Politikat në botë kanë filluar të ndryshojnë, ashtu siç po ndodh edhe në Ballkan. Të mërkurën që kaloi, Gjykata në Bosnjë e Hercegovinë, në Sarajevë, dënoi presidentin e Republikës Srpska, Millorad Dodik, me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë për ushtrimin e detyrës së presidentit, duke filluar nga dita kur vendimi hyn në fuqi.
Ky dënim ka shkaktuar pakënaqësi tek “miqtë” e Dodikut, si Vuçiçi dhe Kremlini, ndërkohë që ka pasur edhe ata që e kanë mirëpritur. Kremlini tha të enjten se beson se dënimi me një vit burgim dhe ndalimi politik për liderin e Republikës Srpska, Millorad Dodik, është i motivuar politikisht dhe mund të ketë pasoja negative dhe destabilizuese për Ballkanin.
Nga ana tjetër, Departamenti Amerikan i Shtetit shprehu kundërshtim ndaj çdo veprimi të udhëheqësve lokalë në Bosnjë e Hercegovinë që mund të dëmtonte sigurinë dhe stabilitetin e shtetit. “Shtetet e Bashkuara kanë investuar për dekada në një Bosnjë e Hercegovinë stabile. Ne kundërshtojmë fuqishëm çdo veprim nga udhëheqësit lokalë që do të minonte sigurinë dhe stabilitetin. Ne mbështesim Marrëveshjen e Dejtonit dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës,” shkroi në Tëitter zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce.
Por, a mund të ketë ndikim kjo situatë edhe në Kosovë?
Dashevci: Kosova është projekt amerikan dhe nuk e ka situatën sikurse në Bosnjë dhe Hercegovinë, nuk ka krahasime
Njohësi i sigurisë në Kosovës, Arben Dashevci për “Bota sot”, thotë se Dodik është edhe i sanksionuar nga SHBA, dhe vendimi ndaj tij është i drejt dhe meritor, duke shtuar se ai është person i Moskës.
“Kur flasim për Millorad Dodik ne flasim për njeriun që është i sanksionuari nga Departamenti Amerikan i Thesarit.
Një person që e ka cenuar sigurinë në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Dënimi për të është meritor dhe i drejtë, është sukses për organet në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe bashkësisë ndërkombëtare atje.
Unë e shoh fundin e tij politik dhe njeri që ka pasur dhe ka qasje destruktive ndaj çdo procesi politik në Bosnjë dhe rajon”, thotë ai.
Tutje, Arben Dashevci shprehet se ky nuk mund të ketë ndikim në Kosovë sepse Kosova është
“Dodik ka qenë dhe është njeri i Moskës, reagimi i Moskës për të mendoj unë është vetëm sipërfaqësorë dhe asgjë më shumë se kaq.
Bashkësia ndërkombëtare nuk lejon edhe njëherë përsëritjen e Srebrenicës, andaj unë shoh fundin politik të njerëzve si Dodik, Vullin ose Vuçiq.
Kjo nuk ka impakt në Kosovë mendoj unë, Kosova është projekt amerikan dhe nuk e ka situatën sikurse në Bosnjë dhe Hercegovinë, nuk ka krahasime.
Kosova mban dhe duhet ta mbaj vigjilencën maksimale sikurse kur deri me sot, duhet të jetë në bashkëpunim, bashkëveprim dhe koordinim me SHBA për çdo proces, sepse jemi projekt amerikan dhe aleat i përjetshëm, duhet edhe të sillemi si të tillë”, përfundon ai.
Softa: Kosova duhet të forcojë marrëdhëniet me BE por pa u larguar nga SHBA
Fatjon Softa, njohës i sigurisë thotë se qëndrimi i Kremlinit është në vazhdën e politikave mbështetëse të Serbisë, nga Rusia.
“Kremlini ka reaguar pas dënimit me një vit burgim dhe ndalimit të aktivitetit politik për liderin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, nga Gjykata duke urdhëruar atë që të largohet nga roli i udhëheqësit të rajonit të mbizotëruar nga serbët e vendit për gjashtë vjet. Kremlini e komenton këtë të motivuar politikisht dhe kjo, sipas tyre, mund të ketë pasoja negative dhe destabilizuese për Ballkanin.
Ky qëndrim, është në vazhdën e politikave mbështetëse të Serbisë, nga Rusia, si një aleat tradicional dhe historik me synimin për të kontrolluar dhe mbajtur nën kontroll politikat e saj të zonave të influencës në Ballkan.
Dodik, i njohur për lidhje te ngushta me Rusinë, e ka hedhur poshtë aktakuzën dhe është kundërpërgjigjur me masa për të reduktuar praninë e shtetit në rajonin e tij të mbizotëruar nga serbët në Bosnjë, duke ndaluar prokurorin e shtetit, gjykatën shtetërore dhe agjencinë e inteligjencës”, thotë ai.
Tutje, ai thotë se deklarata e Kremlinit janë kërcënuese për Bosnjen e po ashtu edhe për Kosovën, duke shtuar se Kosova duhet të forcojë marrëdhëniet me BE-në duke mos u larguar nga SHBA sepse edhe ashtu është pjesë e interesave amerikanë në rajon.
“Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, deklaroi para gazetarëve se presidenti rus Putin e kishte takuar Dodikun shumë herë dhe kishte një marrëdhënie konstruktive pune me të.
Këto deklarata të Kremlinit, janë kërcënuese për Bosnje Herecegovinën dhe për Kosovën, dy vende ndaj të cilave planet e Moskës dhe aleatit të saj Serbisë, janë djallëzore. Krahas pretendimeve territoriale, Serbia kërkon të rikthej lavdinë e dikurshme, të një shteti të madh në Ballkan duke përbashkuar të gjithë faktorin serb, bashkë me territoret.
Në klimën e një marrëdhënie të re Ruso Amerikane, synimet e tyre gjallërohen dhe frymëzohen në planin e ndryshimeve të gjeopolitikave te mundshme në rajon, kjo dhe vetë Europa ndjehet e kërcënuar si në planin e një lufte ekonomike ashtu dhe të kërcënimit ushtarak.
Kosova duhet të forcojë marrëdhëniet me BE por pa u larguar nga SHBA ku Kosova është pjesë e interesave amerikane në rajon”, përfundon Softa për “Bota sot”.