta ka qenë nën urdhrat e Thaçit, Veselit dhe Haradinajt.

“Lajmi simbolik se më në fund, ish këshilltarja e kuislingut Hashim Thaçi dhe e Kadri Veselit, si dhe ministrja nga radhët e PDK-së, e cila pikërisht në kohën kur vepronte kinse si ministre për "integrime evropiane" në qeverinë e Ramush Haradinajt, prapa shpinës së qytetarëve të vendit, paguante në emër të tyre, firmën e dyshimtë franceze “Majorelle PR & Events me mbi 168 mijë euro para të taksapaguesve të varfër, për propagandimin e ndarjes së Kosovës, kudo në botë, pa dyshim gëzoi shumë dhe mbushi me shpresë të gjithë qytetarët e Kosovës në vend dhe diasporë, se më në fund, ngadalë por sigurt, ka nisë të funksionojë ligji edhe në Kosovë.

Por, siç është në dijeni mbarë opinioni, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj & Co, janë ata, të cilët i kanë parapri si fushatës së ndarjes dhe faljes së tokave tona vendeve fqinje, ashtu edhe shuarjes së shtetësisë së Kosovës”, u shpreh ai.

“Aktakuza ka nisur mbrapsht dhe në vend se të filloi nga kreu, ka nisur nga fundi”

Qarri shpjegon tutje se përveç ministres duhet të japin llogari edhe liderët e saj pasi të njëjtit kanë qenë të përfshire po aq sa Hoxhaj dhe se padia duhet të zgjerohet.

“Dhe përderisa Thaçi më 25 korrik të vitit 2018, në Alpbach të Austrisë, ku po mbahej forumi i vendeve të Ballkanit Perëndimor, kërkonte publikisht ndarjen e Kosovës, krahas kërkesës së Thaçit, këshilltarja e tij dhe ministrja për “integrim evropian” në qeverinë e PAN-it, të udhëhequr nga Ramush Haradinaj, Dhurata Hoxha paguante firmën franceze “Majorelle PR & Events” me mbi 168 mijë euro para të taksapaguesve të varfër të Kosovës, për promovimin, prapa shpinës së tyre, të ndarjes së Kosovës.

Kështu që duhet theksuar apriori, që në fillim të këtij shkrimi, se megjithëse aktakuza ka nisur mbrapsht dhe në vend se të filloi nga kreu, ka nisur nga fundi, kjo nuk guxon të mbetet, një padi kaq e ngurtë dhe e thjeshtësuar në përmasa kaq qesharake, por edhe prokuroria e di mirë, se herët a vonë do të jetë e detyruar ta zgjerojë aktakuzën dhe ti jap problemit trajtim real, duke paditur, pikësëpari iniciuesit dhe autorët kuisling të aventurës renegate të ndarjes së vendit, të cilët nuk hezituan, që të keqpërdornin edhe buxhetin e shtetit dhe parat e taksapaguesve të varfëruar, për të paguar me shuma të majme, edhe firmat e huaja, për ndarjen e Kosovës”, shton analisti.

Haradinaj së bashku me PDK duhet të japin llogari për pazaret në dëm të Kosovës

Në bisedë e sipër Qarri thotë se Haradinaj duhet të jep sqarim për të gjitha pazaret që kanë bërë së bashku me PDK-në duke shtuar që shumë shpejt do të japin llogari edhe ata.

“Ndaj para se të vijoj ngritjen e zërit me vrazhdësi në Kuvend kundër qeverisë aktuale, ka ardhur koha që kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj t`ua shpjegojë përfundimisht qytetarëve të vendit, se si guxoi ministrja Dhurata Hoxha, pikërisht gjatë qeverisjes së tij, të paguante firmat e huaja, të lobonin me parat e taksapaguesve të vendit, prapa shpinës së tyre, për ndarjen e Kosovës dhe tu thotë qartë, njerëzve të këtij vendi, se mos ndoshta edhe kjo ishte pjesë e pazarit për karrigen e kryeministrit me PDK-në. Përndryshe ai me shokët e lartcekur, duhet të bëhen gati ngadalë, se ndoshta kjo punë mund të vonojë pak, por pas reformimit të sistemit të drejtësisë që tanimë po zhvillohet si proces, edhe me ndihmën e Komisionit të Venecias, është e sigurt se nuk do të jetë e largët dita”, tha ai.

Hashim Thaçi, Ramushi si shef i qeverisë së PAN-it, janë të parët, ata të cilët do duhej të vendoseshin para drejtësisë, potencoi analisti.

“Prandaj, një prokurori e pandikuar politikisht, e një vendi me rend e ligj ku funksionon shteti i të drejtës, qysh në fillim, të parët që do të merreshin në përgjegjësi do duhej të ishin Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj, njëjtë siç ka vepruar edhe Kroacia me ish kryeministrin Sanader, i cili është dënuar me 6 vjet burg vetëm për marrjen e një ryshfeti, dhe tek në fund të paditej Dhurata Hoxha, e cila ka vepruar sipas direktivave të shefave të vet si Hashimi e Ramushi dhe ka paguar firmat e huaja me para të taksapaguesve të vendit për ndarjen e shtetit të Kosovës, vetëm me lejen dhe miratimin e tyre, ndaj kuislingu Hashim Thaçi për inicimin dhe direktivat e ndarjes, kurse Ramushi si shef i qeverisë së PAN-it, janë të parët, ata të cilët do duhej të vendoseshin para drejtësisë, e krahas tyre edhe Dhurata Hoxha dhe dhurues e bashkë-dhurues të tjerë, të cilët pa asnjë mëshirë, falën e shitën tokat e Kosovës gjithandej, për interesat e tyre personale, për çka më në fund edhe duhet ta marrin dënimin e merituar”, nënvizoi Qarri për “Bota sot”.

Ahmeti: Znj.Dhurata Hoxha do të kishte hapësirë që bashkëfajësinë ta barte edhe te zoti Haradinaj

Image
Analisti Hidajet Ahmeti

Ndërsa analisti tjetër politik, Hidajet Ahmeti në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që përgjegjësia për këtë aktakuzë bie edhe mbi ish-kryeministrin e parë të qeverisë së atëhershme dhe ish-ministrja duhet të bashkëfajësoj Haradinajn.

“Në aspektin juridik përgjegjësia do të bie edhe mbi ish-kryeministrin si i pari i qeverisë, por nganjëherë edhe gjykatësit din të shfrytëzojnë vakumet ligjore. Vartësit, në këtë rast znj.Dhurata Hoxha do të kishte hapësirë që bashkfajësinë ta barte edhe të zoti Haradinaj, pasi në aspektin hierarkik përgjegjësia bie edhe mbi shefin e qeverisë”, thotë ai.

Në fund, analisti thotë që e njëjta përgjegjësi nuk mund të bie edhe mbi Thaçin në aspektin kushtetues dhe ligjore.

“Kurse sa i përket Thaçit, nuk mendoj që përgjegjësia do të binte mbi të, pasi në aspektin kushtetues dhe ligjor, këto dy pozicione janë të pavarura në kuptimin e funksionimit, përveç ato raste nëse zoti Thaçi do të ishte iniciues apo bashkëfinancues në këtë projekt të lobimit për “modifikimin e territorit”, përmbylli Ahmeti për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat