“Kurti e di këtë gjë”/ Marrëveshja e Ohrit, paralajmërimi: Ky është kurthi i Serbisë

Politika

“Kurti e di këtë gjë”/ Marrëveshja e Ohrit, paralajmërimi: Ky është kurthi i Serbisë

Nga: P.R Më: 21 mars 2023 Në ora: 21:28
Kryeministri i Kosovës pas takimit të nivelit të lartë me Presidentin e Serbisë

Gjatë ditës së sotme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se plani i zbatimit të marrëveshjes do duhej të niste që nga dita e hënë, por që kjo nuk ka ndodhur për fajin e Serbisë, për çka, Kurti ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të marrin masa.

“Zbatimi i kësaj marrëveshje duhet të fillonte qysh dje, për shkak se edhe plani i zbatimit thotë se ka një afat se kur duhet të fillojë marrëveshja së zbatuari. Edhe marrëveshja bazë edhe plani i zbatimit tashmë i kemi të dakorduara. Për neve kjo është marrëveshje por unë pres nga faktori ndërkombëtar që ta dënojnë e gjykojnë sjelljen e Serbisë e cila kur mbahen takimet thotë se nuk nënshkruaj e ndërmjet takimeve thotë se nuk zbatoj gjë”, deklaroi kryeministri Kurti.

E sipas analistit dhe njohësit të zhvillimeve politike në vend, Faton Mehmeti, kjo është edhe një dëshmi e hipokrizisë serbe, e cila në njërën anë e pranon një marrëveshje, ndërsa në anën tjetër punon kundër asaj marrëveshje.

Image
Faton Mehmeti

“Ne e njohim kush është Serbia, është e pabesë dhe si e tillë nuk duhet besuar asnjëherë. Hipokrizia e saj doli në pah edhe këtë radhë, derisa shprehej se është për bisedime, në anën tjetër vazhdon fushatën kundër Kosovës, rrjedhimisht kundër marrëveshjes së proklamuar që e pranonte”, shprehet Mehmeti.

Ai thotë se synimi kryesor i Serbisë është formimi i Asociacionit, dhe më pas mos respektimi i pikave tjera të marrëveshjes.

“Serbia synon të arrij Asociacionin, pastaj të mos zbatojë pikat tjera të marrëveshjes. Kurti e di këtë gjë andaj ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare të jetë më e rreptë ndaj Serbisë”, deklaron Mehmeti për “Bota sot”.

“Deri s’ka nënshkrim të marrëveshjes, Serbia synon të mos merr obligime me nënshkrim në mënyrë që të përfitojë ato çfarë janë në dobi të saj, të tjerat pastaj të vazhdojë si më parë. Ky është kurthi dhe strategjia e saj”, shpjegon Mehmeti.

Por pse Bashkimi Evropian po hesht ndaj veprimeve të Serbisë?

“BE aktualisht synon ta përkëdhel Serbinë deri tek nënshkrimi i marrëveshjes nga frika se presioni do të irritonte serbët me mundësi tërheqja nga bisedimet”, përfundon analisti Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat