Kushtet e Kurtit goditën pozicionin e Beogradit në dialog- Ndërkombëtarët në vështirësi

Politika

Kushtet e Kurtit goditën pozicionin e Beogradit në dialog- Ndërkombëtarët në vështirësi

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 7 shkurt 2023 Në ora: 18:45
Albin Kurti dhe Aleksander Vuciq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të hënën, me ambasadorët e shumë shteteve prezentë në Kosovë.

Në mesin e ambasadorëve të pranishëm në takim janë ata të Quintit (ShBA, Britani, Francë, Gjermani, Itali), por edhe disa ambasadorë të tjerë.

Ky takim vjen pas vendosjes së kushteve të kryeministrit Kurti, rreth formimit të Asociacionit.

Kushtet e vendosura nga Kurti, nuk i kanë komentuar BE dhe SHBA, gjersa kanë kërkuar formimin e tij urgjentisht.

Zëdhënësi i BE, Peter Stano, një ditë pas deklarimit të Kurtit për kushtet, ka tërhequr vërejtjen se janё tё domosdoshme hapat konkret nё mёnyrё qё tё çohet para procesi i dialogut mbi normalizimin e raporteve nё mes tё Kosovёs dhe Serbisë.

“Unë vetëm mund të ritheksoj urgjencën që BE-ja i kushton për të çuar përpara dialogun dhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, ndёrsa formimi i Asociacionit ёshtё njё prej tyre”, ka nёnvizuar Stano nё njё pёrgjigje me shkrim për televizionin publik.

Ai ka konfirmuar se qëndrimi i Brukselit nё lidhje me formimin e Asociacionit tё komunave me shumicё serbe nё Kosovё mbetet i pandryshuar dhe se i njëjti ёshtё përsëritur disa herё edhe publikisht.

Peter Stano gjithashtu rikujton se Prishtina zyrtare mori pёrsipёr si obligim ndërkombëtar për të krijuar Asociacionin, andaj edhe i takon Kosovёs qё ta zbatojë kёtё detyrim.

Ndërsa, në anën tjetër emisari i SHBA-së për dialogun ka deklaruar se “E pranon ose jo qeveria aktuale në Kosovë obligimin ligjor, nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë”.

Themelimi i Asociacionit me kushte

Enveri Bytyçi, profesor dhe analist politik ka thënë se i deleguari amerikan, Gabirel Escobar, është më i zëshmi dhe duket se ai ka vënë një bast për këtë.

Sipas tij, nuk ka mundësi që një diplomat karriere të kërkojë të përjashtohet përfaqësuesi i sovranit, pra kryeministri i vendit nga kjo.

Ai ka kërkuar që deklarata e Escobar të dënohet nga vetë kolegët e tij amerikanë.

“Prej kohësh autoritetet euro-amerikane po flasin për domosdoshmërinë e krijimit të asociacionit të Komunave me Shumicë Serbë në Kosovë. Më i zëshmi është i deleguari amerikan, Gabriel Escobar. Duket se ai ka vënë një bast për këtë. Sepse nuk ka mundësi që një diplomat karriere të kërkojë të përjashtohet përfaqësuesi i sovranit, pra kryeministri i vendit, nga kjo. Kur ai tha se asociacionin do të ngrejmë me struktura tjera, nëse këtë nuk e pranon qeveria e Kosovës, në fakt goditi parimin themelor mbi të cilin janë krijuar vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Amerika është i pari vend në botë që ka sanksionuar në kushtetutë të drejtën e vetëqeverisjes dhe vetëvendosjes në kushtetutën e vitit 1787. Që do të thotë të drejtën që udhëheqësit t’i zgjedh sovrani, populli dhe këta ta përfaqësojnë sovranin brenda e jashtë vendit. Prandaj dhe deklarata e Escobar duhet dënuar nga vetë kolegët e tij amerikanë. Por nejse! Presioni shtohet vazhdimisht. Dikush me një lloj tolerancë e dikush me një lloj arrogance. Të gjithë duan krijimin e asociacionit. Por, ka politikanë edhe në SHBA e Britaninë e Madhe, të cilët janë kundër krijimit të tij, me idenë racionale se ky asociacion në vend të paqes përgatit luftën në rajon. Por në të vërtetë ne nuk kemi parë ndonjë deklaratë të kryeministrit Kurti ose të presidentes Osmani, të cilët të kenë thënë se janë kundër krijimit të asociacionit. Kjo do të thotë se nuk bëhet fjalë për ta larguar atë nga projekti”, ka pohuar Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Duke komentuar kushtet e Kurtit, profesori është shprehur se qeveria nuk është kundër asociacionit, por dëshiron ta formojë konformë kushtetutës dhe të garantojë stabilitet e paqe afatgjate.

“Kurti përmendi gjashtë kushte. Çka do të thotë: Asociacioni po, por sipas kushtetutës dhe jo në funksion të destabilizimit të mëvonshëm të vendit e të rajonit. Po ta përkthesh këtë, do të thotë se autoritetet shtetërore të Kosovës duan që asociacioni të jetë bazuar në kushtetutë, pa asnjë mundësi ekzekutive ose legjislative në vendimmarrje. Të jetë nën mbikëqyrjen e qeverisë dhe institucioneve. Të jetë shumë-etnik dhe jo një-etnik. Ndërkohë kërkohet që e njëjta gjë të ndodhë edhe me minoritetet në Serbi, ku theksohet krijimi i një asociacionit për tri komunat me popullsi shqiptare në Luginën e Preshevës. Dhe mbi të gjitha që asociacioni të krijohet pas njohjes dhe pranimit në OKB të Kosovës, me qëllim që integriteti i Kosovës të garantohet përmes mekanizmave të ligjshëm ndërkombëtar. Pra, kjo nuk do të thotë se qeveria e Kosovës është kundër krijimit të asociacionit, por ajo kërkon që ai të bëhet konform kushtetutës dhe të garantojë stabilitet e paqe afatgjatë. Të kërkosh garanci dhe legjitimitet, d.m.th, vendimmarrje bazuar në ligje e kushtetutë, është një akt racional dhe i përgjegjshëm. Të veprosh me papjekuri dhe pa mend në kokë, siç ndodhi me Hashim Thaçin e Isa Mustafën, është e papranueshme dhe e rrezikshme. Pikërisht kjo e ka vështirësuar pozicionin e qeverisë së sotme në raport me Serbinë në dialogun e sotëm”, ka theksuar profesori.

Kushtet e Kurtit, sipas Bytyçit, i kanë vënë në vështirësi ndërkombëtarët dhe Beogradin.

“Sigurisht që do të vazhdojnë debatet, do të ketë diskutime të tjera. Por gjashtë kushtet e zotit Kurti do t’i venë në vështirësi ndërkombëtarët, si dhe Beogradin. Këmbëngulja që asociacionit të krijohet vetëm pas njohjes nga ana e Serbisë është një goditje për pozicionin e Beogradit. Sepse nuk ka logjikë që e rrëzon atë. Po ashtu, reciprociteti me Serbinë në trajtimin dhe respektimin e pakicave është po ashtu imponues dhe i kundërshtueshëm. Nuk mundet që për vete të zbatosh një standard tjetër e dikujt tjetër fqinjë t’i kërkosh standarde favorizuese. Kjo edhe për faktin se nuk ka asnjë provë, përveç propagandës së Serbisë, për “keqtrajtimin” e serbëve në Kosovë nga ana e institucioneve, ose e shumicës”, ka deklaruar Bytyçi.

Tutje, ai ka shtuar se bashkësia ndërkombëtare, evropianët dhe amerikanët duhet të falënderojnë shqiptarët në Kosovë, që nuk kanë cenuar as spontanisht asnjë të drejtë të serbëve.

Sipas tij, ky është shembull i jashtëzakonshëm civilizimi dhe kjo duhet ta bindë botën e qytetëruar se serbët nuk rrezikohen në Kosovë.

“Bashkësia ndërkombëtare, evropianët dhe amerikanët përkatësisht, duhet të falënderojnë shqiptarët në Kosovë, të cilët nuk kanë cenuar as spontanisht asnjë të drejtë të serbëve. Falënderimi i tillë vjen për shkak se një popull tjetër, i masakruar dhe shkatërruar nga serbët, siç janë shqiptarët në Kosovë, do të ishte hakmarrë ndaj kriminelëve agresorë. Shqiptarët ka shumë mundësi që të shohin të shëtisin të lirë masakruesit e përdhunuesit e tyre e pavarësisht kësaj nuk hakmerren me vetëgjyqësi. Ky është shembull i jashtëzakonshëm civilizimi dhe kjo duhet ta bindë botën e qytetëruar se serbët nuk rrezikohen në Kosovë. Përkundrazi sot në Kosovë ka një diskriminim pozitiv për serbët, të cilëve prej 23 vitesh shteti i Kosovës ua paguan edhe rrymën elektrike. Ajo që mbetet mbas kësaj ka të bëjë me këmbënguljen e pa tjetërsuar për të realizuar gjashtë pikat e më pas të shkohet të asociacionit”, ka shtuar Bytyçi.

Zogaj: Opozita sot duhet të hesht dhe të mos e keqpërdor situatën

Ndërsa, analisti politik Skënder Zogaj, ka treguar “planin” e botës për shqiptarët.

Sipas tij, çështja shqiptare ka qenë në tavolinën e diplomacisë botërore dhe ata e kanë pasur të qartë që Kosova duhet të kthehet te familja euroatlantike.

“Kosova është shtet i lirë dhe i pavarur në saje të faktit se, bota e ka ditur më mirë se shqiptarët se ka qenë vend i okupuar, nga ish-Jugosllavia së cilës iu kanë lënë duart e lira t’i shpërbëjnë shqiptarët dhe tokën e tyre, si në Toplicë e vende të tjera me t’i tjetërsojnë me kolonistë antishqiptarë. Ky ka qenë plani, por që nuk është realizuar për shkak të divergjencave të brendshme të popujve të Federatës Titiste, që e kanë ditur se, ajo që po ndodhte me shqiptarët dhe hungarezët, nëse nuk pengohet do të ndodhte edhe me sllovenët, kroatët, boshnjakët, maqedonasit. Prandaj, ish Jugosllavia është prishur dhe, çështja shqiptare është ndodhur në tavolinën e diplomacisë botërore, e cila, e ka pas të çartë se Kosova duhet të kthehet te familja euroatlantike! Për këtë objektiv ka ndodhur ofanziva 80 ditëshe e NATO-s dhe është çliruar Kosova. Pas çlirimit është vendosur protektorati, i cili i ka marr mbrojtjen kufijve të Kosovës, e ka shpall Kosovën të lirë dhe të pavarur dhe po vazhdon ta "mjeshtrojë" sovranitetin e shtetësisë së Kosovës. Kjo e fundit qe 10 vjet po diskutohet, por nuk po realizohet për shkak se shqiptarët nuk po dinë dhe nuk po duan që kjo punë të kryhet. Se nuk po dinë tashmë po e kuptojnë edhe bretkocat, por është vështirë të kuptohet pse nuk po duan?!”, ka deklaruar Zogaj.

Image
Skender Zogaj

Sipas tij, asociacioni është problematizuar kot, kjo pasi që është punë e kryer dhe obligim ndërkombëtar.

Pikat e kryeministrit nuk janë kushte, sipas Zogajt, por çështje parimore që të kihet parasysh se Serbia është gaforre, ndryshe flet, ndryshe mendon dhe ndryshe vepron.

“Asosiacioni është problematizuar kot, sepse është punë e kryer, është obligim ndërkombëtar nga dialogu Kosovë-Serbi, dhe patjetër që ka për tu formuar! Mirë ose keq, është rezultat i klasës sonë politike. Këtë po e thonë miqtë tanë ndërkombëtar dhe këtë duhet ta themi edhe ne brena vendit, në mënyrë që të mos shpërrallohemi për diçka që është miratuar edhe institucionalisht. Opozita sot duhet të hesht dhe të mos e keqpërdor situatën e dramatizuar nga armiqtë tanë, ndërsa pozita nuk e ka luksin të parashtrojë kushte, por duhet me zbut gjakun e me gjet mënyrën më të mirë të bashkëpunimit të urtë me faktorin ndërkombëtar, sidomos me SHBA-të, pa të cilët çdo lëvizje paraqet rrezik jetik! Pikat e kryeministrit Kurti nuk janë kushte por janë çështje parimore që të kihet parasysh se Serbia është gaforre, ndryshe, flet, ndryshe mendon dhe krejt ndryshe do të përpiqet të veprojë kur të jetë formuar Asociacioni”, ka përfunduar Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat