Marrëveshja e Ohrit drejt dështimit? Çfarë do të sjellë takimi i 4 prillit?

Politika

Marrëveshja e Ohrit drejt dështimit? Çfarë do të sjellë takimi i 4 prillit?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 30 mars 2023 Në ora: 12:00
Ohër, 18 mars 2023.

Ani pse me 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut u arrit një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë pas takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, deri më tani kjo marrëveshje nuk ka filluar të zbatohet.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar se takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë, do të jetë më 4 prill, ani pse kësaj radhe nuk do të ketë takim kokë me kokë Kurti-Vuçiq.

Kësaj radhe takimi do të jetë mes shefave negociatorë të të dyja palëve pritet të takohen sërish më 4 prill për të biseduar për hapat e mëtejshëm.

“Ata do të diskutojnë çështjen e zbatimit të marrëveshjes që tashmë është dakorduar. Pra ka marrëveshje, ekziston marrëveshja, ajo është shumë e qartë dhe publike për të gjithë. Së pari marrëveshja duhet të zbatohet e tëra, nuk ka mundësi që një pjesë të zbatohet e një pjesë jo. Ashtu si nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes, apo të aneksit të zbatimit, ashtu nuk mund të ketë një zbatim të njëanshëm të marrëveshjes, prandaj nuk duhet ta copëtojmë atë”, deklaroi kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Kosova dhe Serbia larg marrëveshjes finale

E sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala, po dëshmohet edhe njëherë se Kosova dhe Serbia janë larg marrëveshjes finale.

Image
Drizan Shala

“Ri-takimi në vetvete po dëshmon një fakt interesant që marrëveshja e parimeve evropian ende është larg për të nënshkruar nga palët dhe kjo po prodhon situata të tilla të ri-takimeve me datën 4 prill”, thotë Shala për “Bota sot”.

Sipas tij, frika e Bashkimit Evropian ka të bëjë me zgjedhjet e 23 prillit në komunat veriore në Kosovë.

“BE-ja ka friken e asaj që me datën 23 prill nuk do të ketë klimë për të mbajtur zgjedhjet në pjesën veriore dhe si rezultat të saj edhe komunat tjera të cilat udhëhiqen nga Lista Serbe dhe Beogradi të japin dorëheqje dhe kështu çështja të komplikohet tepër në procesin e zbatimit të ASK-në formën e një autonomie të zgjeruar”, shprehet Shala.

Më tej, Shala paralajmëron edhe dështimin e zbatimit të marrëveshjes së arritur në Ohër.

“Pra situata është tepër e koklavitur dhe çfarë do që ndodh në veri të vendit dhe nuk ka ndonjë rezultat konkret të zbatimit të parimeve dhe aneks marrëveshjes, mund të dështojë BE-ja në formën më të keqe ne atë që ka proklamuar një veprim krejt ndryshe nga deklarimet publike”, deklaron eksperti Drizan Shala.

Asociacioni, ‘mollë sherri’

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, analisti politik, Nexhat Haziri shprehet se takimi i 4 prillit do të shënojë edhe zyrtarisht fillimin e implementimit të marrëveshjes së Ohrit të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ajo që kemi dëgjuar këto ditë edhe nga reagimet dhe telefonatat nga Uashingtoni bërë kryeministrit tonë z. Kurti dhe presidentit serb Vuçiq, është se zbatimi i asaj për çfarë janë marrë vesh Kurti e Vuçiqi, nuk ka alternativë tjetër dhe duket se perëndimi në këtë aspekt është shumë i vendosur”, thekson Haziri.

Sipas tij, Asociacioni i Komunave serbe është pika që po bllokon implementimin e marrëveshjes.

“Ajo çfarë po i përplas palët është asociacioni i komunave me shumicë serbe, apo që tani po quhet "vet-menaxhimi" që pala e Kosovës po tenton ta shtyjë për t'u marrë me temat e thera apo pikat e tjera të marrëveshjes, e në anën tjetër Serbia kërkon që fillimisht të filloj implementimi i pikës së marrëveshjes së Ohrit ku flitet për "vet-menaxhim", edhe pse shikuar realisht mos pjesëmarrja e listës serbe në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat veriore, ka vënë në pikëpyetje zbatimin e kësaj pikë të marrëveshjes”, shpjegon Haziri.

“Megjithatë takimi i 4 prillit i shefave negociatorë të të dyja palëve, do të qartësojë pozicionin e tyre dhe presioni ndërkombëtar do të bëjë që i ashtuquajturi "vet-menaxhimi" do të jetë pika e parë nga do të filloj implementimi i marrëveshjes, ku pala e Kosovës do të duhet të filloj hartimin e statutit të këtij organi që do të përfshijë një vetëqeverisje në shkallë autonomie për serbët në Kosovë”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat