Në lidhje me situatën politike në vend dhe ngjarjet e fundit, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur deputeti nga radhët e LVV, Mefail Bajqinovci.
Ai shprehet se Qeveria po punon për mirëqenien e qytetarëve të vendit dhe ka angazhim, përkushtim maksimal.
I pyetur për marrëveshjen në Ohër, Bajqinovci thotë që duhet zbatim nga të dy palët, ani pse Serbia njihet për mosrespektim të marrëveshjeve.
Bajqinovci u shpreh se ne jemi të vëmendshëm si shtet dhe në bashkëpunim me faktorët ndërkombëtarë do të përkujdesemi për të gjitha çështjet që na takojnë për ta mbrojtur sovranitetin shtetëror.
“Është e pritshme nga ana e Serbisë që të ndërmarrë veprime destruktive, sepse është mënyrë e operimit të saj në vazhdimësi. Mirëpo, besoj se ata nuk mund t'ia hedhin edhe më tej të shtiren e të bëjnë sikur duan marrëveshje, ndërkaq në të njëjtën kohë të stimulojnë strukturat ilegale të bëjnë veprime që e minojnë paqen dhe sigurinë.
Ne jemi të vëmendshëm si shtet dhe në bashkëpunim me faktorët ndërkombëtarë do të përkujdesemi për të gjitha çështjet që na takojnë për ta mbrojtur sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial e për të cilat obligohet edhe Serbia që të na i respektojë, siç kanë pranuar më 27 shkurt në Bruksel”, u shpreh Bajqinovci për “Bota sot”.