Prapaskenat për rrëzimin e qeverisë Kurti/ Çfarë fshihet pas deklaratave të Arben Gashit!?

Politika

Prapaskenat për rrëzimin e qeverisë Kurti/ Çfarë fshihet pas deklaratave të Arben Gashit!?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 1 gusht 2022 Në ora: 19:34
Kuvendi i Kosovës

Deklarata e shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashit se tetë deputetë të koalicionit qeverisës të LVV-së do të kalojnë në LDK, ka ngjallur reagime dhe debate të shumta.

Krahas kësaj, ai paralajmëroi edhe rrëzimin e qeverisë Kurti 2 në vjeshtën e këtij viti.

“Në vjeshtën e vonshme pritet të ketë rënie të Qeverisë Kurti 2”, kështu ka deklaruar Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, duke thënë se koha e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për një qeverisje komode ka skaduar.

Po ashtu, Gashi tha se në këtë kohë do të ketë ngritje të opozitarizmit dhe pritet që të ketë rënie të Qeverisë, sepse siç është shprehur ai ka lëvizje brenda koalicionit dhe pakënaqësi në mes deputetëve të VV-së.

“Ka indikacione, ka lëvizje dhe interesime. Janë tetë deputetë që kanë shprehur interesim për të ardhur nga koalicioni”, ka thënë Gashi.

E këtë gjë, e kanë mohuar nga radhët e koalicionit qeverisës, mirëpo kishte analiza dhe komente të shumta në lidhje me këtë ngjarje.

E njohësit e çështjeve politike, Rexhep Elezaj dhe Skënder Mulliqi komentuan këtë gjë dhe treguan sa janë gjasat që të rrëzohet qeveria aktuale..

Elezaj: Deklarata e Arben Gashit është iluzore dhe e parealizueshme

Image
Opinionisti Rexhep Elezaj

Opinionisti Rexhep Elezaj në një prononcim për “Bota sot” komentoi paralajmërimin e Gashit të LDK-së për rrëzimin e qeverisë Kurti dhe largimin e disa deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje.

Fillimisht, sipas tij kjo deklaratë sa është politikisht spekulative, po aq është iluzore dhe e parealizueshme.

“Se a do të realizohet deklarata malicioze e deputetit dhe kryetarit të Grupit parlamentar të LDK-së, z. Arben Gashi, për shkëputjen e një grupi prej 10 deputetësh dhe pastaj në vjeshtë ta rrëzojnë qeverinë “Kurti-2”, mendoj se për aq sa kjo deklaratë është politikisht spekulative, po aq është iluzore dhe e parealizueshme, dhe atë për disa arsye”, deklaroi ai.

Elezaj vlerësoi se edhe nëse LDK arrin t’ia marrë 10 deputetë LVV-së, prapë se prapë nuk i ka të sigurtë numrat për mocionin e mosbesimit.

“Së pari, edhe po të arrinte t’i shkëpuste 10 deputetë nga LVV-ja, në asnjë rrethanë të mundshme, sado spekulative të jetë mundësia, qoftë edhe hipotetike, Arben Gashi dhe ata të cilët mendojnë sikur ai, nuk e kanë të sigurt se do të arrinin numrin e nevojshëm të deputetëve për ngritjen e mocionit në Kuvend për rrëzimin e qeverisë, sepse nuk i kanë të sigurta as votat e minoriteteve, por as tek partitë opozitare PDK-ja dhe AAK-ja, të cilat sipas shumë gjasave aktualisht nuk janë të gatshme që ta mbështesin LDK-në për rrëzimin e qeverisë, sepse përveç se këto tri parti opozitare nuk kanë qëllime të përbashkëta për një ndërmarrje të këtillë, ato nuk kanë as interesa të njëjta politike për rrëzimin e qeverisë, sidomos jo në këtë fazë nëpër të cilën po kalon Kosova, Ballkani dhe Evropa”, theksoi opinionisti.

Në vazhdim, ai beson se partitë opozitare nuk i kanë qëllimet e përbashkëta për rrëzimin e qeverisë, pasi divergjencat janë të mëdha mes këtyre subjekteve politike.

“Pra, derisa partitë opozitare nuk kanë qëllime dhe strategji të përbashkët për rrëzimin e qeverisë, meqë i ndajnë shumë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm politik, ato nuk mund të kenë as bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve, të cilat kërkohen në rastet kur synojnë rrëzimin e qeverisë në pushtet dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të reja parlamentare. Pra, janë divergjencat e mëdha midis këtyre partive që nuk u garantojnë kurrfarë suksesi për rrëzimin e qeverisë, dhe këtë e dinë edhe ata vetë, por si opozitë po sillen sikur gjoja kanë synime të përbashkëta për rrëzimin e qeverisë “Kurti-2”!?”, konsideron Elezaj.

Gjithashtu, opinionisti tha se me nënshkrimin e marrëveshjes me MCC-në në vlerë të 236 milionë dollarëve kjo qeveri i ka përforcuar edhe më shumë bindjet në popull.

“Së dyti, qeveria “Kurti-2”, edhe pranë mos realizimit të shumë premtimeve elektorale, pranë shumë gabimeve në qeverisje të vendit, të mos arritjes për të bërë reforma në ekonomi, arsim, shëndetësi dhe politikën e jashtme, etj., sipas analizave të ekspertëve të brendshëm dhe të huaj, por edhe sipas disa sondazheve, me gjithë rënien e dukshme të përqindjes së përkrahjes në popull, në një mënyrë apo tjetër, ajo ka arritur ta ruaj imazhin dhe stabilitetin qeverisës, si e suksesshme, gjë që tendencat e opozitës për rrëzimin e saj i bën gati minimale. Sidomos tash pas vizitës së suksesshme në SHBA të presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, meqë rast nënshkruan marrëveshjen me MCC-in me të cilën Kosovës iu ndanë rreth 236 milionë dollarë ndihma financiare për rritjen dhe zgjidhjen e problemit të energjisë në Kosovë, ndaj opozita në krye me Arben Gashin, pothuajse e kanë të pamundur rrëzimin e qeverisë aktuale, sepse kjo qeveri me këtë marrëveshje i ka përforcuar edhe më shumë bindjet në popull, se po punon për të mirën e tij”, potencoi ai.

Ndër të tjera, shtoi se qeveria nuk ka nevojë për rrëzimin e saj, por për disa ndryshime në kabinetin qeveritar dhe largimin e disa ministrave të dobët.

“Së treti, qeveria “Kurti-2” në vend se të rrëzohet nga opozita ajo ka nevojë për ndryshim të kabinetit qeveritar, ndërrim të disa ministrave për performancën e tyre të dobët, si një masë reformuese dhe dinamizuese në punën e saj, ndonëse në këtë kontekst opozita e mirëfilltë do të duhej të ishte më konstruktive, më aktive, më bashkëpunuese si dhe më e zëshme në planin e kritikave dhe sugjerimeve, se si të dilet nga kriza aktuale ekonomike në Kosovë, si të përmbyllet dialogu me Serbinë fashiste, etj., e jo të punojë për rrëzimin e qeverisë, e cila i ka marrë mbi 50% të votave të elektoratit.

Ndaj kjo situatë e bën z. Arben Gashi dhe të tjerët pranë tij, që të “prashisin në ujë” kot nasi koti..!?”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Mulliqi: Deklarimi i Gashit ka qenë më shumë një test dhe propagandim karshi opinionit të gjerë publik

Image
Analisti politik, Skënder Mulliqi

Kurse, analisti politik, Skënder Mulliqi në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tha se rrëzimi i qeverisë Kurti 2 vështirë se mund të ndodhë, derisa kritikoi ashpër partitë opozitare për qasjen e tyre.

“Tashmë dihet qëllimi i opozitës, që me çdo kusht po synojnë rrëzimin edhe të Qeverisë Kurti 2. Rrethanat politike kanë qenë krejt të tjera kur është rrëzuar qeveria e parë e Albin Kurtit, sepse LVV ishte në koalicion më LDK, dhe kjo e dyta ishte ajo që bëri që qeveria shumë herët të bie. Ndërsa tani edhe pse opozita dhe shefi i Grupit Parlamentarë të LDK-së, po kërkojnë më ngulm rënien edhe të kësaj qeveria, shumë vështirë do të jetë. Së pari, kjo qeveri e ka shumicën e votave, LVV-ja është në koalicion kësaj radhe me Listën Guxo, që mendoj se po funksionon mirë. Opozita ishte dashur të vetëdijesohet më shumë në të bërit opozitarizëm, duke lënë anash qëndrimet e saj destruktive e inatçore, që me çdo kusht ta rrëzojë edhe këtë qeveri”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Mulliqi nuk beson se nga Vetëvendosje do të largohen 8 deputetë, këtë deklaratë të Gashit, më shumë e cilëson si një propagandë politike.

“Unë nuk e besoj që nga LVV-ja do të largohen 8 deputetë të saj siç i ka përmendur, Arben Gashi. Nuk kanë pse të jenë të pakënaqur, kur qeveria është duke bërë punë të mira, si në planin e jashtëm ashtu edhe në planin e brendshëm politik. Më duket se deklarimi i Gashit ka qenë më shumë një test dhe propagandim karshi opinionit të gjerë publik, se sa që ka mundësi që LVV-në ta lëshojnë disa deputetë të saj, për t’iu bashkangjitur LDK-së, e cila ende nuk e ka të rregulluar sa duhet radhën e vetë, pas largimit të Mustafës nga posti i të parit”, theksoi analisti.

Po ashtu, marrë parasysh dialogun në Bruksel, ai beson se Kurti është njeriu i duhur në vendin dhe në kohën e duhur për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

“Si duket, PDK-ja nuk mendon se kjo qeveri do të bie në vjeshtën e vonë, kështu janë disa deklarime nga kjo parti politike.

Pastaj, nuk do të bie qeveria edhe për shkak se e kemi dialogun më Serbinë, dhe bashkësia ndërkombëtare, nuk përkrahë zgjedhje të reja të jashtëzakonshme. Kurti është njeriu i duhur në vendin dhe në kohën e duhur për vazhdimin e dialogut më Serbinë, që për herë të parë këto bisedime kanë marrë zhvillime pozitive për Kosovën”, vlerësoi ai.

Krejt në fund, analisti parashikoi se edhe në rast të mbajtjes së zgjedhjeve në vjeshtë të këtij viti, përsëri Lëvizja Vetëvendosje do të dal fituese me shumicën e pushtetit.

“Edhe po të kemi zgjedhje të reja në vjeshtë, mendoj se LVV-ja do ta fitojë prapë shumicën dhe pushtetin. Qytetarët nuk kanë gatishmëri politike që të votojnë për at,a të cilët i kanë zhgënjyer për 20 vite me radhë. Kanë krijuar pa perspektivë për të jetuar në Kosovë. Opozita do të ishte mirë të mendojë se si të punohet më mirë në mirëqenie dhe zhvillim të vendit, se sa të merret me temat, të cilat nuk ju hyn në funksion interesave të qytetarëve dhe as të ardhmes së Kosovës. Është koha e fundit nëse dikush ka frikë nga kjo, që të funksionojë ashtu si duhet shteti ligjor. Edhe ashtu kjo është edhe kërkesa primare e popullit të Kosovës”, përmbylli Skënder Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat