Misioni i UNMIK-ut duhet të shuhet! / UNMIK-u është kthyer në çerdhe të spiunazhit rus!

Politika

Misioni i UNMIK-ut duhet të shuhet! / UNMIK-u është kthyer në çerdhe të spiunazhit rus!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 1 gusht 2022 Në ora: 22:26
UNMIK

Alarmet dhe organizimet radikale të serbëve nën dirigjimin dhe kontrollin e plotë nga Serbia, janë edhe një dëshmi se për të vepruar dhe shtrirë sovranitetin e plotë në veri, duhet që të shuhet misioni i UNMIK-ut, dhe natyrisht do të duhej t’i jepet fund Rezolutës 1244 të OKB-së.

UNMIK-u, realisht vepron vetëm në veri të Kosovës, ku e ka selinë e tij në Mitrovicën veriore. Por, ai është kthyer në problem pasi vepron edhe nën ndikimin e Rusisë, shtet ky, regjimi autokrat i të cilit është i padëshirueshëm për Perëndimin, por edhe për shtetin tonë.

Mandati i Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) është përcaktuar nga Këshilli i Sigurimit përmes Rezolutës së tij 1244 (1999).

Përveç nga autoritetet shtetërore të Kosovës, edhe në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, SHBA-ja, Britania e Madhe e tjera kanë kërkuar shuarjen e këtij misioni, por kjo gjë ende nuk ka ndodhur.

Së fundmi edhe ish-shefi i UNMIK-ut në Kosovë, Joachim Reucker, vlerëson se mandati i këtij misioni që vazhdon të shërbejë “është sosur” dhe i pakuptimtë.

Ai thekson se shkaku i mospajtueshmërisë së Rusisë nuk mbaron së funksionuari ky mision.

“Po, mendoj se nga një pikëpamje praktike, mandati i UNMIK-ut ka mbaruar. Megjithatë, për momentin, nuk duket se anëtari i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Rusia, do të pranojë t’i japë fund zyrtarisht Rezolutës 1244 dhe UNMIK-ut”, ka thënë ai.

Mirëpo a duhet të shuhet ky mision i UNMIK-ut?

Kuçi: Misioni i UNMIK-ut e ka humbur funksionin e vet që nga Vendimi i GJND-së

Image
Profesori për marrëdhënie ndërkombëtare, Gurakuq Kuçi.

Në lidhje me këtë temë ka folur për “Bota sot”, profesori për marrëdhënie ndërkombëtare, Gurakuq Kuçi.

Ai u shpreh se misioni i UNMIK-ut e ka humbur funksionin e vet ligjor që nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND-së) dhe se ky mision po mbahet gjallë për shkak të vendeve mosnjohëse të Pavarësisë së Kosovës që janë anëtarë të përhershëm në KS të OKB-së.

“Misioni i UNMIK-ut e ka humbur funksionin e vet ligjor që nga opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Opinioni i GJND-së përveç që i jep të drejtë shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, po ashtu thotë se Kosova në përgjithësi nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare ku përfshihet decidivisht edhe rezoluta 1244. UNMIK-u është rrjedhojë e rezolutës 1244 dhe Kosova këtë rezolutë e ka përfshirë në Kushtetutën e saj dhe vendimi i GJND-së e konfirmon këtë. Mirëpo, nuk është lajm se ky mision mbahet gjallë për shkak të vendeve mosnjohjes së Kosovës që janë anëtarë të përhershëm në KS të OKB-së por edhe vendeve të tjera”, u shpreh ai.

“Sikur Kosova të kishte angazhuar një diplomaci të zhdërvjelltë që nga vendimi i GJND-së, UNMIK-u tashmë do t’i përkiste historisë dhe po ashtu edhe statusi i Kosovës në arenën ndërkombëtare do të ishte shumë më i mirë. Por, fatkeqësia ishte se askujt nuk i interesoi shumë forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, por më shumë pjesa e zhvatjes”, shpjegon tutje profesori për marrëdhënie ndërkombëtare.

Përfaqësimi i Kosovës në OKB nëpërmjet UNMIK-ut po e bënë Kosovën një palë të tretë që duke funksionuar me ndërmjetësues, asnjëherë nuk arrin të dërgojë interesat e veta, shton tutje ai.

Tani ky mision është bërë çerdhe e agjentëve rusë dhe të tjerë. Gjithashtu edhe përfaqësimi i Kosovës në OKB nëpërmjet UNMIK-ut po e bënë Kosovën një palë të tretë që duke funksionuar me ndërmjetësues, asnjëherë nuk arrin të dërgojë interesat e veta në mënyrën e duhur por gjithmonë të filtruara.

Kosova duhet ta ndalë përfaqësimin e saj në OKB nëpërmjet UNMIK-ut dhe të zhvillojë një strategji diplomatike për të proklamuar vendimin e GJND-së, forcimin e subjektivitetit dhe nëpërmjet aleatëve të saj, edhe heqjen e UNMIK-ut”, nënvizoi Kuçi për “Bota sot”.

Burjani: Nëse shuhet kjo rezolutë (UNMIK-u) NATO-ja duhet ta miratojë një mision të ri në Kosovë

Image
Juristi Blerim Burjani

 

Ndërsa juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që kjo rezolutë është e dëmshme për Kosovën dhe se e njëjta duhet të shfuqizohet.

“Nëse shuhet kjo rezolutë NATO-ja duhet ta miratojë një mision të ri në Kosovë. Por si duket ka pak gatishmëri me hy në këto dilema deri më tash, për këtë arsye është lënë në fuqi kjo rezolutë. SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar kanë thënë se ajo çka mund të ndodhë dhe si ka ndodhë është qëndrimi i një zyre të vogël të OKB-së në Kosovë që edhe sot funksionon raportimi periodik për Kosovën në OKB”, u shpreh ai.

Juristi thekson që Rusia është e gatshme ta pranoj Kosovën vetëm me kushtet e saj pasi të njëjtën metodë e përdorë edhe për Ukrainën.

“Duhet të hiqet, Rusia është e gatshme ta pranoj shtetin e Kosovës, por me kushtet e saj që të legjitimohen territoret e aneksuara nga ajo në Ukrainë. E këtë pazar nuk e do Perëndimi. Rusia thotë se do ta ndalë agresionin në Ukrainë me kusht të njohjes së shtetësisë krahinave ruse në Ukrainë”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat