“Besa besë” kundër produkteve serbe, Piraj: E tmerrshme që duhet t’i përkujtohet popullit pse s`duhet t`i blejnë ato

Politika

“Besa besë” kundër produkteve serbe, Piraj: E tmerrshme që duhet t’i përkujtohet popullit pse s`duhet t`i blejnë ato

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 2 janar 2023 Në ora: 16:12
Foto ilustrim

Raporti i fundit i Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregon se për muajin nëntor importi nga Serbia në Kosovë është mbi 31 milionë euro, krahasuar me një vit më herët kjo ishte mbi 28 milionë euro.

31 milionë euro janë importuar nga Serbia në Kosovë në muajin nëntor të vitit 2022, në krahasim me vitin e kaluar që ishte 28 milionë euro, thuhet në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Në anën tjetër, thirrjet për bojkot të produkteve serbe kanë qenë të dhe janë ende.

Kampanja “Besa besë”, e krijuar nga 24 shtatori i vitit 2021, bën thirrje të vazhdueshme për bojkot të produkteve serbe.

Shpesh përmes fakteve historike, përmes fotografive nga lufta e Serbisë në Kosovë, kjo kampanjë synon vetëdijesimin e qytetarëve për të mos konsumuar produktet serbe.

Piraj: Nuk ka mënyrë më të mirë se BOJKOTI i prodhimeve serbe

Image
Burim Piraj

Duke folur rreth numrit të importit dhe suksesit të kësaj kampanje, përfaqësuesi i tij, Burim Piraj ka thënë për “Bota sot”, se nëse nuk do të ishte kampanja, importi do të ishte shumë më i madh se 31 milionë.

Ai e konsideron të tmerrshëm faktin që sot duhet t’iu përkujtohet qytetarëve të mos blejnë produktet nga Serbia.

Është e tmerrshme sot t’i përkujton qytetarët e Kosovës të mos blejnë prodhime, të gjitha të këqijat popullit Shqiptar e sidomos Kosovës me qindra vite i kanë ardhur pikërisht nga Serbia, dhe të detyrohemi të bëjmë kampanjë për të mos ble mallra nga ky shtet është e pa kuptueshme. Mirëpo mendoj se kanë ndikuar rrethanat politike dhe ekonomike globale që konsumatorët të ndihen të pasigurt dhe të blejnë pa kontroll dhe në mënyrë të shkujdesur ashtu që importi nga Serbia të rritet. Unë jam i sigurt se sikur të mos kishte qenë kampanja më shumë se një vjeçare e grupit “Besa Besë” do të kishte pas import shumë më të madh se 31 milionë”, ka thënë Piraj.

Një barrë shumë e madhe e ndërgjegjes, sipas Pirajt, i takon kompanive që importojnë mallra nga Serbia.

Nuk ka mënyrë më të mirë se BOJKOTI i prodhimeve serbe, mirëpo një barrë shumë të madhe të ndërgjegjes ju takon të gjithë kompanive të cilët e marrin guxim dhe në mënyrë të ftohtë të importojnë mallra nga Serbia duke shkelur mbi shumë vuajtje dhe fatkeqësi të popullit të vetë. Jo vetëm këtë fund vit, po sa të jetë jeta unë kurrë nuk do të blej prodhime serbe, Serbia i ka kaluar të gjithë kufijtë me urrejtjen ndaj kombit tim dhe se meriton emrin me ia përmend se le më të financohet vazhdimisht me paranë e përgjakur nga vetë ata”, ka theksuar Piraj.

Që nga fillimi i vitit 2022 e deri në nëntor, Kosova ka importuar mallra nga Serbia mbi 340 milionë euro.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka kërkuar bojkotimin e produkteve serbe, por sipas shifrave, Serbia prinë në rajon për pushtimin e tregut të Kosovës me mallra me origjinë serbe.

Serbia ka shtuar ndjeshëm praninë e prodhimeve të saj në tregun e Kosovës. Në kontrast bashkëpunimi ekonomik me Shqipërinë mbetet në nivel të ulët. Tashmë Kosova nuk e ka Shqipërinë partner kryesor as në eksport.

Fetahu: Marketet tona dhe tryezat kosovare janë pothuajse të mbushura përplot me produktet e Serbisë, të vendit armik

Analisti ekonomik, Ilir Fetahu, ka thënë është problematike të merret një vendim për ndalimin e produkteve serbe.

Sipas tij, OJQ-të dhe pankardat e vazhdueshme kanë impakt pozitiv te qytetarët.

“Është pak problematike që të merret një vendim për ndalimin e produkteve serbe, mirëpo pankartat e vazhdueshme nga OJQ-të e ndryshme dhe nga njerëzit kredibil, mendoj se kanë impakt pozitiv që qytetari i Kosovës të vetëdijesohet që të mos konsumojë produkte nga vendi i cili na ka bërë të këqijat e vazhdueshme si tani, si në luftën e vitit 1998/1999. Qytetari duhet të vetëdijesohet dhe të mos konsumojë produkte serbe, sepse faktikisht të gjitha marketet tona dhe tryezat kosovare janë pothuajse të mbushura përplot me produktet e Serbisë, të vendit armik”, ka theksuar Fetahu.

Që të ketë sukses dhe që konsumimi i produkteve serbe të ulet, Fetahu ka thënë se kampanja duhet të jenë të vazhdueshme.

“Kampanja qoftë nga OJQ, qoftë nga njerëzit kredibil duhet të jenë të vazhdueshme, me fokus, që grupet vazhdimisht të punojnë dhe të ngritet vetëdija që të mos konsumohen ato produktet”, ka shtuar Fetahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat