Ekspertja e Ballkanit: Kjo çështje e ktheu në agjendë Asociacionin, ja pse s’duhet të pranohet me kompetenca ekzekutive

Politika

Ekspertja e Ballkanit: Kjo çështje e ktheu në agjendë Asociacionin, ja pse s’duhet të pranohet me kompetenca ekzekutive

Nga: A.Zh Më: 7 shkurt 2023 Në ora: 11:20
Nevenka Tromp

Nevenka Tromp, ligjëruese e Studimeve për Evropën Lindore në Universitetin e Amsterdamit, ka folur për presionin që po i bëhet Kosovës, lidhur me formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Ajo ka thënë se kjo çështje u kthye në agjendën politike, pas arrestimit të ish-policit serb Dejan Pantiq, arrestim ky që shtyu serbët të bllokonin me barrikada veriun e Kosovës, për më shumë se tri javë.

“Ky është një diskutim për shkaqet e problemit dhe nxitësit. Arrestimi i Dejan Pantiqit ishte një shkak që e ktheu në mënyrë të madhe çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në agjendën politike. Unë e shoh këtë çështje të një rëndësie të madhe për stabilitetin e Kosovës”, ka deklaruar Tromp, për gazetën “Bota sot”.

Ajo konsideron që serbët që jetojnë në Kosovë, duhet të inkurajohen të qëndrojnë këtu, pasi vetëm kështu ata nuk do të mund të përdoren nga Beogradi për qëllime kundër Kosovës.

“Është bërë shumë punë në 10 vitet e fundit nga qeveria e kaluar për t'i futur serbët në udhëzimet shtetërore dhe në qeverinë e Kosovës. Do të ishte një humbje e madhe nëse këto arritje do të përmbyseshin. Serbët që jetojnë në Kosovë duhet të inkurajohen të qëndrojnë dhe të marrin pjesë në jetën politike të Kosovës – vetëm në këtë mënyrë ata do të jenë më pak të aksesueshëm për instrumentalizim nga Beogradi për orekset gjeopolitike të serbëve për pjesë të territorit të Kosovës”, ka thënë më tej Nevenka Tromp.

Në fund, ekspertja për çështjet e Ballkanit, ka shpjeguar se pse nuk duhet të lejohet formimi i Asociacionit me kompetenca ekzekutive.

“Nëse ka qëllime të mira dhe të ndershme të të dyja palëve për ta mbajtur territorin e Kosovës të bashkuar, atëherë nuk do të kishte aq rëndësi se çfarë shkalle të vetëqeverisjes do t'i jepej Asociacionit. Por, nëse Beogradi do të përdor formatin e Asociacionit dhe fuqitë e tij ekzekutive, duke përfshirë forcën e tij policore për të izoluar veriun e Kosovës nga pjesa tjetër e Kosovës me qëllim që ta aneksojë atë një ditë – atëherë çdo masë paraprake është e justifikuar”, ka deklaruar Tromp për “Bota sot”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paraqiti javën e kaluar në Kuvend 6 pika, si kushte për themelimin e Asociacionit. Ai ka deklaruar se Asociacioni, i cili doli nga marrëveshja Thaçi-Daçiq në vitin 2013, mund të themelohet vetëm pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

“Përveç Kushtetutës dhe Ligjit, ekzistojnë pesë kushte të tjera. Monoetnike jo. Reciprociteti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të drejtat e pakicave. Prishja e strukturave dhe shpërndarja e armëve ilegale. Zbatimi, vetëm pas njohjes reciproke dhe në përputhje me OKB-në ku Serbia duhet të ketë pranuar parimet dhe marrëdhëniet ndërshtetërore me ne dhe në fund presidenti i Serbisë duhet të tërheqë pesë letrat që i ka dërguar në Spanjë, Sllovaki, Rumani, Greqi dhe Qipro”, ka thënë Kurti./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat