Paralajmërimi nga Stoltenberg/ Eksperti tregon planin rus për Kosovën - ky është synimi kryesor

Politika

Paralajmërimi nga Stoltenberg/ Eksperti tregon planin rus për Kosovën - ky është synimi kryesor

Nga: P.R Më: 22 dhjetor 2023 Në ora: 09:28
Jens Stoltenberg

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Siguria në Kosovë është kyçe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Në një fjalim për fundvit të publikuar në rrjetin social X, Stoltenberg ka thënë se tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten.

“Po jetojmë në një botë më të rrezikshme. Është një luftë e plotë në Evropë dhe një luftë e re në Lindjen e Mesme. Tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten. Vazhdon të ketë terrorizëm brutal dhe ndryshimi klimatik po i nxit konfliktet. Nuk mund të ketë siguri pa mbrojtje të forta. Dhe, nuk ka mbrojtje të forta pa ushtri të afta", deklaroi Stoltenberg.

E sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala krejt kjo situatë e krijuar në Kosovë dhe rajon është pas ndikimit rus në Ballkan.

“Synimet e Serbisë dhe Rusisë janë të dyfishta të cilat mund të paraqiten si në vijim: Synimi i parë është në nivel ndërkombëtar, është promovimi i interesave të veta gjeopolitike kundër Perëndimit në këtë pjesë për rusët (serbët ), Kosova shërben për të dëmtuar zgjerimin e SHBA-ve dhe BE-së në rajon. Nëse SHBA-të dhe BE-ja nuk mund të kenë sukses në Kosovë, ato nuk do të mund të kenë sukses askund tjetër”, shprehet Shala.

“Synimi i dytë në nivelin rajonal, është krijimi i një trampoline në Serbi përmes secilës Rusia do të ushtrojë politikën e jashtme në Ballkan. Për këtë arsye, Rusia e përdor Kosovën për pazaret me Serbinë. Në këmbim të ndihmës ruse për promovimin dhe mbrojtjen e pretendimeve serbe ndaj Kosovës, Serbia i siguron Rusisë një trampolinë në tokat e populluara me serbë dhe një politikës të jashtme të koordinuar”, thekson Shala për “Bota sot”.

Por çfarë synon të arrijë në Kosovë Rusa përmes Serbisë sipas ekspertit Shala:

“Për këtë arsye, në Kosovë Rusia (Serbia) synon: Ta pengojë/diskreditojë zgjerimin e NATO-s dhe integrimin në BE; Të ndërtojë imazhin e Rusisë si një fuqi globale dhe të ofrojë një alternativë ndaj Perëndimit; Ta përdorë Kosovën për pazaret e veta me SHBA-të/BE-në për arritjen e ujdive në hapësirën ish Sovjetike; Ta ketë në dorë Serbinë duke promovuar dhe mbrojtur pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës”, shpjegon Drizan Shala.

Ai thotë se grupet e Radoiçiqit po tentojnë të dalin në sipërfaqe në veri të Kosovës, me çka po nxitin tensionimin e situatës.

“Në këto synime mund të thuhet që strategjia e cila ka mbetur në gjysmë rrugë të përdorur nga Serbia nga sulmi 24 shtatori mund të konkludojmë që në kuadër të grupeve kriminale shtetërore të Beogradit që kanë vepruar deri më tani nën ombrellën e Milan Radoiçiqit janë duke tentuar të dalin në sipërfaqe për të rritur në njërën anë pazaret me Beogradin zyrtar, dhe në anën tjetër për të shtrirë kontrollin në pjesët e caktuara të komunitetit serb dhe territorit të Kosovës”, nënvizon Shala.

“Dhe gjitha këto veprime janë duke ndodhur sipas synimeve Ruse/Serbe të cilat kanë këtë qëllim primar dhe sekondar për të goditur autoritetin Kosovar/Ndërkombëtar në vend. Institucionet e sigurisë në vend kanë ndërmarr gjitha veprimet adekuate preventive për çfarëdo skenari i cili mund të shpërfaqet në javët apo muajve në vijim nga ndryshimet politike në Serbi që pritet të ndodhin pas formimit të qeveris se re në Serbi”, përfundon për “Bota sot” eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat