A e rrezikon Lista Serbe koalicionin qeverisës, flet deputeti i Vetëvendosjes

Politika

A e rrezikon Lista Serbe koalicionin qeverisës, flet deputeti i Vetëvendosjes

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 5 gusht 2022 Në ora: 11:55
Qeveria Kurti

Që nga marrja e mandatit të udhëheqjes së Qeverisë së Kosovës, opozita ka kërkuar rrëzimin e saj. Ndërsa kohët e fundit, opozita është bërë edhe më e zëshme sa i përket rrëzimit të kësaj qeverie, të udhëhequr nga Albin Kurti.

Këtyre zërave i është bashkuar edhe Lista Serbe. Ditë më parë edhe ata kanë kërkuar rrëzimin e qeverisë Kurti. Përmes një njoftimi për media, kjo parti tha se qeveria Kurti po punon kundër interesave të popullit serb.

“Lista Serbe nuk bashkëpunon me qeverinë e Albin Kurtit, sepse ajo punon kundër interesave të popullit serb dhe se qëllimi ynë politik është të rrëzojmë Albin Kurtin nga pushteti, që është në interes të të gjithëve që duan të jetojnë në paqe në këto zona”, tha kjo parti.

Lidhur me këto deklarata, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci thotë se, Lista Serbe nuk është në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, por kanë vetëm një ministri sipas Kushtetutës së Kosovës.

Bajqinovci: Rrëzimin e qeverisë po e kërkon edhe opozita

Image
Mefail Bajqinovci

“E para, për opinionin publik duhet të dihet që Lista Serbe nuk është në koalicion me LVV-në. Kushtetuta e Kosovës e parasheh një ministri për minoritetet serbe, por nuk kemi koalicion me Listën Serbe. Ne si Lëvizje Vetëvendosje kemi koalicion me deputetët e komuniteteve joserbe, që në total i kemi 68 deputetë”, thotë deputeti Bajqinovci për ‘Bota sot’.

Tutje deputeti ka thënë se, kërcënimet e Listës Serbe janë të kota se ata nuk ndikojnë në punën e qeverisë. Megjithatë thotë se rrëzimin e qeverisë po e kërkon edhe opozita.

Kërcënimet dhe shantazhet e Listës Serbe janë kërcënime koti, ata nuk janë as në koalicion e as që ndikojnë në punën e qeverisë Kurti 2. Ju po e shihni se kohëve të fundit rrëzimin e qeverisë po e trumbeton edhe opozita edhe Lista Serbe. Qeveria Kurti është e mandatuar deri në vitin 2024 të kryej të gjitha premtimet e bëra për qytetarët e Kosovës”, thekson ai.

Po ashtu këto deklarata i ka komentuar edhe juristi, Blerim Burjani. Ai thotë se, koalicioni qeverisës nuk varet nga Lista Serbe dhe rrëzimi i saj varet vetëm nga përҫarja e koalicionit nëse ndodhë.

Burjani: Nuk ka seriozitet, rrëzimi i kësaj qeverie varet nga përҫarja e koalicionit nëse ndodhë

Image
Blerim Burjani

“Aspak, ky koalicion nuk varet nga Lista Serbe, dhe se kjo listë me siguri llogarit në votat e opozitës, se besoj se opozita po llogarit në këto vota të pakta serbe. Pra, nuk ka seriozitet, rrëzimi i kësaj qeverie varet nga përҫarja e koalicionit nëse ndodhë, nëse jo kjo nuk do të ndodhë”, thotë Burjani.

Ai thotë tutje se, nëse ndodhë që ky koalicion të formojë një grup të ri parlamentar, atëherë ndryshon gjendja.

“Deri më tash thuhet që nga ky koalicion pritet të formohet një grup i ri parlamentar. Nëse kjo ndodhë, ndryshon gjendja, është fakt se kjo qeveri nuk ka kapacitete për qeverisje apo janë probleme të mëdha”, thekson juristi.

Burjani e ka quajtur Kuvendin e Kosovës si një cirk të veҫantë.

“Më së keqi është Kuvendi me deputetët anonim prej kryetarit deri te deputeti i fundit i VV-së, kjo është katastrofë shqetësuese, pa ditur gjë edhe deputetët, kjo është shumë e komplikuar, ky Kuvend është cirk i veҫantë”, thekson ai.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit nuk ka marrëveshje koalicioni me Listën Serbe, por sipas Kushtetutës, kjo parti merr pjesë në ekzekutiv, duke udhëhequr me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim. Lista Serbe nuk e ka votuar Qeverinë e Kurtit, në seancën e mbajtur më 22 mars të vitit 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat