“Kurti nuk dorëzohet”, zbërthehet prapavija e formimit të qeverisë së re: Ky do ishte opsioni i fundit!

Politika

“Kurti nuk dorëzohet”, zbërthehet prapavija e formimit të qeverisë së re: Ky do ishte opsioni i fundit!

Nga: A.M. Më: 18 mars 2025 Në ora: 10:01
Kandidatët për kryeministër: Albin Kurti nga LVV-ja, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja, Bedri Hamza nga PDK-ja dhe Ramush Haradinaj nga AAK

Së fundi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë pas disa javëve shpalli rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, ku në të cilin prin Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me mbi 390.000 vota apo 42.30 për qind.

Rezultati konfirmoi faktin se asnjëra parti nuk do arrijë ta bëj qeverinë e vetme, pa koalicione dhe bashkëpunime.

Megjithatë, skena politike në vendin tonë duket si e përçarë, pasi partitë po refuzojnë të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe madje po vendosin edhe “vija të kuqe”.

Në këtë rast vetëm Nisma ka deklaruar se është e hapur për të bashkëpunuar me të gjitha partitë, mirëpo ende nuk ka sinjale për bisedime për këtë çështje.

Kësisoj, ende duhet të presim për të parë formimin e qeverisë së re, a do gjejnë bashkëpunim partitë politike apo do të shkojmë në zgjedhje të reja?

E për këtë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli opinionisti Dedë Preqi.

Si fillim, ai tregoi ‘shkaqet’ se pse opozita po refuzon koalicion me partinë, ndërsa pavarësisht kësaj beson se LVV do e formojë qeverinë e re.

“Qëndrimet e partive opozitare janë aq strikte për të u afruar me LVV, për formimin e qeverisë së re, për vetë faktin se, nuk janë të zonja ta pranojnë realitetin si të tillë, dhe të marrin përgjësitë e tyre dhe të shqyrtim situatën dhe rrethanat që na rrethojnë, që në thelb kërkohet pushteti të krijohet në shërbim të popullit, dhe jo në shërbim të partive dhe individëve.

Kuptohet fituesi i këtyre zgjedhjeve të 9 shkurtit të këtij viti, që është LVV, me një rezultat, që populli e ka shprehë vullnetin e vet, duke i dhënë shansë këtij subjekti edhe njëherë për ta udhëheqë vendin, që do t’i kompletonte numrat e mjaftueshëm të deputetëve, dhe kjo bindje mbetet akoma në vullnetin e qëndrimeve dhe marrëveshjeve të subjekteve politike, për të hyrë në koalicion me subjektin fitues LVV, e cila është e hapur për secilin, përveç Listës serbe”, nënvizoi opinionisti.

Image
Dedë Preqi.

Po ashtu, Preqi ironizoi me PDK, LDK dhe AAK-në për “zhurmën” e tyre dhe faktin që sillen sikur këto parti të ishin fituese të këtyre zgjedhjeve.

“LVV, dhe udhëheqësi i saj Albin Kurti, asnjërit subjekt politik nuk i vë gjunjët në bark, por vetëm është duke pritur momentin dhe janë gjasat të formojë qeverinë edhe pa pjesëmarrjen e subjekteve të mëdha të opozitës PDK, LDK, dhe AAK, pa NISM-ën, e cila kjo e fundit në krye me Fatmir Limën, nuk ka qëllime të këqija që do ta tradhëtonte Albin Kurtin sikur më herët LDK-ja.

PDK, LDK dhe AAK, vetë janë deklaruar se nuk e dëshirojnë një koalicion me LVV, dhe kryeministër Albin Kurtin, duke bërë shumë zhurmë në çdo tubim, thua se ata janë fitues dhe përcaktues të këtyre zgjedhjeve”.

Më tej, opinionisti konsideron se Kurit dhe LVV nuk dëshirojnë zgjedhje të reja, derisa tregoi skenarin e mundshëm për formim të qeverisë së re.

“Zvarritja e numërimit të votave gjatë këtyre zgjedhjeve nga KQZ-ja, e ka sqaruar kryetari Kreshnik Radoniqi, shkakun e zvarritjes, por si do që të jetë, është më rëndësi që ky proces është realizuar dhe ka treguar pjekuri të kësaj natyre dhe shtet ndërtimit në këtë vend.

Prandaj, LVV, dhe Albin Kurti, nuk kërkojnë zgjedhje të reja, kjo do të ishte vetëm opsioni i fundit i tyre, sepse sovrani e ka caktuar fituesin dhe në mënyrë legjitime fituesi do ta formojë qeverinë e ardhshme, edhe pse partitë e mëdha opozitare nuk e shprehin vullnetin e tyre të bashkëpunojmë me subjektin fitues.

Kështu që, alternativa e mundshme është që, LVV, së bashku me Listën Guxo, Aternativën, minoritetet jo serbe dhe ndonjë kandidat tjetër i mundshëm, që do të aderonte në këtë koalicion, do formohet qeveria Kurti 3, dhe gjithë ata që do të shqetësohen për këtë çështje, vihen para një opsioni të dyshimtë, por në realitet është vendimtar”, shtjelloi Preqi.

Ndër të tjera, ai shtoi se Kurti, nuk është njeri që do të dorëzohet, kur e ka fitoren në dorë.

“Nga ana tjetër duhet thënë se, edhe pse asnjëra parti nuk e ka fituar shumicën dhe ekziston mundësia e zgjedhjeve të reja, kur në fund të këtij viti do mbahen edhe zgjedhjet lokale në Kosovë, duhet përdorur me kujdes këtë logjikë, që t’i drejtohemi atij stadi të fundit, sepse zgjedhjet e reja parlamentare dhe ato lokale, do të na kushtojnë edhe më shumë që mendojmë, duke marrë parasysh jo vetëm kostot materiale, por edhe vakumet që mund të prodhohen në disfavor të shtetit tonë.

Është edhe diçka e rëndësishme, të cilën duhet ditur, Albin Kurti, nuk është njeri që do të dorëzohet, kur e ka fitoren në dorë, por mbi të gjitha është njëri ndër të rrallët, që përvijon një ndjenjë vegjilence, serioziteti dhe përgjegjësie përballë problemeve dhe kauzave të rëndësishme ndaj këtij populli dhe shteti”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat