Vrasja e Sabahate Tolajt e Jusuf Haklajt, Gjykata Speciale tregon nëse merret me hetimin e tyre

Politika

Vrasja e Sabahate Tolajt e Jusuf Haklajt, Gjykata Speciale tregon nëse merret me hetimin e tyre

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 24 nëntor 2022 Në ora: 11:56
Jusuf Haklaj dhe Sabahate Tolaj

Kanë kaluar 19 vjet që nga vrasja e luftëtarëve të lirisë, zyrtarëve policorë, heronj të Kosovës, Sabahate Tolaj e Jusuf Haklajt.

Të dytë ishin vrarë në një atentat që ishte kryer më 24 nëntor të vitit 2003, Sabahate Tolaj e cila kishte vdekur po atë ditë pas atentatit, ndërsa Isuf Haklaj katër ditë më vonë.

Zemra e Isufit, ish-komandantit të kompanisë së Policisë Ushtarake të Brigadës 138 "Agim Ramadani" kishte pushuar më 28 nëntor, Ditën e Flamurit Kombëtar.

Versioni që Policia ka ofruar është se u vranë derisa ishin duke shkuar në punë me veturë private dhe janë sulmuar me armë zjarri nga persona në ato momente të panjohur duke u shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Detajet e vrasjes së tyre ende nuk janë zbardhur, e thirrjet për drejtësi nuk ndalen as pas 19 vitesh. Po ashtu nuk janë arrestuar të gjithë atentatorët dhe asnjë porositës.

Gjykata speciale nuk i konfirmon hetimet për vrasjen e Sebehate Tolajt dhe Jusuf Haklajt

Gjykata Speciale nuk jep informacione nëse veç merren apo do të merren me hetimin e kësaj vrasje të dyfishtë.

“Bota sot” i ka drejtuar pyetje kësaj Gjykate, por sipas përgjigjes së këtij institucioni, për hetimin e vrasjes së Sabahate Tolajt e Jusuf Haklajt, ZPS-ja nuk jep informacion për rastin.

“ZPS-ja nuk jep informacione për hetimin e saj. Megjithatë, mandati ynë mbulon periudhën nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000”, na tha Christopher Bennett nga zyra e Gjykatës Speciale.

Shpejtim Hajdaraj, i biri i aktivistit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Smajl Hajdaraj, i vrarë në një tjetër atentat në vitin 2002, thotë se vrasjet politike në Pejë si ajo e Tahir Zemajt dhe babait të tij Smajlit, kanë motiv krimin në një dimension të madh.

U vranë për shkak të hetimit të vrasjeve politike

Image
Shpejtim Hajdaraj

Sipas tij, përpos qëllimit që t’i ndalojë hetimet, mesazhi ishte gjithashtu që kushdo që do t’i hetojë këto krime politike do të vritet.

“Sabahate Tolaj e Jusuf Haklaj u vranë në cilësinë e hetuesve policor. Të dytë ishin edhe luftëtarë të lirisë. Hetime këto për vrasjet politike në Pejë siç janë, ajo e Tahir Zemajt dhe ajo e Smajl Hajdarajt. Motivi i këtij krimi ka dimension të madh, pasi që përpos qëllimit me i ndalu këto hetime, ishte edhe për mesazhin që kushdo që do t'i hetojë këto krime politike do të vritet”, deklaron Hajdaraj.

Për vrasjen e dy policëve të Kosovës, Sabahate Tolaj dhe Iusuf Haklajt, ishte dënuar Bedri Krasniqi, i cili ishte shpallur në kërkim në vitin 2004, dhe pas dënimit për atë atentat, me 27 vjet burg, ishte arratisur apo ndihmuar të ikte dhe gjatë asaj kohe kishte kidnapuar një biznesmen, së bashku me një grup, dhe i kërkonin 3 milionë euro për lirimin e tij. Më pas u dënua edhe për këtë krim, duke e çuar dënimin në 44 vjet burg.

Po ashtu është duke u zhvilluar një proces gjyqësor i rihapur, ku akuzohet edhe për vrasjen dy policëve të tjerë, njëri që ndodhi në vitin 2004, policit të UNMIK-ut Possible Essuman dhe policit të Kosovës (SHPK-së), Arsim Rrustolli.

Mirëpo, sipas Hajdarajt, Krasniqi nuk ka qenë i vetëm në këtë krim.

Drejtësia ka mbetur në gjysmë të rrugës për zbardhjen e gjithë mozaikut të krimit, sipas Hajdarajt, kjo pasi nuk është përcaktuar motivi i vrasjes.

“Për krimin në fjalë (me dimension të madh) , është i dënuar një person me 27 vite burgim, e ai quhet Bedri Krasniqi - ish truproje e Ramush Haradinajt. Sipas të gjitha indikacioneve Bedri Krasniqi nuk ka qenë i vetëm në këtë krim dhe vlen të theksohet se Gjykata nuk ka shkuar më tej për ta zbardhë motivin, pra në epilogun e dhënies së dënimit nuk është përcaktuar motivi i vrasjes nga Bedri Krasniqi të zyrtarëve policor hetues të Kosovës. Me një fjalë drejtësia ka mbetur në gjysmë të rrugës dhe për ta zbardhur të gjithë mozaikun e drejtësisë, rasti duhet të vazhdojë të hetohet dhe zgjerohet. Kemi të bëjmë me nivelin më të lartë të krimit të organizuar - krimit politik. Andaj pse jo, edhe gjykata speciale do të duhej të merrej”, thotë Hajdaraj.

Isuf Haklaj dhe Sabahate Tolaj ishin hetues policorë, të cilët ishin duke hetuar vrasjet në rajonin e Dukagjinit, vrasjen e Tahir Zemajt dhe Smajl Hajdarajt.

Dajaku: Drejtësia në Kosovë ka dështuar

Ndërsa, ish-truproja i presidentit historik, Ibrahim Rugova, Xhevat Dajaku thotë se drejtësia në Kosovë ka dështuar si institucione të tilla në tërësi.

Image
Xhevat Dajaku

“Për të dhënë një mendim apo një analizë rreth vrasjeve misterioze, që kanë ndodhur gjatë dhe pas lufte në Kosovë, e që janë cilësuar nga subjekte relevante si vrasje politike pa u mbështetur në informacione konkrete mbi faktet dhe dëshmitë reale, jashtë normave të kodit mbi të cilin peshon drejtësia është jo etike dhe e dëmshme në shikim të parë. Mirëpo, drejtësia në Kosovë ka dështuar si një institucion i tillë në tërësi”, ka pohuar Dajaku.

Duke qenë se drejtësia ka dështuar, sipas tij, i jep të drejtë njerëzve ta drejtojnë gishtin drejt faktorëve që kanë ndikuar në kryerjen e krimeve.

Sipas Dajakut, ka ekzistuar një shërbim apo grupacion që ka pasur për qëllim humbje gjurmësh, neglizhencë për drejtësinë, e t’i jepnin kahje tjetër zbulimit të krimit, pra merreshin me pengim të hetimeve.

“Kjo na ka dhënë të drejtë ta drejtojmë gishtin drejt faktorëve të lakuar qysh në fillim të kësaj kronologjie të shëmtuar si personalitete, grupime e shërbime, që qëndronin në një vijë ideologjike dhe shpesh herë e kanë shprehur hapur qëllimin e tyre duke kërcënuar verbalisht, etiketime, komunikata, arrestime, rrahje dhe në fund vrasjet!..... Pra të gjitha këto kanë ekzistuar, etiketimet, kërcënimet, komunikatat, arrestimet,.... dhe vrasjet, por këto të fundit kanë mbetur misterioze, sepse kjo ndodh vetëm, atëherë kur një shërbim shumë mirë i organizuar qëndron pas tyre. D.m.th. ai shërbim apo grupacion që ka pasur qëllime të tilla është kujdesur për logjistik, operativ, humbje gjurmësh, neglizhencën e drejtësisë, me i dhënë kahje tjetër krimit, pengimit të hetuesisë etj.”, ka deklaruar ai.

Tutje, ai ka shtuar se në kohën kur janë vrarë Tolaj e Haklaj, bashkësia ndërkombëtare e kishte mandatin e sigurisë, prandaj është obligim moral që të merren me këtë rast e ta çojnë drejtësinë në vend.

“Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj janë privuar nga jeta për shkakun se ishin shumë pranë zbulimit të vrasjes së trefishtë ku mbetën të vrarë koloneli Tahir Zemaj, me të birin 18 vjeçar Enisin dhe me kushëririn e tij Hasanin. Në atë kohë Kosova ishte nën mandatin e sigurisë nga bashkësia ndërkombëtare prandaj është obligim moral, ligjor e human që të merren edhe me këtë rast dhe ta çojnë drejtësinë në vend. Përndryshe drejtësia në Kosovë ishte e kapur dhe vazhdon të jetë akoma. Për këtë ajo ka belbëzuar ndonjëherë dhe ka heshtur, asgjë më shumë. Shpresojmë të ketë drejtësi!... Por, besojmë se ka Zot!”, ka përfunduar Dajaku.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat