Takimi i 18 marsit, eksperti i sigurisë jep paralajmërimin: Ja pse largohet Aleksandër Vuçiq

Politika

Takimi i 18 marsit, eksperti i sigurisë jep paralajmërimin: Ja pse largohet Aleksandër Vuçiq

Nga: P.Rudi Më: 13 mars 2023 Në ora: 08:02
Foto nga takimi në Bruksel

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të takohen me 18 mars në Ohër të Maqedonisë, ku sipas emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, plani i zbatimit dhe propozimi evropian për dialogun Kosovë-Serbi, mund të finalizohen si një dokument më 18 mars.

“Takimi jonë i fundit në Bruksel ishte i suksesshëm. Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq u pajtuan se s’ka nevojë të diskutohet më për përmbajtjen. Teksti tashmë është publik dhe të gjithë e dinë se çka përmban. Por që të bëhet dokument ligjërisht i obligueshëm duhet të pajtohemi se si të implementohet. Duhet të dimë cilat janë hapat, sekuencat e tij dhe afatet kohore. Përndryshe do të jetë vetëm marrëveshje politike dhe jo formale. Qëllimi kryesor i vizitës në Prishtinë është të diskutoj implementimin e dokumentit me kryeministrin Kurti. Mund ta them se patëm diskutim konstruktiv, të rëndësishëm dhe shumë të dobishëm”, është shprehur Miroslav Lajçak gjatë një vizite në Kosovë gjatë javës së kaluar.

E sipas ekspertit të sigurisë, më 18 mars mund të ketë tensione në takimin mes Kurtit dhe Vuçiqit, ku ky i fundit mund ta lëshojë takimin.

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala

“Me datën 18 mars ka gjasa që të kemi tensione në dialog si rezultat i asaj që janë të ditura qëndrimet e të dyja palët në proces të dialogut. Presidenti serb do të lëshojë takimin nën pretekstin që ky dialog për terminat e zbatimit s’mund të arrihet pa u implementuar ASK-ja si parakusht për të nënshkruar planin franko-gjerman”, thotë Shala.

“Dhe sipas kësaj me 23 prill nuk do të ketë ambient për të mbajtur zgjedhjet lokale në veri, sepse Beogradi përmes Listës Serbe ka bërë publike që do të abstenojë dhe kjo do të shpërfaqet më pengim të procesit zgjedhor dhe këtu është edhe qëllimi i Serbisë për të argumentuar ASK-në si kusht për ecje tutje”, shpjegon më tutje Shala.

Ai shprehet se Kosova si kartë mund ta përdorën formimin e një Asociacioni të komunave shqiptare në Luginë të Preshevës.

“Qeveria e Kosovës në këtë mes do të përdor si kartë të vetën për ASK-në në Kosovë një ASK në Luginë të Preshevës dhe kështu mund të themi që 18 marsi është udhëkryqi kryesor i gjithë këtij procesi, sepse deri me tani ka vetëm deklarime për pranim nga ana e Kosovës, në anën tjetër një jo nga serbët, por një deklarim interesant nga BE që të dyja palët janë pajtuar”, deklaron Shala.

“Një lojë e madhe të shahut do ta shohim nga potezat pas datës se 18 mars”, përfundon për “Bota sot” eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat