Pesë vendet e BE-së nuk ndryshojnë qëndrim për Kosovën, analisti jep arsyet

Politika

Pesë vendet e BE-së nuk ndryshojnë qëndrim për Kosovën, analisti jep arsyet

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 30 mars 2023 Në ora: 18:00
Foto ilustrim

Pavarësia e Kosovës dhe shteti i saj vazhdojnë të mos njihen nga shumë vende të botës, duke përfshirë këtu edhe nga pesë vendet e BE-së: Greqia, Sllovakia, Qirpoja, Spanja dhe Rumania.

Të gjitha vendet anëtare nuk kanë dhënë sinjale pozitive drejt njohjes së Kosovës.

Në deklaratat e fundit të pyetur rreth Kosovës, ministri i Mbrojtjes i Sllovakisë, Jarosllav Nadj, kishte deklaruar se Sllovakia e konsideron Kosovën “pjesë integrale të Serbisë”.

“Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Sllovakisë, si dhe unë personalisht, kemi mendim absolutisht të pandryshueshëm në mos-njohjen e pavarësisë së Kosovë”, ka thënë ministri sllovak.

Ndërsa, edhe Rumania deklaronte se nuk ka asnjë ndryshim sa i përket pozicionit drejt njohjes.

Por, ky vend do të ketë një qasje konstruktive për rrugën evropiane të Kosovës.

“Pozicioni i Rumanisë është një parim, që rrjedh nga një konsensus i përgjithshëm politik dhe i bazuar në respektimin e ligjit ndërkombëtar. Aktualisht, asnjë ndryshim në këtë pozicion nuk po merret në konsideratë. Rumania do të mbështesë vetëm një zgjidhje për çështjen e statusit të Kosovës, nëse bazohet në marrëveshjen e të dy palëve të përfshira, kontribuon në stabilitetin rajonal dhe është në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

As Qirpoja nuk ka ndryshuar qëndrim për pavarësinë e Kosovës megjithatë ka shtuar se dëshirojnë t’i japin paqes një shans.

Në anën tjetër, Spanja gjersa thotë se është koha që që të bëhen përpjekjet përfundimtare që të zgjidhen mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë, vazhdon të mos ndryshojë pozicion të saj sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës.

Një qëndrim të njëjtë ka edhe Greqia. Presidentja greke, Katerina Saelaropolou, ka deklaruar se ata nuk kanë ndryshuar qëndrim, gjersa takimet e vizitat me shtetin serb ata nuk i ndalin.

Duke folur rreth njohjeve nga vendet e BE-së dhe “lobimit” serb për mos ndryshim qëndrimesh, analisti politik, Skënder Mulliqi, thotë vendet e bëjnë për shkak të problemeve të brendshme etnike të tyre.

“Edhe njëherë për ata që kanë harruar ose nuk kanë dijeni, së Greqia, Sllovakia, Qiproja, Spanja dhe Rumania janë pesë shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Megjithatë të themi në fillim se Athina, për dallim nga të tjerat, ka shprehur mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën. Dy apo tre vitet e fundit ka pasur indikacione pas disa vizitave ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Greqisë se kjo e fundit megjithatë do të pranojë pavarësinë e Kosovës. Ishin këto vizita më shumë të karakterit ekonomik, por edhe të karakterit politik. Nga vetë krerët e shtetit grek kemi pasur paralajmërime të tilla. Por, si duket Greqia edhe pse është pjesë e BE-së, po ka presione politike nga Rusia dhe Serbia. Vitin e kaluar sikur këtë vit, dukej afër pranimi i shtetësisë të Kosovës nga shteti helen. Duket qartazi së Athina zyrtare po ndikohet nga politikat e Serbisë, që mos më njohur Kosovën si shtet. Pse nuk po ndodhë ende që pesë shtetet e BE-së të na njohin, më duket se kjo po ndodhë për shkak të problemeve të brendshme etnike të tyre. Kjo është e para”, pohon Mulliqi.

Image
Skender Mulliqi

Sipas tij, aleancat e vjetra dhe lobimi serb janë arsye tjera që nuk vijnë njohjet.

“E dyta, është për shkak se ende po funksionojnë edhe pse jo në letër aleancat e vjetra edhe të natyrës ideologjike anti shqiptare. Dhe, e treta arsye është lobimi që po e bën Serbia, që mos të kemi njohje të reja nga këto shtete, por edhe nga shtetet tjera të botës demokratike. Një arsye tjetër ekziston pse Kosova nuk ka qenë shumë vite me diplomaci dhe diplomatë të karrierës nëpër përfaqësitë tona diplomatike, dhe as kur behët fjalë për ministrat tonë të punëve të jashtme, që ishin në nivelin e dobët. Kjo e fundit i lëshoi terren lobimit serb nëpër botë, që jo vetëm që nuk patëm njohje këto vitet e fundit, por madje patëm edhe 17 çnjohe. Kjo ishte ana më e errët e diplomacisë tonë inerte. Ne, këtë mesele nuk është pa kritika as BE-ja, e cila në bisedimet më Serbinë po e kushtëzon Kosovën, dhe kjo gjë ka shkuar në favor të politikave ekspansioniste serbe. Diplomacia jonë e re po duket më efikase në paraqitjet e saja , në sanimin sado pak të gjendjes së trashëguar hiç të mirë. Ende nuk po kemi njohje te reja, por kemi politika të jashtme më pragmatike të cilat premtojnë inkuadrimin e Kosovës në organizma të ndryshëm të Evropës, ku edhe ka ngecur”, thekson Mulliqi.

Sipas tij, edhe pse Serbia ka marrë obligime për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, ajo haptazi po kërkon që të mos ndodhin njohjet e reja.

“Edhe pse janë nënshkruar 38 marrëveshje të deritashme gjatë bisedimeve Kosovë –Serbi, kjo e fundit shumë prej tyre nuk i ka implementuar dhe për çudi këtë fakt BE-ja po e anashkalon. Serbia më marrëveshje të firmosura ka obligime që mos të lobojë për çnjohje, por kjo sikur po has në vesh të shurdhër të qarqet burokratike të BE-së. Prandaj, edhe qëndrimi i Greqisë lidhur me shtetësinë e Kosovës mbeti i pandryshuar, siç edhe deklaroi presidentja greke, Katerina Sakellaropoulou, gjatë vizitës në Beograd më 28 mars me Vuçiqin. Ajo në takimin me presidentin serb tha së ky qëndrim i Athinës zyrtare lidhet më konsistencën e politikave të jashtme të këtij shteti. Kurse në anën tjetër edhe pse Serbia ka marrë obligime për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, kjo haptazi po kërkon që mos të ndodhin njohjet e reja, si lobimi i fundit i Vuçiqit në takim më presidenten greke në Beograd. Dhe, ky dualizëm politikë i Serbisë ishte dashur të marrë fund, por që BE-ja sikur po i toleron politikat e tilla shumë të pafytyra të shtetit serb në rajon, i cili edhe po kërcënon fqinjët e saj më luftë, e në këtë kontest më së shumti Kosovën, më Asociacionin më kompetenca ekzekutive”, deklaron analisti.

Serbia jo vetëm që është kundër njohjeve të reja, por edhe vazhdon në çnjohje, thotë Mulliqi, gjersa pyet deri kur do të vazhdohet kjo tolerancë ndaj shtetit serb.

“ Serbia dhe Vuçiqi janë duke e shfrytëzuar luftën në Ukrainë dhe kërcënimet e Putinit edhe ndaj Ballkanit Perëndimor, dhe BE-ja por edhe Amerika sikur po veprojnë nën trysnin e tyre në bisedimet Kosovë -Serbi. Po shihet qartazi me takimin e dy homologëve grek dhe serb , në Beograd së lobimi i Serbisë jo vetëm që është kundër njohjeve të reja , por ajo po vazhdon edhe në çnjohje. Deri kur kjo tolerancë e botës demokratike e veçmas të BE-së ndaj Serbisë hegjemoniste, mbetet vetëm të parashikohet”, përfundon Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat