Ura e Ibrit do të hapet apo jo? Kjo mbetet ende të shihet gjatë ditëve në vazhdim. Kjo çështje u hap kohët e fundit nga Qeveria e Kosovës, gjë për të cilën mori shumë kritika, që nuk mund të realizohet. Madje pati reagime edhe nga miqtë ndërkombëtarë, të cilët u shprehen se kjo çështje nuk duhet prekur tani, mirëpo duhet bërë sipas marrëveshjeve.
Ndërsa, nga opozita pati reagime se ky është vetëm pretendim i qeverisë në kohë zgjedhjesh.
Data e zgjedhjeve të reja është caktuar 9 shkurti i vitit të ardhshëm.
Derisa Qeveria e Kosovës të bëj ndonjë lëvizje në këtë drejtim, mbetet të shihet se sa i realizueshëm është pretendimi i tyre.
Lidhur me këtë temë, se a është hapja e urës “premtim zgjedhor”, apo edhe mund të realizohet, ka folur për ‘Bota sot’, analisti politik, Lulzim Veliu.
Ai thotë se janë të shumta temat me të cilat është marr qeveria e për të cilat mendon se është dashur të anashkalohen në shërbim të realizimit të marrëveshjes së arritur në mes Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje e pranuar nga dy palët dhe e panënshkruar ku shihet qartë se është arritur nga presioni ndërkombëtar mirëpo jo e dëshiruar nga Vuçiqi e as nga Kurti.
Veliu: Presidenti serb si dinak që është, bëri disa veprime të vogla në fillim-vit dhe këmbënguli që pa realizimin e asociacionit nuk shkojmë tutje
“Megjithatë presidenti serb si dinak që është, bëri disa veprime të vogla në fillim-vit dhe këmbënguli që pa realizimin e asociacionit nuk shkojmë tutje, ndërsa politika kosovare jo që nuk bëri asnjë veprim drejt realizimit të marrëveshjes por me politika shumë populiste dhe asnjëherë në interes të vendit bëri që bisedimet rreth realizimit të marrëveshjes të ndërpriten dhe sot askush nuk flet për një takim dhe vazhdim të bisedimeve”, vlerëson Veliu.
Ai thotë po ashtu se politika e Kosovës dështoi ta bind bashkësinë ndërkombëtare se Vuçiqi është pjesë e së kaluarës, pjesë kabinetit gjenocidial të Millosheviqit, por tani ai është partner strategjik i BE dhe SHBA-ve.
“Kohen kur Kosova merret me dinarin, bankat e posten, Serbia vizitohet nga presidenti kinez, kancelari gjerman, e tani kur flitet për hapjen e urës, Serbia vizitohet edhe nga presidenti Macron dhe arrin marrëveshje për blerjen e dymbëdhjetë avionë luftarak të fjalës së fundit të teknologjisë botërore. Ndërsa Kosova jo që nuk vizitohet nga asnjë liderë botëror po është e izoluar tërësisht dhe ngrihet e premton se do ta hape urë ҫka është e pamundur pa një koordinim me ndërkombëtaret”, vlerëson ai.
“Me gjithë këtë që thashë më lartë vetëm desha të tërheq një paralele në mes diplomacisë serbe e asaj kosovare. Meqenëse kemi datën e zgjedhjeve të caktuar gjithë kursin për hapjen e urës e shoh në kuadër të fushatës elektorale thënë ndryshe është një infuzion për votuesin e LVV, se hapja e urës do të ndodhë vetëm atëherë kur një gjë të tillë e pranon edhe komuniteti ndërkombëtar e çka për momentin është e papranueshme këtë më së miri e pamë me rivendosjen e forcave të KFOR-it në afërsi të urës në momentin kur fliste kryeministri për hapjen e urës”, thekson analisti Veliu për ‘Bota sot’.
Po ashtu, për këtë çështje ka folur edhe analisti Leon Duhanaj. Ai thekson se, Qeveria Kurti sa herë që ndodhet para vështirësive, nxjerrë tema të ndryshe, sikurse kjo e urës së Ibrit. Sipas tij, kjo qeveri u bë shkaktare e dezintegrimit të veriut.
Duhanaj: Kosova duhet ta zbatoj shtetin e së drejtës e jo shtetin policorë
“Jo vetëm ura mbi lumin Ibër, por thuaj se në secilën fazë kur Qeveria Kurti gjenden para situatave të vështira, e nxjerrë nga një temë, gjegjësisht e prodhon nga një krizë, për ta mbajtur opinionin publik pezull dhe nën presion, në mënyrë që fokusi të mos mbetet tek problemet reale të krijuara përmes keqqeverisjes. Mjafton t'i analizojnë temat duke filluar nga targat dhe tutje. T'i masim realisht se çfarë përfitoj apo humbi Kosova përmes kësaj qasje dhe do të bindemi se Kosova nuk ka fituar asgjë. Përkundrazi ka humbur vazhdimisht. Qeveria Kurti, u bë shkaktare e dezintegrimit total të veriut”, vlerëson ai.
Duhanaj thotë tutje se, është duke "qeverisur" me një model i cili në staza të gjata e dëmton Kosovën.
“Sepse mënyra e zbatimit të shtetit policor, përmes konfrontimit, kinse po e zbatoj ligjin, nuk vlerësohet mirë nga faktori ndërkombëtarë. Kosova duhet ta zbatoj shtetin e së drejtës e jo shtetin policorë. Për ketë tashmë e ka betejën të humbur. Megjithatë Kurtit nuk i bën përshtypje , madje as sanksionet e vendosura ndaj Kosovës, sepse peshën e rëndë të varfërisë, që ua ka shkaktuar qytetarëve, nuk e ndjenë mbi supet e tij”, vlerëson ai.
Ai thotë më tutje se, ura ishte poashtu një skenarë për ngritje të tensioneve, për qëllime elektorale dhe asnjë dobi.
“Ura si e tillë, duhet të hapet dhe do të hapet, por mënyra siç e ka nisur Kurti, as nuk do çojë në hapje, përkundrazi do ta kthejë si temë në tavolinën e negociatave. Kjo nuk mund të jetë interes i Kosovës, prandaj pyetja që duhet t'i shtrohej Kurtit, do ishte. Kujt i shërben, nëse një temë të mbyllur, e rihapë dhe e kthen në temë negocimi. Pa u dakorduar me shtetet sponsorizuese të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, Kosova as nuk mund të zbatoj sovranitet mbi urën e as mbi veriun, e aq me pak do të ketë të ardhme të sigurt. Prandaj kërkohet urgjentisht këndellje e z. Kurti, për ndryshe do tash edhe në fund të mandatit, do të mbetet si dëmtuesi me i madh i interesit shtetërorë e kombëtarë. Shyqyr që tashmë me zgjedhje të reja, po i vijë fundi i marrëzisë së tij”, vlerëson Duhanaj.