Vrasjet e pasluftës/ Kush i bëri, kush i urdhëroi!? Vjen lajmi i mirë për familjet e viktimave

Politika

Vrasjet e pasluftës/ Kush i bëri, kush i urdhëroi!? Vjen lajmi i mirë për familjet e viktimave

Nga: A.M Më: 12 qershor 2022 Në ora: 12:26
Foto ilustrim "Bota sot"

Jack Smith është bërë Prokurori i parë i Specializuar që ka marrë mandatin e dytë në Gjykatën Speciale.

Që nga fillimi i proceseve gjyqësore në Hagë, prokurori Smith ka qenë cak i kritikave nga mbështetësit e të arrestuarve në Hagë.

Megjithatë, njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti në një prononcim për “Bota sot” e vlerësoi lartë punën e prokurorit Jack Smith.

Sipas tij, prokurori amerikan është shpresë për familjet e viktimave të pasluftës, i cili nuk bën kompromise me ligjin.

Image
Faton Mehmeti

“Mandati i dytë i z. Smith është shpresë për familjet e të vrarëve pas lufte, po flasim për një person që është shumë i mirë në profesion, nuk bën tolerancë me ligjin dhe i shkon të vërtetës deri në fund. Për këto gjëra kanë nevojë familjet e të vrarëve, që janë në kërkim të drejtësisë për 22 vjet.”, deklaroi analisti

Krahas kësaj, Mehmeti beson se Specialja në krye me prokurorin Smith do t’i zbardhin këto vrasje, ku familjet e viktimave do të ndjehen më të çliruara dhe më të sigurta.

“Besoj shumë se me z. Smith në krye të saj, Gjykata Speciale do të nxjerr shumë të vërteta të pazbardhura që nga paslufta. Kosova ka pasur nevojë për një prokuror të tillë, fatkeqësisht u desht që të formohet Gjykata Speciale që të shpresohet për zbardhjen e vrasjeve që është dashur të ndodhin në Kosovë. Jam i bindur se me rizgjedhjen e z. Smith shumë familje do të ndjehen më të sigurta, më të mbrojtura dhe më të çliruara në pritje të drejtësisë së munguar”, theksoi ai.

Në fund, analisti tha se prokurori Smith ka dëshmuar punën në drejtësi, dhe se është interes i familjeve të viktimave të pas luftes dhe Kosovës në përgjithësi zbardhja e këtyre raste.

“Është në interes jo vetëm të familjarëve, në tërësi në interes të Kosovës që të dihet për çdo vrasje kush e ka urdhëruar dhe kush e bëri. Kam shpresë në z.Smith, njeri i dëshmuar për punë, drejtësi dhe paanshmëri”, përfundoi Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat