“Skenare të këqija për ta grabitur pushtetin”, analisti paralajmëron para takimit në Ohër

Politika

“Skenare të këqija për ta grabitur pushtetin”, analisti paralajmëron para takimit në Ohër

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 17 mars 2023 Në ora: 13:20
Albin Kurti- Aleksander Vuciq

Të shtunën (nesër) do të mbahet takimi i radhës i kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Takim ky që kësaj radhe do të mbahet në Ohër, pritet që të nënshkruhet apo jo propozimi frako- gjerman, i përkrahur edhe nga Amerika, propozim ky për normalizim të marrëdhënieve Kosovë- Serbi.

Gjersa, ndërkombëtarët bëjnë thirrje që të pranohet propozimi, partitë opozitare në Kosovë nuk kanë qëndrim të njëjtë.

Duke përjashtuar Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e cila vazhdon të deklarohet se mbështet propozimin evropian mbi normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Pa asnjë mëdyshje e kemi vlerësuar se është një marrëveshje që brenda vetes ka njohjen “defakto” të shtetit të Kosovës dhe që është interes nacional i yni. I kemi dhënë mbështetje këtij projekti pa kurrfarë kalkulimi partiak apo elektoral. Prandaj përpjekja e disa individëve, apo grupimeve të caktuara që këtë qëndrim të interesit nacional e shtetëror të Aleancës, ta vendosin në mozaikun e shkurtpamësisë së tyre, s’është gjë tjetër përpos mjerimi i tyre!”, thuhet në komunikatën e AAK-së, dy ditë para takimit.

Sipas tyre Kosova duhet ta përfundojë rrugën e çlirimit dhe shtetndërtimin bashkë me aleatët me në krye ShBA-në.

Ndryshe, mendojnë PDK dhe LDK, të cilët nuk mbështesin propozimin franko- gjerman.

Ndaj qëndrimit të dy partive opozitare, kishte reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, duke e quajtur shqetësuese qëndrimin e tyre, ndërsa sipas analistëve politikë, kjo nuk është politikë e mençur dhe parimore opozitare.

Analisti politik, Skënder Mulliqi, thotë se ajo çfarë shihet kohëve të fundit në Kuvend, është urrejtja patalogjike e opozitarëve.

“Nuk ka mundësi njeriu t’i ikë pyetjes hipotetike, se çfarë aktualisht është Kuvendi i Kosovës dhe shfaqjet që mund t’i shohim aty? Ka shumë çka për t’u thënë për kuvendarët e pas luftës, ku një shumicë bukur e madhe nuk ishin në nivelin e kërkuar, sepse nuk u sollën konformë votës qytetare, për atë se çka janë zgjedhur. Kjo çka shohim kohëve të fundit në Kuvend është fakti se shumë opozitarë po shprehin urrejtjet e tyre patalogjike dhe kjo urrejtje është e drejtuar më shumë kundër një njeri dhe kundër pushtetit”, deklaron Mulliqi.

Image
Skender Mulliqi

Sipas tij, qëndrimi i partive opozitare është politikë e mjegulluar.

Skenare të këqija po bëhen në kohën më të vështirë për Kosovën, sipas Mulliqit, prandaj këto politika nuk i bëjnë nder askujt.

“Ky është licemerizem politikë. Është e qartë së kjo nuk është politikë e mençur dhe parimore opozitare. Këto janë politika të mjegulluara, politika kaotike të planifikuara për të grabitur pushtetin. Këto janë skenare të këqija të cilat po thuren në kohën gati më të vështirë për Kosovën, ku Rusia dhe Serbia janë çuar në këmbë për të rrënuar me dhunë sovranitetin dhe intergitetin territorial të Kosovës. Politikat miope nuk i bëjnë nder akujt, dhe më së paku Kosovës dhe shqiptarëve në Ballkan. Blloku opozitar është duke pritur ndonjë të papritur, që të vijnë në pushtet, që pastaj të na flasin për ndonjë të “drejtë të tyre revolucionare”. E kjo do të ishte në fakt sjellje në rrethin vicioz, apo edhe kthim mbrapa të proceseve politike. Kosovës i nevojitet marrëveshje e re shoqërore e politike, për kapërcimin e gjendjes së krijuar më Serbinë e Vuqiqit, i cili po synon ndarjen e Kosovës për mes Asociacionit famoz të komunave më shumicë serbe. E ky koncenzus nacional duhet të arrihet, po në këtë Parlament, që na është shndërruar pa nevojë, në arenë gladiatorësh. Mos të jetë kjo gjë e pamundur, se është në interesin jetik për Kosovën dhe për shqiptarët”, përfundon Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat